Mësohet se Sulçe ka ndërruar jetë tre ditë më parë, ndërsa kanë qenë familjarët e tij ata të cilët kanë gjetur trupin e pajetë vetëm një ditë më parë.
Nga këqyrja e kufomës, thonë burimet e policisë, ndodhemi para një vdekje natyrale. Ish gjyqtari në moshë të thyer, jetonte i vetëm.
Emri i Subi Sulçes është përmendur shpesh pas përmbysjes së diktaturës si kryetar i gjyqit të inskenuar ndaj dy poetëve të Librazhdit, Genc Lekes dhe Vilson Blloshmi, ndaj të cilëve dha dënimin kapital, me pushkatim.
Më 13 korrik 1977, Subi Sulçe kryesoi seancën gjyqësore të mbajtur në kinemanë e qytetit të Librazhdit, ku për akuzën e fabrikuar të sabotazhit në ekonomi, u dënuan me vdekje poetët Genci Leka dhe Vilson Blloshmi.
“Shqiptarja.com” sjell pjesë nga vendimi që ka marrë gjykata e drejtuar nga Subi Sulçe për dënimin e dy poetëve. Aq të pashpirt ishin veglat e diktaturës sa veç dënimit me vdekje dhe konfiskimit të pasurisë që dhanë për Genci Lekën dhe Vilson Blloshmin i kanë shtuar edhe një vendim tjetër absurd atë të heqjes së të drejtës së votimit për 5 vite!
Shkëputur nga dosja Nr.48 "Blloshmi-Leka"
"Për të pandehurin D.Blloshmi, megjithëse ka kryer dy krime të rënda, por duke patur parasysh se në hetuesi e në gjyq është treguar i sinqertë në tregimin e veprimtarisë kriminale të tij dhe, nga ana tjetër, ka ndihmuar në njëfarë mase edhe në zbërthimin e procesit për të zbuluar veprimtarinë e të pandehurve të tjerë, ka vend që ndaj tij të jepet një masë dënimi në përshtatje me këto rrethana.
Për të pandehurin R.Dashi kihet parasysh përbërja e keqe klasore e tij, format e kryerjes së përvetësimit, dhe se nuk është treguar i sinqertë në gjyq dhe hetuesi, është përpjekur të zvogëloj fajet e tij.
I pandehuri R.Çerri, ka përbërje të mirë politiko-shoqërore, por se është ky dhe bashkëshortja e tij, që duke u bërë vegla në duart e sabotatorëve e vjedhësve të tjerë, u dhanë mundësi të zhvillojnë veprimet armiqësore e keqbërëse në dëm të diktaturës së proletariatit e pronës socialiste. Qëndrimi jo plotësisht pendues që ka manifestuar në hetuesi në gjyq dhe në hetuesi flet për rrezikshmëri të madhe.
Për të pandehurin R.Sula, se ka origjinë e përbërje politike të mirë, ka nivel të ulët arsimor e kultural, dhe se është ky që ka ndihmuar së tepërmi organet e diktaturës në zbulimin e goditjen e grupit armiqësor të vjedhësve. Në hetuesi e në gjyq mbajti qëndrim mjaft pendues, prandaj ka vend të aplikohet neni 44 i Kodit Penal, për uljen e dënimit nën minimumin e parashikuar nga dispozitat penale përkatëse.
Për të pandehurin A.Goçi kihet parasysh shuma e përvetësuar, si dhe fakti që ka qenë i dënuar dhe më parë.
Për këto arsye
Gjykata, në bazë të neneve 278-279 të Kodit Penal
Vendosi:
1-Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 10 vjet heqje të lirisë.
Duke bërë bashkimin e krimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, përfundimisht e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
2- Të deklarojë fajtor të pandehurin Vilson Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 10(dhjetë) vjet heqje të lirisë.
Duke bërë bashkimin e krimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, përfundimisht e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
3- Të deklarojë fajtor të pandehurin Bedri Sami Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me 25 (njëzet e pesë) vjet të heqjes së lirisë, dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Vuajtja e dënimit i fillon nga data e paraburgimit, 03.04.1976
4- Të deklarojë fajtor të pandehurin D.Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet të heqjes së lirisë, me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Të deklarojë fajtor të pandehurin D.Blloshmi, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje të lirisë. Duke bërë bashkimin e krimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, përfundimisht e dënon me 20 (njëzet) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 10.06.1976
5- Të deklarojë fajtor të pandehurin R.Çerri, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste, të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal e dënon me 12(dymbëdhjetë) vjet heqje lirie e konfiskimin e pasurisë. Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 05.08.1976
6- Të deklarojë fajtor të pandehurin R.Dashi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal e dënon me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie e konfiskimin e pasurisë.
7- Të deklarojë fajtor të pandehurin R.Sula, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal dhe 44 të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie. Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 10.06.1976. Edhe të pandehurit R.Dashi i fillon dënimi nga dita e paraburgimit, datë 11.06.1976
8- Të deklarojë fajtor të pandehurin A.Goçi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në shumë të vogël dhe në bazë të nenit 81 e 42 germa "a" të Kodit Penal e dënon me 2 (dy) vjet heqje të lirisë. Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 06.05.1977
Detyrimin e të pandehurit D.Blloshmi që t'i paguajë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën prej 1105 (njëmijë e njëqind e pesë lekë). Detyrimin solidarisht të të pandehurve D. e Bedri Blloshmi e R.Dashi t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1927 (njëmijë e nëntëqind e njëzet e shtatë) lekë.
Detyrimin solidarisht të të pandehurve D. e Bedri Blloshmi e R.Dashi t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 870 (tetëqind e shtatëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D. e Bedri Blloshmi e R. Sula t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1122 (njëmijë e njëqind e njëzet e dy) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Çerri, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1336 (njëmijë e treqind e tridhjetë e gjashtë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Çerri e R.Dashi, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1350 (njëmijë e treqind e pesëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Çerri e B. Blloshmi , solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 502 (pesëqind e dy) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi dhe A.Goçi, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 497 (katërqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi, A. e R.Dashi, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 690(gjashtëqind e nëntëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Dashi, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 602 (gjashtëqind e dy) lekë.
Detyrimin e të pandehurve Bedri Blloshmi në veçanti t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 560 (pesëqind e gjashtëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Sula, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 310 (treqind e dhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve R.Sula, në veçanti, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë 6 copë shina në vlerën 457 (katërqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë, t'i paguajë R.H. Elbasan 3 copë hekur betoni 3 ml gjatësi 20 ml, me vlerë 132 (njëqind e tridhjetë e dy) lekë, një karrocë dore me vlerën 80 lekë dhe dy blloqe betoni me vlerë 90 lekë. Dhe, kooperativës bujqësore Bërzeshtë t'i paguajë vlerën 3320 (tremijë e treqind e njëzet lekë)
Detyrimin e të pandehurve R.Sula dhe R.Dashi t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 137 (njëqind e tridhjetë e shtatë) lekë.
Detyrimin e të pandehurit R.Çerri t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 4025 (katërmijë e njëzet e pesë) lekë.
Konfiskimin e provave materiale jashtë qarkullimit e blloqet e shinat që janë gjetur në shtëpinë e të pandehurve Genci Leka e Vilson Blloshmi. Ndërsa librat që janë pronë e Ndërmarrjes Bujqësore Librazhd, t'i kthehen kësaj ndërmarrje.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim ose protestë në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë Tiranë brenda 6 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së tij; për të pandehurit Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, çështja për shqyrtim në shkallë të dytë Gjykatës së Lartë Tiranë. Dërgohen në bazë të neneve përkatëse të Kodit Penal.
U shpall në Librazhd, më 13.06.1977
Sekretarja: A.Xhani (Firma)
Gjyqtari: S.Sulçe (Firma), Vula e Gjykatës.
Shënim: Me Vendimin Nr.22, datë 02.07.1977, të Gjykatës së Lartë Tiranë, është vendosur: Lënia në fuqi e Vendimit Nr.25, datë 13.06.1977, të Gjykatës së Rrethit Librazhd.
Ky vendim, për të dënuarit Genc Leka e Vilson Blloshmi, në bazë të nenit 349, të Kodit të Procedurës Penale, nuk do të vihet në zbatim derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
K/Sekretarja: A.Xhani (Firmë, vulë)".
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com