Ligjvënësit gjermanë kanë miratuar një projektligj nga qeveria e kancelares Angela Merkel për të vendosur kufizime automatike dhe uniforme në zonat ku koronavirusi po përhapet shumë shpejt, duke krijuar kështu një precedent në politikën e vendit.
Dhoma e ulët e parlamentit votoi me 342 vota pro dhe me 250 vota pro planin dhe me 64 abstenime. Dhoma e sipërme, do të shqyrtojë legjislacionin të Enjten. Nëse miratohet nga të dy dhomat, ai do të zbatohet deri në fund të Qershorit.
Kancelarja Angela Merkel vendosi që ta hartojë ligjin që nxiti kritika nga kundërshtarët politikë, të cilët kanë thënë se i kufizon liritë personale, pasi 16 shtetet federale refuzuan të vendosin masa të rrepta izolimi pavarësisht shtimit të rasteve me Covid-19.
Në mesin e masave pritet të vendoset ora policore nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit, kufizimi i tubimeve private dhe kufizimi i dyqaneve e qendrave sportive. Shkollat do të mbyllen dhe nxënësit do t’i kthehen mësimit “online”, nëse shënohen më shumë se 165 raste për 100 mijë banorë.
Qindra persona protestuan të mërkurën në Berlin kundër një ligji që pritet të votohet në kuvend për t’i dhënë kompetenca qeverisë qendrore për të vendosur në izolim zonat me shkallë të lartë infeksionesh. Policia u përplas me protestuesit ndërsa ata u përpoqën të shpërndanin tubimin.
Qindra protestues, pak prej tyre me maska, u mblodhën afër Portës se Brandenburgut, jo shumë larg ndërtesës së Bundestagut, në qendër të Berlinit.
Protestuesit valëvitën flamuj gjermanë dhe parulla me mbishkrimet “paqe” dhe “demokraci” dhe” pa diktaturë” si dhe lëshuan muzikë. Veturat e policisë ishin të parkuara në rrugë, ndërsa policët vëzhgonin.
Gjermanët janë të ndjeshëm ndaj masave që e kërcënojnë lirinë e lëvizjes për shkak të së kaluarës naziste dhe komuniste. Protesta kundër ligjit të ri javët e fundit janë mbajtur në disa qytete në mbarë vendin.
Gjermania raportoi një rritje prej 24,884 rastesh të Mërkurën, duke e çuar totalin në gati 3.19 milion. Rreth 80,634 persona kanë humbur jetën dhe mjekët kanë paralajmëruar që nëse nuk ndërmerren masa, njësitë e kujdesit intensiv mund të përpiqen të përballojnë.
Sidoqoftë, në ditët e fundit shkalla e incidencës shtatë ditore është ulur dhe tani është në 160.1 për 100,000 persona.