BERLIN/MOSKË - Numri në listën e liderëve rebelë në Ukrainën Lindore nën sanksionet e Bashkimit Evropian duhet të shtohet për shkak të zgjedhjeve jolegjitime të zhvilluara prej tyre fundjavën e kaluar, deklaroi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel.
"Ne duhet ta rishohim listën e disa personave që tani kanë përgjegjësi për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve të kundraligjshme në Ukrainën Lindore", deklaroi Merkel në Berlin.
Ajo shtoi se nuk mund të parashikonte shfuqizimin e sanksioneve ekonomike të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të vëna lidhur me rolin e saj në konflikt.
"Ne duam t'i shfuqizojmë sanksionet, por unë nuk e shoh të mundur këtë duke patur parasysh situatën aktuale", theksoi kancelarja.
Së bashku me separatistët, sanksionet e vëna nga Bashkimi Evropian kanë goditur sektorët rusë të energjetikës dhe mbrojtjes si edhe deputetët rusë.
Ukraina, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja hodhën poshtë zgjedhjet e mbajtura nga separatistët në Donetsk dhe Lugansk./ATSH/