Nënshkruhet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për financimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri,  Susanne Schütz, nënshkruan këtë të martë në Tiranë, marrëveshjen për financimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri-Maqedoni.

Ministri Gjiknuri u shpreh se tashmë janë siguruar të gjitha financimet e nevojshme për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni.

"Tashmë janë siguruar të gjitha financimet për ndertimin e kësaj linje, nga të cilat pjesë e parë është kredia me financim gjerman në vlerën 50 milionë euro dhe 14 milionë euro të tjere janë grante nga BE. Projekti përfshin linjën me Maqedoninë dhe ndërtimin e dy stacioneve në Fier dhe Elbasan", deklaroi Gjiknuri

Ambasadorja e Gjermanisë,  Susanne Schütz, tha se përmes këtij financimi do të ndërtohet segmenti i parë dhe më pas segmenti i dytë. Schütz deklaroi se Gjermania ka vënë në dispozicion 30 milionë euro dhe 20 milionë euro të tjera do të lëvrohen pas pushimit veror.

Ky financim është një kontribut për një furnizim më të qëndrueshëm me energji, shans për të eksportuar energji. Deri në nënshkrimin e kësaj marrëveshje kanë kaluar 6 vjet, por ne duam të jemi më të shpejtë tani në zbatimin e marrëveshjeve tona dhe nuk duhet ti lemë njerëzit të presim në gjatë.”- deklaroi ambasadorja gjermane

Në territorin shqiptar projekti përfshin ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 deri në kufi me Maqedoninë, rreth 56 km. Zgjerimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 2 me dy zbara dyfishe 400 kV, një dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr.

Ndërtimin e linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan 2 – Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier. Gjithashtu, projekti parashikon zgjerimin e nënstacionit 220 kV Fier, 1x400 MVA dhe lidhjen me rrjetin e transmetimit.

Zbatimi i projektit në territorin shqiptar ka një kosto prej 70 milionë Euro. Punimet do të financohen nëpërmjet një skemë ku kombinohen fonde grant në shumën 14 milionë Euro, të Bashkimit Evropian, me kredi zhvillimore në shumën 49.8 milionë Euro të mundësuar nga KfW, me koston lokale në shumën 5 milionë Euro të mbuluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).

Kosto e përgatitjes së projektit të zbatimit dhe përgatitja e dokumentave të tenderit për linjën Elbasan 2 në kufi me Maqedoninë mbulohen nga fonde grant (600,000 Euro) të mundësuara nga Bashkimi Evropian nëpërmjet WBIF, kurse përgatitja e dokumentave për linjën Elbasan 2 – Fier do të mbështetet me fonde grant (600,000 Euro) nga KfW.

Projekti parashikohet që të fillojë zbatimin në fillim të vitit 2017 ndërsa përfundon në fillim të vitit 2020.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com