Për të mbajtur premtimin e dhënë nga të majtët në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013, duhet të legalizohen 40 mijë ndërtime çdo vit.  Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni u ka kërkuar  drejtorëve të 18 drejtorive rajonale dhe kreun e ALUIZNI-t të vijojnë ritmet pozitive me të cilat është ecur në këto 10 muaj, ku janë legalizuar 19.856 objekte. “Synimi jonë është që të mbajmë një ritëm prej rreth 40.000 familjesh të legalizuara në vit, që t’i përmbahemi premtimit tonë për legalizimin e zonave masive informale brenda këtij mandati qeverisës”, u shpreh Gjermeni.

Ministrja e Zhvillimit Urban më tej tha se procesi i legalizimit është i lidhur dhe me urbanizimin e zonave informale. “Bashkitë tona të reja do të bashkëpunojnë ngushtë me Ministrisë e Zhvillimit Urban dhe ALUIZNI-n, qoftë për të përshpejtuar legalizimin, e qoftë për të harmonizuar procesin e urbanizimit. Një e treta e territorit të Shqipërisë, është në informalitet dhe kjo shifër ngre një alarm, mbi rëndësinë dhe vëmendjen që ne duhet të tregojmë, në integrimin e mbi 200 zonave informale të identifikuara në terren”, tha ajo.

Më tej ministrja e Zhvillimit Urban tha se, të ardhurat e realizuara nga ALUIZNI në vetëm një vit janë në vlerën një miliard e nëntëqind milionë lekë dhe kjo shumë do të kalojë për kompensimin e ish-pronarëve. “Kjo e ardhur është mbledhur nëpërmjet kalimit të së drejtës së pronësisë për katër mijë e nëntëqind e dyzet e katër parcela ndërtimore të zëna nga ndërtimet pa leje. Nga kjo e ardhur fondi prej një miliard e treqind milionë lekë është transferuar në fondin special të kompesimit që do të përdoret për kompesimin e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë pronarëve pronat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje”, tha Gjermeni.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)