Eksperti i bimëve mjekësore, Ylli Merja, në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, shpjegoi vlerat e gjetheve të fikut në organizëm. Merja u ndal te mënyra se si ato mund të përdoren në formë çaji ose se si qumështi i tyre mund të shërbejë për përgatitjen e një përzierjeje për heqjen e kallove dhe lythave.

“Gjethet e fikut duhen parë shumë mirë, pasi kanë vlera fitokimike. Forma e tyre është dora e gjelbër e natyrës, ku dielli përpunon vlerat që më pas ndikojnë fuqishëm në organizëm. Në Mesdhe, gjethet janë përdorur shekuj më parë”, u shpreh Merja.

Eksperti tha se ekziston një periudhë e caktuar kur ato duhen këputur për të përfituar vlerat maksimale.

“Këputja e gjetheve të fikut duhet bërë në qershor dhe korrik. Është kjo periudhë kur ato nxjerrin qumështin e bardhë dhe intensiteti i tij është më i madh; më pas ai dyllëzohet. Ficina që ndodhet në qumësht gjendet edhe te gjethet, edhe te fruti. Merreni bimën dhe ekstraktojeni”, shpjegoi Merja.

Në vendin tonë ka dy lloje fiqsh. Fiku i egër dallohet nga gjethja, e cila ka nervatura simetrike dhe paralele të theksuara, si një tantellë e qëndisur bukur. Nëse vijëzimet janë të çrregullta dhe kanë si njolla vaji në brendësi, kjo tregon se gjethja është prekur nga sëmundja e vrugut. Merja shpjegoi se kjo gjethe nuk duhet të përdoret për çaj.

Qumështi i gjetheve të fikut dikur përdorej për nxirje, por kujdes…

Kur gjethet e fikut thahen, ficina dhe furanokumarinat ndryshojnë ngjyrën dhe nxihen. Ky qumësht përdorej dikur për nxirje, por duhet pasur kujdes, pasi mund të shkaktojë djegie të lëkurës. Ekspozimi i menjëhershëm në diell pas lyerjes nuk rekomandohet.

Ja si mund të heqim kallot me qumështin e gjetheve të fikut

Përzieni qumështin e fikut me hudhër dhe bëjeni si një pelte të hollë. Përdorni 5 deri në 10 pika qumësht fiku; masa do të fillojë të marrë një ngjyrë të errët.

“Me një prerëse thonjsh pickoni lehtë kallon. Futini këmbët në një legen me ujë dhe kripë të zezë, duke shtuar edhe pak sodë buke. Pas kësaj, hiqini këmbët nga uji dhe vendosni mbi kallo një copë hudhër për 5 minuta. Më pas thajeni vendin dhe hidhni 1 deri në 2 pika nga lëngu i krijuar me pastën e hudhrës dhe qumështin e fikut, mbi kallo.”

Edhe lythat mund të trajtohen në të njëjtën mënyrë, por kujdes: përzierja duhet vendosur vetëm në zonën ku ndodhet kalloja ose lythi. Lëreni gjatë gjithë natës. Në mëngjes hiqni qelizat e vdekura dhe përsëriteni procedurën me hudhrën dhe përzierjen e qumështit të fikut.

Qumështi i gjetheve të fikut ruhet i tretur në alkool; përndryshe prishet dhe humbet vetitë që ndihmojnë në nekrotizimin e kallove.

Çaj për diabetikët me gjethe fiku

Gjethet e fikut përziejini me lulet e shegës. Kjo përzierje ndihmon organizmin dhe kontribuon në shëndetin e lëkurës. Shtoni edhe 15–20 gjethe ulliri dhe tre gota ujë. Ziejini për 15 minuta.

Ky çaj mund të pihet 2 deri në 3 gota në ditë. Sipas përdorimit tradicional, ai ndihmon në ruajtjen e niveleve të glukozës në gjak brenda normave.

Kini parasysh se gjethet më efektive të fikut duhen mbledhur nga 15 qershori deri më 15 shtator. Sipas mjekësisë popullore, ato konsiderohen të dobishme për diabetikët, pasi mund të ndihmojnë në uljen e sheqerit në gjak dhe në ekuilibrimin e kolesterolit.

 

Shënim i redaksisë: Kurat natyrale janë ndihmëse dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor në rastet kur simptomat përkeqësohen. Konsultohuni gjithmonë me mjekun, sidomos personat me sëmundje kronike.