Ren Zhengfei, themelues dhe president i gjigantit kinez të telekomunikacionit "Huawei", paraqiti një plan investimi prej një miliardë euro e gjysmë në pesë vite në Francë, duke parashikuar punësimin e 650 personave, sipas një komunikate të kompnisë.

Ren, që takoi dje kryeministrin Manuel Valls në Paris, i paraqiti planin e tij, që parashikon ngritjen e katër qendrave të kërkimit dhe zhvillimit, si dhe një intensifikim të partneritetit me kompanitë franceze të teknologjive të larta, njoftoi "Huawei" në një komunikatë të punlikuar sot.

Sipas të përditshmes franceze ekonomike "Les Echos", plani i "Huawei"-it, i përpunuar nga AFII-ja (Agjencia Franceze e Investimeve Ndërkombëtare), ndahet në dy faza, njëri ka të bëjë me blerjet e filialit francez (rreth 472 milionë euro), tjetri me ato të vetë grupit (pak më shumë se një miliardë euro).

"Huawei" që përpiqet të rrisë numrin e furnitorëve evropianë, punon tashmë edhe me kompani franceze si "STMicro", ku ndërmarrja kineze furnizohet me përbërës për smartfonët e saj.

Në tremujorin e dytë, "Huawei" gjendej në pozicionin e tretë në rang botëror për shitjen e smartfonëve me një dyfishim të shitjeve brenda një viti, duke arritur në 20,3 milionë njësi, pra 6,9 për qind e tregut botëror dhe duke qëndruar mbrapa Apple-it (11,9 për qind) dhe Smasung-ut (25,2 për qind).

ATSH