Gjiknuri: Hetim kontratës 330
mijë € të Berishës me "Patton"

Gjiknuri: Hetim kontratës 330<br />mijë € të Berishës me
TIRANE -Kontrata 330 mijë euro që ish-qeveria Berisha lidhi me kompaninë amerikane të lobimit Patton Boggs për përfaqësim në konfliktin me kompaninë çeke të energjisë, CEZ-Group, do të ndiqet penalisht nga qeveria aktuale.   

Ministri i Industrisë dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri akuzoi se marrëveshja e lidhur bashkarish nga Enti Rregullator i Energjisë dhe Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës në vitin 2012 me këshilltarin Patton Bogs, ishte për lobim politik dhe jo për zgjidhjen e ngërçit ligjor mes qeverisë Berisha në atë kohë dhe kompanisë çeke.  Ai tha se kjo çështje meriton të hetohet, ndërsa deklaroi se qeveria po përgatit të gjitha dosjet përkatëse përballë përgjegjësisë penale që sipas tij, meriton kjo marrëveshje. 

“330 mijë euro nga ERE me objekt që Patton Boggs të asistojë në hapat që duhen marrë për heqjen e licencës, ndërkohë që licenca ishte hequr; Në zgjedhjen e administratorit, ndërkohë që administatori ishte zgjedhur. Neglizhenca është e qartë, kontrata përfshin përgjegësi ligjore që nesër do të thotë përgjegjësi penale. Meriton të ketë përgjegjësi penale se nuk shoh produkt nga kjo marrëveshje. Këto para janë paguar për lobim politik dhe jo për çështjen që përcaktohej në kontratë. Kam gjetur vetëm një rregullore për caktimin e administratorit, ndërkohë që ai ishte zgjedhur. ERE është përdorur si instrument. Të gjithë shqiptarët i dinë favoret që i janë bërë çekëve",  - u shpreh Gjiknuri gjatë disktutimeve të projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, A.S.”.

Deklarata e ministrit u bë nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, ku i pranishëm për të prezantuar marrëveshjen e arritur mes CEZ-t çek dhe qeverisë shqiptare, ishte dhe ministri i Financave Shkëlqim Cani, ndërsa opozita vijon bojkotimin e paralajmëruar të komisioneve dhe seancave plenare në Kuvend.
 
Miratimi i kësaj marrëveshjeje vjen pas arritjes së zgjidhjes së ngërçit mes qeverisë dhe CEZ, ku pala shqiptare do t’i paguajë kompanisë çeke 95 milionë euro. (bashke me interesin)

​Gjiknuri: 330 mijë euro për Patton Bogs dhe asnjë lekë zyrës avokatore
E përballë kësaj kontrate, ish qeveria Berisha, sipas ministrit Gjiknuri, ka lënë pa paguar zyrën avokatore që mbronte shtetit shqiptar në konfliktin ligjor me CEZ-Group.

Ministri akuzoi gjithashtu qeverinë e kaluar, si fajtore të zvarritjes së këtij procesi. Nëse pala shqiptare do të kishte reaguar e para dhe nuk do të kishte lejuar çekët të bënin padinë, situata energjetike në vend, sipas ministrit Gjiknuri, nuk do të gjendej në nevojë emergjente për ndërhyrje.

“300 mijë euro kontratë me Patton Boggs për të larë lobistet e qeverisë e në fakt nuk pagoi asnjë lekë për zyrën avokatore. Vetë zyra avokatore e përzgedhur nga ish -qeveria e thekson këtë me shkresa madje, nuk janë paguar për punën e tyre paraprake", tha Gjiknuri.

gjiknuri

Gjiknuri: Berisha para zgjedhjeve “Po humba do ia lë litarin jashtë socialistëve”

“Ish qeveria mbrojti me hile duke lënë litarin jashtë. Dhe i hapi vet negociatat me CEZ feshurazi dhe pas konfliktit tha: Po humba do ja lë litarin jashtë socialistëve.
Pala shqiptare duhet të ishte e para që ta çonte këtë çështje në arbitrazh, përkundrazi ne ishim pala e paditur dhe shancet ishin më të pakta. Qeveria e shkuar në vend të vepronte, faktikisht nuk bëri asgjë, as vlerësim teknik dhe as financiar, i dha mundësinë palës ceke të padiste e para Shqipërinë duke i dhënë shumë avantazhe. Kjo kohë e humbur, iku dëm. Sektori i energjisë ka nevojë për ndërhyrje të mëdha është sektori më i shkatërruar”, tha ministri i Energjisë. 

Gjiknuri: Pa marrëveshjen e arritur, investimet në sektorin energjetik nuk do të ishin të mundura
“Kjo marrëveshje është e rëndësishme për fatin e sektorit energjetik shqiptar. Situata që kemi trashëguar me sistemin e shpërndarjes ishte me borxhe mbi 1 miliardë dollarë. Zgjidhja e këtij konflikti sjell siguri në sektorin energjetik, i cili u gjet në gjendje skandaloze nga ana financiare. Kjo situatë ishte e papranueshme dhe mund të conte deri në një kolaps energjetik nëse nuk do të merreshin masa emergjente. Mbajtja hapur e këtij konflikti ligjor fliste për një  procesi do të donte 5-6 vjet për të përfunduar, domethënë që në sektorin energjetik nuk mund të investohej për këtë periudhë dhe mbetej të shpresohej vetëm për fatin e arbitrazhit.
Morëm përsipër vetëm 87.1 milionë euro nga pretendimet që kishte pala ceke. Kishte pretendime shumë të mëdha, por sipas pikëpamjes sonë, ne nuk ia pranuam se situata financiare nuk do të na e lejonte këtë. Ne njohëm faturat dhe që asnjë palë nuk i ka kundërshtuar, përfshirë edhe interesat. Marrëveshja është mundësi për investime, pa zgjidhjen e kësaj marrëveshjeje, këto gjera nuk do të ishin të mundura”, tha Gjiknuri. 

Cani: Pas marrëveshjes me CEZ, reformim i thellë i energjitikës
Nga ana tjetër, ministri i financave, Shkëlqim Cani, tha se pas marrëveshjes së arritur me CEZ është e nevojshme edhe një reformim i thellë dhe i menjëhershëm i sektorit të energjitikës.
 
Duke vijuar më tej, Cani tha se duhet pranuar që gjendja në energjitikës është kritike dhe se reformimi është një nismë e domosdoshme.
 
“CEZ Shqipëria do të sigurojë të ardhurat shtesë. Është e lehtë të thuash këtë por të ardhurat shtesë kërkojnë një përmbysje dhe ristrukturim të thellë e tërësor të gjithë sektorit të energjisë dhe jo vetëm të CEZ. Në një kohë të shkurtër do të duhet që të bëhet reforma në energjitikë sepse duhet të pranojmë që gjendja në këtë sektor është kritike dhe jo vetëm nga pikëpamja buxhetore, prandaj kërkon një strukturim të thellë. E rëndësishme është që u arrit kjo marrëveshje. Tashmë CEZ është në duart e Shqipërisë, nuk do të duhet shumë kohë, por tani që shpëtuam nga reformimi në shumë kohë do të duhet t’i rikthehemi në mënyrë figurative reformimit në pak ditë.” tha Cani

cani
(Në foto: Ministri i Financave Shkëlqim Cani në Komisionin e Ekonomisë)

Komisioni për Ekonominë dhe Financa miratoi:  
Projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, A.S.”

Projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për bypass-in e Vlorës””

Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2011 për projektin “Programi i mbrojtjes mjedisore të liqenit të Shkodrës”

Projektligjin “Për ratifikimin e dokumenteve ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës”

Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si administratore e fondeve grant të siguruara nga qeveri të ndryshme, nën Fondin e Përbashkët Evropian të Ballkanit Perëndimor, dhe BERZH, nën Fondin e Aksionarëve të Veçantë të BERZH, për mbikëqyrjen e projektit të rrugëve dytësore dhe lokale në Shqipëri” 

Redaksia Online
(e.c/Shqitparja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase