“Më 14 Maj çimentojmë marrëdhënien bashki – qeveri për t’i thënë pro zhvillimit të Elbasanit, rritjes së pagave dhe pensioneve”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri gjatë një bashkëbisedimi me banorë të lagjes “5 Maji” në Elbasan.
I shoqëruar dhe nga Kryebashkiaku Gledian Llatja, numri dy i socialistëve deklaroi se zgjedhjet më 14 maj kanë të bëjnë me të ardhmen dhe qeverisjen e qytetit për të vijuar me punët e mira të bëra deri më tani.
“Më 14 Maj njerëzit duhet të kuptojnë kush është qëllimi i vërtetë i votimit. Patjetër që është zgjedhja e kryetarit të bashkisë, por zgjedhja e kryetarit të bashkisë nuk është zgjedhje thjesht e një individi, por është e një filozofie politike dhe ka të bëjë me të ardhmen dhe me qeverisjen e Elbasanit. Projektet në infrastrukturë, ujësjellës- kanalizime, “Auto Moto Parku”, rehabilitimi i lagjes së Kalasë, të gjitha këto projekte nuk do të bëhen të mundura, po s’pati një mbështetje nga qeveria shqiptare, sepse taksat e qytetarëve të Elbasanit nuk mjaftojnë për nevojat që ka ky qytet dhe kjo bashki. Gledi ka mbështetje qeverinë shqiptare. Prandaj binomi Parti Socialiste–bashki; Parti Socialiste – qeveri është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit”, tha ai.
Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se qytetarët e Elbasanit e dinë shumë mirë se kandidati përballë kërkon të bunkerizojë bashkinë për qëllime politike.
“Po ta vini re kundërshtarin, është tipiku i njeriut që ka krizë identiteti politik. Kur del në media, kur i thonë: Ore zotëri, pse se thua se ti përfaqëson koalicionin Berisha – Meta, “martesën” Berisha – Meta? Se është i zgjedhuri i tyre. Jo, - thotë,- unë jam thjesht kandidat i qytetarëve, pavarësisht i majtë apo i djathtë. Por po të jesh kandidat i qytetarëve, ti hyr kandidat i pavarur. Në fletën e votimit aty është “Bashkimi për Fitore” – Ilir Meta alias Luçiano Boçi. Kjo është fleta e votimit Ilir Meta – Luçiano Boçi. Është i zgjedhuri i tyre. Do të ndjekë politikën e tyre. Thjesht do të ndjekë politikën e dyshes Berisha – Meta. Ata e kanë shpalosur kush është qëllimi i tyre politik, të marrim ca bashki të mëdha të bëjmë përmbysjen e madhe. Të përmbysim qeverinë thotë; dhe ishalla po vijnë ata në pushtet, ata dy”, nënvizoi Gjinuri.
Numri dy i socialistëve komentoi dhe deklaratën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili tha në Report TV se qytetarët nuk duhet të shohin të kaluarën por të ardhmen ditën që do u drejtohen kutive të votimit.
“Kush janë ata mjafton t’i referoheni deklaratës të një prej zyrtarëve të lartë të shtetit amerikanë që tha: “Shqiptarët nuk duhet të shohin nga e shkuara, nuk duhet votojnë për Sali Berishën”. E thanë haptazi. Ata janë e shkuara. Tani kur ajo është e shkuar në Tiranë, nuk qenka Luçiano e shkuar këtu në Elbasan? Bëjini pyetje vetes, çfarë përfaqëson? Çfarë ka bërë ai kur ishte kryetar i Partisë Demokratike? Po të shikoni nuk kanë asnjë angazhim publik, asnjë program publik. Del takon tek e tek njerëz që t’iu mbushë mendjen pse duhet votuar për të. Pra çfarë bëjnë tani, kapin njerëz, ty do të bëj drejtor u thonë. Këtë praktikë kanë. Pra praktikisht kanë premtime boshe”, theksoi Gjiknuri.
Ai nënvizoi se opozita është duke përgatitur alibinë për humbjen e radhës në zgjedhje. Gjiknuri shtoi se opozita nuk ofron asnjë program apo garanci për zhvillimin e Elbasanit.
“Tani po kalojnë te cikli tjetër, akuza: -Do na i vjedhin, po na blejnë zgjedhjet”. Doli ai i deleguari që ka në Elbasan, Flamur Noka, nuk e di çfarë lidhje ka ai me Elbasanin, tha: Po përgatitet vjedhja. Ku nuk do gjejnë terren do të thonë do na vjedhin, njëherë me banda njëherë do na blejnë votat. Bandat s’po i përmendin më. Tani kanë kaluar tek votat, po na blejnë votat. Ky është cikli i opozitës shqiptare. Prandaj them që vota për ta është votë boshe, nuk kanë asnjë vlerë politike, nuk kanë asnjë projekt për Elbasanin, s’kanë asnjë garanci zhvillimi, kanë vetëm fjalë të bukura, prozë apo poezi. Të bëhesh politikan dhe lidership nuk do vetëm të flasësh bukur, do karakter, do shtyllë kurrizore, do të tregosh aftësi që di të punosh me ekip dhe të drejtosh”, tha Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se vota më 14 maj është dhe mbështetje për politikat sociale të marra nga qeveria “Rama”.
“Më 14 Maj ne duhet ti themi pro edhe politikave të Qeverisë “Rama”. Ne kemi filluar politikën e rritjes së pagave edhe pagës minimale. Ne do ta çojmë pagën mesatare vitin tjetër në 900 Euro. Pse them se rritja e pagave do të bëjë që të rriten shanset për të rinjtë dhe të rejat që punojnë në vendin tonë? Ky është një investim për të ardhmen. Prandaj më 14 Maj ne i japim mbështetje edhe kësaj politike. Nga ana tjetër rritja e pagës dhe pensioneve do të rrisë dhe fondin e sigurimeve shoqërore dhe fondin e pensioneve, do të çojë në rritjen e pensioneve. Shqipërisë i është kthyer dinjiteti dhe Elbasani, unë e kam bindje, ka të ardhme. Të gjitha këto do të bëhen të mundura me vazhdimësinë e rrugës që kemi nisur, bashki e Partisë Socialiste dhe qeveri e Partisë Socialiste”, deklaroi Gjiknuri.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi, njëherësh dhe deputete e Elbasanit u shpreh se vota për Gledi Llatjen është garanci për vijimin e investimeve.
“Kanë mbetur pak ditë dhe më 14 maj të gjithë do të shkojmë drejt kutive të votimit për të votuar për Gledin dhe PS, por vota për Gledin është votë për gjithsecilin prej nesh, nuk është votë vetëm për Gledin. Vota për Gledin është votë për zhvillimin e Elbasanin, është votë për vazhdimin e punëve, për të ecur përpara, është votë për rikonstruksionin e rrugëve, ashtu siç është shtruar ky shesh të shtrohen të gjitha sheshet që kanë mbetur edhe në periferi dhe në zonat rurale dhe njësitë administrative. Vota për Gledin është edhe votë për arsimin, sepse Gledi është mbështetja më e madhe për mua si ministre e Arsimit, por edhe për ju qytetarët, për të gjithë prindërit, për të gjithë mësuesit. Sepse Gledi i ka dhënë një mbështetje shumë të madhe arsimit këto 4 vjet”, tha Kushi.
Kryetari I Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja nënvizoi se në këto 4 vite janë bërë punë që nuk ishin bërë në 30 vite.
“Ne kemi bërë punë këtë mandat. E nisëm me rrugët kryesore, e sistemuam të gjithë Elbasanin, lagjet kryesore dhe në periferi. Ne nuk po lëmë sektor pa investuar, nuk po lëmë fshat pa ndërhyrë, nuk po lëmë njësi administrative pas dore. Pavarësisht se kemi pasur shumë sfida të përbashkëta, si tërmeti, si pandemi, ne kemi qenë bashkë. Kemi qenë bashkë në investime, për të përmirësuar cilësinë e jetesës të gjithë banorëve tanë. Nuk i kemi bërë dot të gjitha ato që duheshin bërë për 30 vite ama në këto 4 vite kemi bërë një sërë punësh. Kemi shtruar mbi 100 mijë m2 asfalt në vit, kemi shtuar mbi 10 mijë m2 lulishte, kemi mbjellë mbi 100 mijë pemë në Elbasan. Kemi shtuar sipërfaqet tona në shkolla me mbi 7000 m2 për të gjitha klasat që ishin me 2 turne. Ne po ndërhyjmë gjithandej, po bëjmë palestrat e shkollave, po bëjmë terrenet sportive, po mbështesim të rinjtë për sportet, po mbështesim rininë me qendrën rinore”, tha ai.
Mes të tjerash, ai shtoi se po ndërtohet një zhvillim i qëndrueshëm dhe se po investohet tek projektet strategjike siç është bypasssi i Elbasanit.
“PD është hera e dytë që nuk futet në zgjedhje, dhe duan të marrin pushtetin, të marrin bashkinë, të sjellin Sali Berishën prap në pushtet. Jo mor jo, ne po krijojmë atë perspektivën për Elbasanin, po krijomë atë qëndrushmëri ekonomike Elbasanit, dhe prandaj bashkë me qeverinë shqiptare, bashkë me Damianin, Evisin, me kryeministrin Rama po investojmë në projektet tona strategjike, siç është bypassi I Elbasanin që na jep një strategji ekonomike në të gjithë fushën e Elbasanit, zgjerimi I Korridorit 8, shëtitorja buzë lumit Shkumbin që më në fund do të kemi një shëtitore fanstastike buzë lumit, në ajër të pastër. Dhe Automoto Paku I Elnasanit që është një nga polet zhvillimore të Elbasanit. Kemi për të pasur një zhvillim të qëndrueshmë në Elbasan me përfundimin e këtyre investimeve që kemi nisur”, theksoi Llatja.
Lajmi kryesor: