TIRANE - Prokurori i cili hetoi kreun aktual të opozitës Lulëzim Basha për rrugën Durrës-Kukës do të hetojë dhe kallëzimin penal ndaj ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri. Ky fakt konfirmohet për Shqiptarja.com nga burime pranë akuzës, të cilat sqaruan se prej tre ditësh ky kallëzim është regjistruar dhe aktualisht po kryhen verifikime nëse ka apo jo elementë të veprës penale.

...
Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimet për kallëzimin penal të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ndaj ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri.

Kallëzimi penal i bërë publik një ditë më parë nga KLSH është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme prej ditës së hënës të kësaj jave.

Aktualisht ky kallëzim është regjistruar pranë prokurorisë dhe Kryeprokurori Adriatik Llalla ja ka kaluar dosjen vartësve të tij.

Pas verifikimeve paraprake akuza do të vlerësojë nëse ka apo jo elementë të veprës penale që mund të bëjnë me përgjegjësi Gjiknurin.

Cili është prokurori që po heton kallëzimin e KLSH ndaj Gjiknurit?
Llalla ka vendosur të caktojë në krye të këtij hetimi Arben Krajën. Ky fakt konfirmohet për Shqiptarja.com nga një burim pranë akuzës, i cili preferoi të flasë në kushte anonimati.

I njëjti burim sqaroi se Kraja është caktuar në fazën paraprake të verifikimit që po i bëhet kallëzimit dhe nëse do të jetë e nevojshme për shkak të volumit të dosjes do të caktohet dhe një tjetër prokuror.

Arben Kraja është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në vitin 2009 ai ka dërguar në gjyq si të pandehur kreun aktual të opozitës Lulzim Basha, asokohe i akuzuar për shpërdorim detyre e dëm ekonomik në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

Po ashtu Kraja ka përfaqësuar akuzën dhe në procesin e zhvilluar në Gjykatën e Lartë me palë kryeministrin Edi Rama dhe të paditurin për shpifje Edi Paloka.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)