3 të ftuar që flasin mrekullueshëm për botën shqiptare mes së shkuarës dhe së tashmes, mes realitetit dhe së vërtetës së tyre! Ata janë:
Motra apo murgesha saleziane Teuta Buka, vajza që stërvitej në Kishën e Madhe të Shkodrës të kthyer në Pallat Sporti e që më pas u bë murgeshë po atje!
Rubrika Amarcord, braktisja e Burgut të Vaqarrit, flet ish operatori i sigurise së këtij burgu, Sazan Hasanago.
Ylli Polovina, dyshimet për të huajt që vinin në Kombinatin Tekstil të Beratit! Ditar nga e kaluara, 12 Dhjetori, datë me rëndësi në Historinë Shqiptare!
U betova Murgeshë atje ku bëja gjimnastikë! Historia e motrës saleziane Teuta Buka
Në qytetin e Shkodrës, aty ku rrënojat e historisë dhe besimit ndërthuren, Teuta Buka mbetet një figurë e rrallë që mishëron kthesën e jetës si rrugëtim shpirtëror. Vajzë e re, sportive, me trupin dhe zemrën që i rrihnin fort nën çatinë e ish Kishës së Madhe të Shkodrës, të kthyer në Pallat Sporti gjatë regjimit komunist, Teuta stërvitej për të fituar gara. Por fati i saj nuk ishte vetëm ai i një sportisteje. Ajo thotë:
-Unë jam Teuta Buka. Dikur, në Kishën e Madhe të Shkodrës, që atëherë ishte kthyer në Pallat Sporti, vrapoja me atlete dhe stërvitesha me pasion. Nuk e dija se ajo hapësirë ku mësoja të sfidoja trupin tim, do të bëhej një ditë vendi ku do t’i dorëzohesha shpirtërisht Zotit. U rrita mes zhurmës së topave dhe frymëmarrjes së shpejtë të garës së një Ish Kishe të Madhe të kthyer në Pallat Sporti. Por kur koha ndryshoi dhe Kisha u hap sërish, e ndjeva që thirrja ime nuk ishte më për fitoren në pistë, por për një tjetër rrugë më të heshtur, më të thellë. Sot jam motër saleziane dhe ende jam në të njëjtin vend jo më si sportiste. Jam aty për t’u lutur, për të dëgjuar, për të shërbyer. Kisha që dikur më mësonte qëndrimin, sot më mëson përulësinë. Zoti më gjeti aty ku nuk e prisja mes zhurmës, më thirri drejt heshtjes. Kur koha ndërron faqen dhe diktatura bie, vendi ku dikur dëgjohej zëri i bilbilit sportiv, rikthehet sërish në vend lutjeje.
Dhe pikërisht aty, ku dikur vraponte me uniformën e sportit, Teuta vesh petkun e murgeshës. Ajo kthehet në Kishën e Madhe këtë herë jo për të sfiduar kohën në garë, por për të përjetuar heshtjen e thellë të besimit.
Burgu i Vaqarrit, çfarë nuk dini! Flet Operatori i Sigurisë Sazan Ago, Amarcord
Mes braktisjes dhe historisë njerëzore me jo edhe aq liri, Sazan Hasanago tregon të vërtetat e burgut tashmë të mbyllur.
Eljan Tanini: -Çfarë e bën ndryshe burgun e Vaqarrit nga të tjerët? Cila ishte dita më e vështirë në këtë burg?
Sazan Hasanago: -Vaqarri ishte një institucion i fortë. Këtu vinte gjithçka e papërpunuar, njerëzit ishin në fazën më të trazuar të tyre. Dita kur një i burgosur humb shpresën. Atë ditë nuk e shpëton më as rregulli, as ligji. Nuk ishim vetëm roje. Shpesh ishim dëshmitarë të dramave njerëzore, që nuk harrohen lehtë. Nuk ishte një vend “i mbyllur”. Ishte pasqyrë e shoqërisë jashtë. Thjesht më e zhveshur nga fasadat. Ndjeshmërinë e mban të kontrolluar, ndryshe… Nëse zemra ta merr dorën, nuk e mbajnë më këmbët. Kam parë plagosje të gabuar me snajperbrenda burgut, arratisje nga burgu për 18 sekonda.
Në pjesën e tretë të Esencë Arkivë, i ftuar ishte Ylli Polovina, shkrimtar dhe ish diplomat. Polovina u ndal në disa fakte të jetuara për ndjekjen e të huajve në Kombinatin Tekstil të Beratit. Tanini e pyeti edhe në lidhje me paranojën tipike shqiptare të bazuar në librin e tij Komunizmi siç e pashë:
Eljan Tanini: -Përmendët ndjekjen dhe kontrollin e të huajve në Kombinatin Tekstil të Beratit. Mund të na tregoni më gjerësisht çfarë ndodhte realisht në atë kohë?
Ylli Polovina: -Po, sigurisht. Ishte një periudhë kur Shqipëria komuniste kishte një paranojë të theksuar ndaj gjithçkaje që vinte nga jashtë. Në Kombinatin Tekstil të Beratit, ku herë pas here vinin specialistë apo teknikë të huaj, sidomos nga vendet e Lindjes si Kina apo Koreja e Veriut, por edhe ndonjë italian me marrëveshje teknike, praninë e tyre nuk e shihnin si ndihmë, por si rrezik të mundshëm ideologjik. Kishte raste kur personeli shqiptar porositej që të mos fliste shumë me ta, të mos i afronte në kafe, madje edhe përkthyesit ishin nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga Sigurimi i Shtetit. Çdo lëvizje, çdo kontakt, çdo buzëqeshje e tepërt me një të huaj konsiderohej potencialisht “cenim i vijës së partisë”. Dhe kjo nuk ishte atmosferë frike, ishte një strukturë survejimi e ndërtuar mbi mosbesimin total. Në një rast që më ka mbetur në mendje, një teknik çek që po ndihmonte për një linjë prodhimi, nuk po kuptonte pse punonjësit shqiptarë nuk i flisnin kurrë jashtë orarit të punës. Ai nuk dinte se ata nuk kishin frikë nga ai, por nga shteti i tyre. Ishte një mjedis ku i huaji ishte një dritare nga ku mund të shihje botën, por njëkohësisht një pasqyrë që e bënte partinë të ndjente ftohtë.
Esencë, çdo të premte, ora 21:00 në Report Tv.
Komente










