Gjimnazistët, 45% e tyre
përdorin drogë në pub-e

Gjimnazistët, 45% e tyre<br />përdorin drogë në pub-e
Një pjesë e madhe e gjimnazistëve që frekuentojnë klubet e natës, përdoren edhe lëndë narkotike. Më të shumtë janë meshkujt që e bëjnë këtë gjë, rreth 45 për qind e tyre dhe 16.7 përqind e vajzave. Këto janë rezultet e studimit "Zhurma në mjediset ku luhet muzikë e lartë dhe impakti i saj te gjimnazistët" të bërë nga MD.Arta AGO (Departamenti "Shëndeti dhe Mjedisi"- ISHP); Prof.DR. Ylli SAROLLI (Departamenti i Shëndetit Publik - Fakulteti i Mjekësisë) dhe As.Prof. Arben LUZATI (Departamenti "Shëndeti dhe Mjedisi"- ISHP). Specialistë kanë matur se si ndikon në nivelin e dëgjimit, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj zhurmave, por kanë zbuluar se në total, rreth 29 për qind e gjimnazistëve, raportojnë të përdorin edhe substanca narkotike. Sipas specialisteve një gjë e tillë, mund ta rëndojë më keq situatën e dëgjimit.

Studimi
Prevalenca e tinitusit tek të rinjtë duket se po rritet këto 15 vjetët e fundit, si pasojë e ekspozimit në zhurma të larta ose në ambientet ku luhet muzikë e lartë (1). Disa studime kanë nxjerrë në pah efektet negative të ekspozimit në muzikë të lartë në, diskoteka, pub-e, koncerte, mjedise ku të rinjtë shpenzojnë një periudhë të konsiderueshme të kohës së tyre. Një nga këto efekte është dhe Tinitusi Pas-Ekspozimit (PET). Incidenca PET është e njohur, por nuk ka ngjallur interes të madh në diskutimet e dëmtimeve të zhurmës. Rigjenerimi është spontan dhe nuk ka ndonjë të dhënë që provon lidhjen midis PET dhe dëmtimit auditiv të vazhdueshëm, megjithëse në një studim të punëtorëve të ekspozuar në zhurmëu raportuan të dhëna për tinitus, të cilat mund të përdoreshin në identifikimin e punëtorëve me rrezik për humbje të dëgjimit.

Rëndësia e PET është e dyfishtë, nga njëra anë është paralajmëruese e tinitusit kronik dhe nga ana tjetër një sinjal i mundshëm i dëmtimeve auditive, i cili mund të rezultojë në humbje të dëgjimit. Ndonëse ka shumë polemika dhe debate nëse humbja e dëgjimit mund të shkaktohet pas ekspozimit në zhurmë në klubet e natës, ka të dhëna që sugjerojnë se dukuria e tinitusit pas një qëndrimi të përkohshëm në zhurmë, mund të jetë një shenjë e hershme e dëmtimeve të qelizave flokore të jashtme të kokleas. Tinitusi nuk është sëmundje, por është një perceptim i tingullit në kokë ose në vesh. Ai përshkruhet si tingëllimë, ulërimë, fëshfërimë, gumëzhimë dhe si një fishkëllimë nga një lartësi e madhe. Tinitusi mund të ndodhë në një vesh ose në të dy veshët. Ai është një gjasë e cila mund të shkaktojë edhe humbje të dëgjimit. Tinitusi mund të shkaktohet nga disa faktorë si goditjet në kokë, ekspozimi ndaj zhurmave të larta, marrja e dozave të substancave narkotike etj. Edhe në vendin tonë është vërejtur se të rinjtë frekuentojnë mjaft klubet e natës, diskot, pub, etj, por nuk ka ndonjë të dhënë mbi incidencen e Tinitusit. Nga matjet analitike që janë bërë në këto ambiente rezulton që niveli i zhurmave kalon 100 dB.

QËLLIMI DHE OBJEKTIVAT
Studimi ka për qëllim prevalencën e tinitusit tek gjimnazistët, frekuentues të mjediseve ku luhet muzikë e lartë, nëpërmjet disa objektivave si më poshtë: Përcaktimi i përqindjes së pjesëmarrësve në klubet e natës/disco/pub. Përcaktimi i përqindjes së shpeshtësisë së frekuentimit në këto ambiente. Përcaktimi i pranisë së Tinitusit tek gjimnazistët. Lidhjet midis pjesëmarrjes së tyre në klubet e natës,disco,pub-e dhe PET.

METODOLOGJIA
Në këtë studim morrën pjesë grup-mosha 16- 18 vjeç (gjimnazistë). Studimi ishte i tipit transversal i cili u skicua mbi bazën e një pyetësori anonim dhe u plotesua nga vetë personi. Pyetësori përcakton klubet e natës, ato në të cilat luhet muzikë e lartë dhe ku bashkëbisedimi është i vështirë ose i pamundur. Prevalenca e tinitusit është shkallëzuar në pesë kategori, dhe kohëzgjatja e tij në gjashtë shkallë. Hedhja e gjithë të dhënave dhe përpunimi statistikor u realizua në programet kompjuterike "SPSS-16".

REZULTATET

Në studim morrën pjesë 193 gjimnazistë të qytetit të Tiranës, nga të cilet 113 femra (F) dhe 80 meshkuj (M). Studimi tregoi se, 91.8 % e gjimnazistëve janë frekuentues të klubeve të natës (KN) dhe 87% e tyre rezultoi me PET. 28.8% e tyre përdorin substanca narkotike në klubet e natës. Frekuentuesit më të shumtë të KN janë meshkujt me 93.8% të tyre, ndërsa femrat 90.3%. Ajo çka vlen të theksohet është se përqindja e pjesëmarrjes së gjimnazistëve në KN është shumë e lartë, çka bëhet shkak dhe për praninë e tinitusit tek ata. Nga grafikët vërejmë se 25% e meshkujve frekuentojnë më shumë se 4 herë në muaj KN kundrejt 4.4% e frekuentueseve femra. Gjithashtu 27.5% e meshkujve janë frekuentues të KN 2-4 herë në muaj kundrejt 17.7 % e frekuentueseve femra. Pra 80.5% e femrave, frekuentuese të KN, deklarojnë PET, ndërsa për meshkujt, frekuentues të KN, prania e PET është në 78.8% të tyre. Ky grafik tregon një korrelacion midis shpeshtësisë së frekuentimit të KN dhe PET tek gjimnazistët. Sa më shpesh frekuentimi aq më "shpesh" dhe "zakonisht" është i pranishëm PET. Shihet qartë që ka edhe një korrelacion midis shpeshtësisë së përdorimit të substancave narkotike dhe pranisë së PET.

DISKUTIME
Pjesëmarrja e gjimnazistëve në klubet e natës ishte shumë e lartë, 91.8% e tyre. Përqindjen më të lartë të frekuentimit e kishin meshkujt me 93.8% kundrejt femrave me 90.3%. Përqindja e gjimnazistëve, frekuentues të KN, me PET ishte 87%, më e lartë se përqindjet e raportuara prej 75%. E ndarë në frekuentues meshkuj me PET kemi 78.8%, ndërsa në frekuentues femra me PET kemi 80.5%. Në grafikët u gjet një korrelacion midis shpeshtësisë së frekuentimit të KN dhe pranisë së PET tek gjimnazistët. Sa më i shpeshtë ishte frekuentimi i KN aq më tepër ishte i pranishëm PET. 45.3% e meshkujve frekuentues të KN janë përdorues të substancave narkotike dhe 16.7% janë femra. Në total kemi 28.8% gjimnazist përdorues të substancave narkotike. Pra meshkujt janë më të prirur për të marrë substanca narkotike se femrat. Në frekuentuesit e KN, 94.1% e përdoruesve të substancave narkotike deklaronin PET krahasuar me 84.1% të mospërdoruesve të substancave narkotike.

PËRFUNDIME
Ky studim tregon se pjesëmarrja e gjimnazistëve në klubet e nates është e lartë dhe se shpeshtësia e frekuentimit është një faktor i rëndësishëm në rikuperimin PET. Marrja e drogës në klubet e natës mund të përkeqësojë efektet e ekspozimit ndaj zhurmës deri në Tinitus.


Shkrimi u publikua sot në Suplementin Shëndeti, në gazetën Shqiptarja.com, 31 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi