Berat Gjimshiti fiton derbin me Elseid Hysajn ndërsa Atalanta bën një goditje që mban aromë Championsi. Bergamaskët fituan me përmbysje 2-1 ndaj Napolit të vendit të dytë dhe kapin Milanin në kuotën e 56 pikëve në vend të pestë. Në ndeshjen e fundit të javës së 33-të Napoli e mbylli pjesën e parë në avantazh me golin e Mertens ndërsa Atalanta përmbysi gjithçka në fraksionin e dytë.
Autorët e golave ishin Duvan Zapata dhe kroati Pasalic në një sezon që po kthehet si ëndërr për Atalantën. Gara për Championsin në Serinë A është më e hapur dhe më e bukur se kurrë.
Që nga Interi i vendit të tretë me 61 pikë e deri tek Lazio e vendit të 8-të me 52 pikë janë plot 6 skuadra në garë për dy vende në Championsin e ardhshëm.
“Luftë” për një vend në Champions ka edhe në Premier League. Në ndeshjen e javës së 35-të Chelsea i Sarrit nuk shkoi dot më shumë se një barazim 2-2 me Burnley dhe humbi mundësinë të merrte vendin e tretë.
Në “Stamford Bridge” çdo gjë ndodhi në pjesën e parë me Burnley që mori avantazhin me Hendrick por më pas londinezët përmbysën gjithçka me golat e Kante dhe Higuain. Barnes barazoi dhe ky do ishte rezultati final i takimi. Chelsea mban vendin e katërt me 67 pikë por edhe Tottenham, Arsenal e Manchester United janë në garë të plotë. /Përgatiti Andi Kapxhiu/