Gjinushi i vetëm në 21 Qershor
PS regjistron 39 aleatë, PD-ja 15

Gjinushi i vetëm në 21 Qershor<br />PS regjistron 39 aleatë, PD-ja 15
TIRANE - Partia Socialiste së bashku me 38 parti të tjera do të vazhdojnë aleancën për Shqipërinë Europiane për zgjedhjet e 21 qershorit. Me aleatë të rinj të afruar në PS falë marrëveshjeve të nënshkruara nga kryeministri Rama, mazhoranca hyn me një numër prej 39 forcash politike me të njëjtin slogan me të cilin erdhi në pushtet “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Ka qenë përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj ai që dorëzuar listën e partive të koalicionit të majtë dje në KQZ.

Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” përbëhet nga 39 parti politike. Kjo marrëveshje mund të konsiderohet marrëveshja e qytetarit, për qytetarin”, deklaroi Gjonçaj. Në listën e partive të koalicionit të majtë, bëjnë pjesë edhe partitë e reja që i janë bashkuar mazhorancës, pas marrëveshjeve të nënshkruara me kryeministrin Rama. Kështu në listën e koalicionit bën pjesë Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, Partia Demokristiane e Nard Ndokës, Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi dhe Partia e Maqedonasve e drejtuar nga kryebashkiaku i Pustecit, Edmond Themelko.

Megjithë afrimet e reja, kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama nuk arriti të ruante aleancën me disa prej partive të koalicionit që e solli në pushtet në zgjedhjet e 23 qershorit. Ashtu siç e lajmëroi dy ditë më parë edhe vetë nënkryetari i Parlamentit,Vangjel Dule, Partia për Bashkim dhe të Drejtat e Njeriut nuk është pjesë e koalicionit të majtë. Për Dulen e PBDNJ, kryeministri Rama kishte lënë edhe bashkitë e Finiqit dhe Dropullit pa kandidatë, duke pritur propozime nga nëkryetari i Kuvendit.

Ndërkaq që për PDIU-në e Shpëtim Idrizit, kryeministri Rama la të lirë Konispolin, Rrogozhinën dhe Peqinin, kandidatët e së cilës do të mbështetetn nga të gjitha partitë e koalicionit. Gjithashtu në këto negociata PS ka humbur edhe aleatin historik Skënder Gjinushin. Kreu i Partisë Socialdemokrate duke qenë i pakënaqur për respektimin e marrëveshjes për zgjedhjet e 23 qershorit nga PS, ka zgjedhur që të mos hyjë në koalicion me ta por të dal i vetëm në zgjedhje.

Edhe Partia Kristiandemokrate e deputetit Mark Frroku nuk ka qenë pjesë e koalicionit të majtë të drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Problemet me drejtësinë të cilat vijojnë ta mbajnë në burg deputetin Mark Frroku dhe akuzat e opozitës ndaj tij, kanë bërë që kreu i PS-së Edi Rama të mos e bej pjesë të koalicionit të majtë partinë e Frrokut, pavarësisht se në shkurt 2015 ishte nënshkruar një marrëveshje për koalicion.

Rama: Do finalizojmë projektet, por s’kemi shkop magjik  
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjej dje skeptikëve, majde edhe atyre brenda forcës së tij politike. Rama u shpreh i bindur se do të realizojë të gjitha premtimet e tij të rilindjes, por për këtë siç theksoi edhe vetë ai duhet durim. "Do t’ia dalim që rilindjen e dëshiruar, për të cilën jemi zotuar ta kthejmë në një realitet të kudondodhur në jetën e përditshme.

Skemi thënë kurrë që kemi shkopin magjik për ta kthyer Shqipërinë në parajsë, por kemi thënë që jemi të angazhuar dhe do t’ia dalim që ta kthejmë Shqipërinë në vendin ku gjithë secili të jetojë me dinjitet”, deklaroi kryeministri Rama. Pak ditë më parë, deputeti i PS-së Ben Blushi, ngriti pretendimet e tij në drejtim të kryeministrit Rama dhe mënyrës se si po qeveriset vendi, duke theksuar se rilindja më shumë sesa diçka e prekshme rezultoi të ishte një ambalazh i cili zhgënjeu të gjithë qytetarët.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

50 medikamente të reja për sëmundjet onkologjike, Koçiu: Shtim të numrit të fishave të diabetit falas

50 medikamente të reja për sëmundjet onkologjike, Koçiu: Shtim të numrit të fishave të diabetit falas