Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Gjirokastër tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm në këtë veprimtari.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, eksperti ndërkombëtar i EURALIUS, Rainer Deville, duke iu referuar disa publikimeve dhe diskutimeve të fundit të media lidhur me shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u shpreh qartësisht lidhur me statusin e duhur dhe të merituar për gjyqtarët dhe prokurorët.

Ai vuri në dukje se “Euralius është një projekt teknik- ligjor” dhe sa i takon sistemit për të vlerësuar gjyqtarët që janë në detyrë, “ky proces është një prej sfidave më të vështira që ne kemi”.

“Nëse ne diskutojmë paga më të larta kjo do të ishte e përshtatshme për t’u vendosur në një faqe të parë gazete. Por ju e kuptoni se këto paga më të larta duhet të financohen, duhen burime financiare, por për këtë na duhen ligje më të mira për sa i takon tarifave gjyqësore dhe ndihmës juridike, si dhe të gjitha aktet e tjera të rëndësishme për të rritur këto paga. Pra është shumë më e komplikuar se sa mund të pasqyrohet në një fjali”, tha Deville.

Redaksia Online
(f.s/shqiptaraj.com)