Gjirokastër- Një konflikt i vazhdueshëm mes dy personave për pronën ka sjellë agravimin e situatës deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Ngjarja është regjistruar sot rreth orës 09:40 në fshatin Mashkullorë ku 93-vjeçari me inicialet A. Ç plagosi me kallashnikov në këmbë 61-vjeçarin me inicialet P. Ç.

61-vjeçari ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i moshuari është shoqëruar në Komisariat.

Arma e zjarrit u sekuestrua si provë materiale.

“Rreth orës 09:40, në fshatin Mashkullorë, dyshohet se për shkak të konflikteve të vazhdueshme për motive pronësie, shtetasi A. Ç., 93 vjeç, dyshohet se ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin P. Ç., 61 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shtetasi A. Ç., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu është gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit kallashnikov”, njoftoi sot policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.