Gjirokastër- Përvetësoi 42000 euro nëpërmjet mashtrimit, ndalohet 27-vjeçari. Katër muaj hetime me metoda proaktive, kanë çuar agjentët e policisë në zbardhjen e një rasti të dyshuar.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare Gjirokastër bëri sot (9 Nëntor) me dije se në bashkëpunim me Sektorin Operacional finalizoi operacionin e koduar “Porosia”.
Në pranga ka rënë i dyshuari A. K., 27 vjeç, banues në fshatin Picar, për veprat penale "mashtrimi" me pasoja të rënda, dhe "prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive".
“Ky shtetas dyshohet se nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar një shumë prej 42000 euro, nga një shtetase. Ditën e djeshme, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, gjetën të fshehur dhe sekuestruan një armë sportive pistoletë, të cilën e mbante pa lejen përkatëse”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia nuk dha detaje rreth rastit, por hetimet i kaluan prokurorisë vendore për veprime të mëtejshme.