ROME - “Mund të blejmë elektrosharra për të prerë gjalpin”. As që bëhet fjalë: kundër konsumizmit Forlani apo Schifani nuk do të thonin kurrë fjalë të tilla. Të vazhdosh të flasësh për Beppe Grillo-n sikur të ishte vetëm një komik që pati fatin të ndodhej në vendin e duhur, në kohën e duhur, nuk është vetëm çmenduri. Eshtë një gabim i rëndë, në politikë.

Të jemi të qartë, seicili mund të mendojë më të keqen e mundur për liderin gjenovez. As nuk diskutohet. Por, të përshkruhet akoma në këto orë si një demagog i rastësishëm i rënë nga qielli si meteorit, do të thotë të mos dish asgjë për historinë e tij. Asgjë. Në vitin e largët 1977, kur Ciriaco De Mita ishte ministër i Jugut, Pier Ferdinando Casini ishte këshilltar komune në Bolonjë dhe Giovanni Leone po bënte kavalier Kavalierin, ai jepte intervista si kjo në “Videobox”: “Satira ime është një lloj satire sociale mbi gjëra dhe fakte që përfshijnë të gjithë, parë në këndvështrim pak surrealist. Për të bërë cabaret duhet shumë dëshpërim, përndryshe nuk qesh njeri”. Atë natë fund nëntori 1986, kur u inatos shumë me të PSI, të gjithë kujtojnë vetëm batutën finale mbi udhëtimin e Bettino Craxi-t në Kinë, batutë që i shkaktoi infarkt Pippo Baudos: “Po aty janë të gjithë socialistë, kë do të vjedhin?” Gabim. Ajo batutë u tha në fund të një mitingu mbi gjëra shumë serioze. Ku tregoi aftësinë e jashtëzakonshme për të bërë humor duke folur për tema që askush nuk do të guxonte të prekte.

Sulmi për nuklearin: “Thonë se nuk ekziston më problemi i Chernobilit. Ndërkohë drerët vazhdojnë të jenë fosforeshentë. I përdorin si abat-jour. Në Caorso, një central në provincën e Piacencës, ndodhi dy ditë më parë incidenti i nëntëdhjetë e shtatë. Po përpiqen të arrijnë në 100 incidente dhe pastaj do t’u japin një çmim: Lo Zichichi D’argento (batutë e analogji me Lo Zecchino D’Oro, cmimi prestigjoz i këngës për fëmijë. Sh.com) Shaka është kjo? Nëntëdhjetë e shtatë incidente. Ne imagjinojmë centralet bërthamore si te “Sindroma kineze”. Filma amerikanë. Teknikë. Kompjuteri që prishet… Po realiteti cili është?”

Merr një libër nga salla dhe tregon se ishte botuar nga lëvizja kundërbërthamore e Reggio Emilias (Janë të dhëna të vërteta!) dhe tha: Dëgjoni se çfarë ndodh në centralet bërthamore. Vjeshtë ’78: një pjesë e çatisë në sallën e makinerive fluturon gjatë kohës së keqe, centrali bllokohet… Dhe kështu me radhë nga problemi në problem, një listë e gjatë e gjatë që do të kishte mërzitur cilindo spektator në botë nësë nuk do të mbahej me humorin e tij.

Pas kësaj nisi të flasë për politikë. Me tone të ngjashme me këto që përdor sot dhe një referim ndaj të ashtuquajturit “pakti i stafetës” në bazë të të cilit Craxi pas disa muajsh duhet të kalonte udhëheqjen e qeverisë te De Mita: “Kemi kryeministrin e vetëm në botë që skadon, si një mocarelë… Prapa e ka të shkruar: Të konsumohet brenda…”. Askush nuk mund ta dinte. Por atë natë Grillo niste një udhëtim që dy dhjetëvjeçarë më vonë do të mbërrinte te V-Day dhe më pas në triumfin e të hënës. Pippo Baudo në librin e Andrea Scanzi-t “Ve lo do io Beppe Grillo” (Jua jap unë Beppe Grillo-n): “Craxi u tërbua. Në kuptimin e vërtetë të fjalës. Më thirrën në Via del Corso dhe aty – si të thuash – më dhanë një dajak. Craxi më kërkoi që të distancohesha dhe Grillo u dëbua nga RAI. Besoj se ishte tamam në atë periudhë, të themi menjëherë në javët në vazhdim, që Beppe nisi të shijojë lezetin e largimit.” “Në çfarë kuptimi?”. “U bë një i përjashtuar për profesion. Shikoni, unë e kam marrë gjithnjë në telefon: I kam ofruar gjithçka, nga San Remo te Domenica In. Asgjë. Refuzon. Thotë që tashmë bën të tjera gjëra. Dhe është e vërtetë. Ka katë blogun e vet dhe pastaj mbush teatro dhe sheshe”.

Më 25 nëntor 1993, i prezantuar gjatë edicionit të lajmeve nga një Angela Buttiglione pak djegëse (Mbani përgjegjësinë vetë për atë që thoni) futet në prime time te Rai Uno me Beppe Grillo Show. Ndiqet nga 10 milionë e gjysëm italianë: “Kam pesë vjet gjëra për t’ju thënë, jo, dhjetë vjet. Pesë vite kaluar pa ardhur në TV dhe pesë vite të tjera, se do më largojnë shpejt përsëri”. Sulmon Berluskonin që ftoi Finin të votonte kundër Rutellit për zgjedhjet lokale në Romë: “Duhet të ketë bërë shumë lipozucion. I kanë thithur dhe një pjesë të trurit. Pastaj çfarë kavalieri është? Me gjithë ato borxhe mund ta quajmë një kavalier të Apokalipsit. Po si ja bën që ka gjithë ato borxhe! Unë i kisha njërit 300 mijë lireta dhe ai flinte përnatë para derës time!”. Sulmon Andreottin: “Vetëm kur do të vdesë dhe do t’i heqin kutinë e zezë nga gunga në kurriz do të marrim vesh me të vërtetë se çfarë ka ndodhur”. Sulmon politikanët, por edhe shoqërinë civile: “Ne i kemi votuar për 20 vjet dhe nëse ata meritojnë burgun, të paktën nga gjysëm ore burg duhet ta bëjmë edhe ne të gjithë”.

Më 9 qershor 1995, vit kur shëtit në Itali me një turne me 60 ndalime duke predikuar spektaklin Energjia dhe informacioni (të transmetuar nga televizioni i Zvicrës italiane dhe nga Wdr në Gjermani, blerë nga RAI, por që nuk u transmetua asnjëherë), paraqitet tek mbledhja e STET. E ka inatin me “hot line” me të cilat kjo ndërmarrje bën business: “Eshtë sikur Hekurudhat e Shtetit të jepnin vagona me qira një prostitute. Ajo bën dy tre reklama dhe ata thonë: “Nuk dimë gjë. Ne i japim vagonët me qira Samantës shpk”.
Dhe kështu me radhë, batutë pas batue mbi të cilat ndërton, u pëlqen apo jo kundërshtarëve të tij, betejë pas një beteje. Derisa ngriti famën e tij prej guru në kohë shumë më të hershme se dikush e imagjinon. Mjafton të them se në fillim të qershorit të vitit 1995 i bëra për Sette një intervistë të përqendruar në këtë pyetje: “Kur do të ngrini një sekt?”. Të cilës iu përgjigj: E kam ngritur, e kam ngritur…”. Titulli thonte gjithçka: “Grillo Guru. Gati gati do të bëj një sekt”.

Kanë kaluar 18 vite që nga ajo ditë dhe çdo gjë mund të thuhet nga ata që e shohin si tym në sy, veç faktit se në historinë e tij nuk ka beteja politike. Ja dhe sulmet ndaj sipërmarrjeve të mëdha: “A e shihni që tani është gjithçka financë? Nuk ka më sipërmarrës. Vetëm fajdexhinj. Ndërmarrjet e mëdha janë bërë banka. Fitojnë me këmbimin e dollarit. Blejnë dhe shesin para. Jo automobile, lavatrice, televizorë. Fiati bën makina për forcë zakoni, sepse i ka bërë gjithnjë, po fitimi i Standës, kush është? Eshtë të marrë para menjëherë nga budallenjtë, ne, dhe të paguajë furnizuesit pas gjashtë muajsh. Janë banka. Prodhimi është vetëm një pretekst”. Ja dhe akuzat ndaj Parmalatit shumë parapara se të bënte crack. Ja dhe akuzat kundër Malpensës “e ndërtuar për t’i bërë një dhuratë legistëve”. Ato për të majtën për aferat Unipol. Ato kundër guvernatorit të Bankës së Italisë Antonio Fazio për të cilin bleu dhe një faqe reklamë nëpër gazeta dhe publikoi: Fazio ik! Për të mos folur për të gjitha betejat mbi kostot e politikës.
Sigurisht, nëse ndokush nuk dëshiron të dëgjojë pastaj…

*Publikuar në Corriere della Sera

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)