Një 37-vjeçar i dënuar për trafik droge është arrestuar nga policia në një zonë të thellë të fshatit Pishkash, në Elbasan. Bëhet fjalë për Valmir Polisin, i cili ishte në kërkim për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Policia thotë se ai u kap nga shërbimet operacionale të DVP Elbasan në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” në operacionin e koduar 'Target'. Sapo ka parë efektivët, 37-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar dhe vënë në pranga.
Në vitin 2024, Valmir Polisi është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me 9 vite e 4 muaj burg për trafikim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Nga ky dënim, atij i kishin mbetur për të vuajtur edhe 4 vite, 7 muaj e 18 ditë burg. Në maj të po atij viti, pasi kishin kaluar afatet e paraburgimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi ndryshimin e masës së sigurisë duke caktuar masën “Arrest në Shtëpi.”
Ai është një nga të dënuarit e dosjes së madhe të trafikut të drogës që u godit me operacionin “Five”. Më 2 tetor 2024, Gjykata e Posaçme dha rreth 200 vite burg për 32 persona të përfshirë në pesë grupe kriminale që merreshin me trafik narkotikësh.
Sipas hetimit të SPAK, grupet kishin kryer të paktën 13 episode të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së drogës, si edhe kultivim të kanabisit në disa qytete të vendit, mes tyre Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Prrenjas. Veprimtaria kriminale dyshohet se ishte zhvilluar nga marsi i vitit 2019 deri në nëntor 2020.
Pas arrestimit, 37-vjeçari do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të vijuar vuajtjen e dënimit.
Njoftimi i plotë i policisë
"Finalizohet operacioni i koduar “Targeti”, për kapjen e një shtetasi të dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal, për prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike. 37-vjeçari i dënuar me mbi 9 vjet burgim, nga GjKKO-ja, u vu në pranga si rezultat i punës së mirorganizuar të shërbimeve operacionale të DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Shtetasi fshihej në një zonë të thellë në fshatin Pishkash, dhe sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet. Si rezultat i mirorganizimit të veprimeve policore, nga shërbimet operacionale të DVP Elbasan, menjëherë pas sigurimit të informacionit për vendndodhjen e një pjesëtari të një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni i koduar “Targeti”. Në kuadër të operacionit, u kap në një zonë të thellë në fshatin Pishkash, shtetasi Valmir Polisi, 37 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar këtë shtetas, me 9 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga ky dënim, shtetasit Valmir Polisi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 7 muaj e 18 ditë burgim. Shtetasi do t'i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme".
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











