1766609796_90001713205874xedvjpg289.ëebp

Mjeku Edvin Prifti, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të GJKKO-së për ta dërguar në gjyq, duke e cilësuar procesin si të padrejtë dhe të pabazuar.

Në një deklaratë publike, ai thekson se pas më shumë se pesë vitesh hetime, auditet kanë konfirmuar ligjshmërinë e burimeve të tij financiare.

Prifti nënvizon se, pavarësisht zhvillimeve gjyqësore, ai vijon punën si mjek, duke shpëtuar jetë në sallën e operacionit.

Reagimi i plotë:

Cilido duhet të bëjë mirë dhe duhet të bëjë atë që di. Sot unë jam zyrtarisht i pandehur pas një kalvari mbi 5 vjet hetimesh, zhdukje provash dhe dosjesh, si dhe manipulimesh, duke qenë rasti i parë në historinë e gjykatave në botë, por edhe në Shqipëri, ku dikush akuzohet për korrupsion pasiv dhe nuk ka asnjë të akuzuar për korrupsion aktiv?! Apo kur, pas 5 vjetësh, auditi i SPAK cilëson që burimet e mia financiare janë plotësisht të ligjshme dhe nuk ekziston pamundësia financiare! Sot, seanca paraprake e GJKKO-së, pas dy vjetësh, mori vendimin që të më çojë në gjykim. Nuk është se kisha iluzione mbi vendimin. M’u sugjerua për gjykim të shkurtuar dhe ky u refuzua në mënyrë kategorike prej meje, duke qenë i gatshëm të përballem me çdo fakt dhe argument. Në këto kushte, unë ftoj të gjithë pacientët e mi që, kushdo që e ndjen, mund të vijë në gjykatë të dëshmojë se cili jam unë?!

Gjithsesi, pas seancës maratonë që pritja zgjati dy vjet, dhe seanca ishte vetëm 5 minuta, unë u ktheva në sallën e operacionit në QSUT, ku sapo përfundova me sukses operacionin e radhës të pacientit IT.

Ndërkohë, natën e kaluar, kryem së bashku me Dr. Bledar Hodo, Dr. Sci. Merita Zeka dhe Dr. Blerim Arapi një nga operacionet më komplekse në një pacient 38-vjeçar, i operuar 8 muaj më parë nga kolegët me zëvendësim të valvulës së aortës, i cili u paraqit me shkëputje të protezës valvulare, absces në zemër, si dhe insuficiencë kardiake masive me edemë dhe lëng në bark. Pas trajtimit adekuat në terapi intensive, eliminimit të mbi 20 litrave ujë të akumuluar në trup, pacienti iu nënshtrua një operacioni të dytë mbi 8 orë, i cili konsistoi në mbylljen e një dhome anormale gjigande në zemër, e krijuar nga abscesi, si dhe ri-zëvendësimin e valvulës së aortës. Pacienti sot është i ekstubuar dhe në gjendje shumë të mirë.

Pavarësisht gjykatave dhe prokurorëve, ishte një ditë e suksesshme. Edhe pse këta të fundit kanë fatin në dorë dhe mund të shkatërrojnë jetën e një njeriu, përsëri askush nuk mund të më ndajë nga lumturia kur shpëtojmë një jetë më shumë!


Lajmi kryesor:

Mori para për 7 ndërhyrje në zemër pranë QSUT, GJKKO kalon për gjykim dosjen e mjekut Edvin Prifti