Kukësi është rikthyer te fitoret në Superligë pas 3 ndeshjesh pasi në javën e 28 të kampionatit ka mposhtur minimalisht 0-1 Laçin në transfertë. Një sfidë tepër e dyluftuar që u zgjidh vetëm në minutat e fundit, atëherë kur Limaj shkarkoi një të djathtë potente nga jashtë zonë pas një aksioni të gjatë.
Në fund ky episod rezultoi vendimtar për tre pikët duke bërë që trajneri Ernest Gjoka ta nisë më fitore aventurën te Kukësi.
Ndërkohë ndeshja e jetës mes Kastriotit dhe Luftëtarit është mbyllur me fitoren 1-0 të krutanëve. Në “Redi Maloku” tre pikët shumë të rëndësishme skuadrës së Devollit ia siguroi Herald Marku, futbollisti që në minutën e 26 ekzekutoi saktë një 11-metërsh.
Me këtë fitore Kastrioti vijon të renditet në vendin e 9, por me 30 pikë, 3 më pak se Tirana e vendit të tetë dhe 4 më pak se Luftëtari i vendit të shtatë.