Kodi zgjedhor bie ndesh me frymën e reformës në drejtësi, e për këtë arsye duhet të ndryshohet pasi pengon edhe ngritjen e gjykatës së lartë.

Është ky konstatimi i ministres së drejtësisë Etilda Gjonaj e cila me anë të një kërkesë depozituar në kuvend kërkon ndryshimin e nenit 149 të kodit zgjedhor.

Neni 149 i kodit zgjedhorë parashikon: Gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund: t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji;  të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për shkaqe

disiplinore, organizimi gjyqësor apo ngritje në detyrë; të vlerësohet “i pamjaftueshëm” për aftësitë profesionale të gjyqtarit dhe etikën/angazhimin ndaj vlerave profesionale të gjyqtarit.

 E pikërisht këto parashikime sipas Gjonajt bien ndesh me frymën e reformës. Pasi këta gjyqtarë mund të jenë pjesë e gjykatës së lartë dhe atyre u ndalohet vazhdimi i kandidimit duke pamundësuar plotësimin e kësaj gjykate.

Nga ana tjetër Gjonaj kërkon që për çështje të cilat nuk lidhen me zgjedhjet këta gjyqtarë të mos shmangen nga procedimi nëse gjatë ushtrimit të detyrës janë vendime të padrejta.

Një tjetër argument i Gjonajt në kërkesën për ndërhyrje në këtë nen është edhe Kushtetuta e Shqipërisë e cila ngarkon me përgjegjësi gjyqtarin për shkeljet që ai bën, por hetimi i tij pengohet nga ligji i cili është pas kushtetutës në hierakinë juridike.

Pak ditë më parë këshilli i lartë gjyqësorë përzgjodhi për një mandate katër vjeçar anëtarët e kolegjit zgjedhorë përkatësisht gjyqtarët: Sokol Ibi, Manjola Xhaxho, Gentian Medja, Asim Vokshi, Alma Kolgjoka, Edlira Pjetri, Emona Muçi dhe Esmeralda Çeka.

( Kliko këtu ) Kërkesa e plotë e ministres Etilda Gjonaj drejtuar kuvendit