Gjovalin Luka më 1949 “Ja si
duhet ta shkruajmë historinë
e letërsisë së vjetër shqipe”

Gjovalin Luka më 1949 “Ja si<br />duhet ta shkruajmë historinë<br />e letërsisë së vjetër shqipe”
TIRANË - Në mars 1949, ndërsa në Lidhjen e Shkrimtarëve po bëheshin përgatitjet për konferencën e tretë të saj, paralelisht, po vendoseshin edhe rregullat e hekurt mbi shkrimin e historisë së letërsisë shqipe. Pra po përcaktohej vendi dhe vlera e çdo krijuesi të deriatëhershëm dhe e çdo vepre të botuar gjer më atëherë. Gjatë përgatitjes së tezave që do të referoheshin gjatë ditëve të konferencës u përgatit edhe kjo “Histori e letërsisë Shqiptare nga origjina e deri në vitin 1949”, kur po diskutoheshin vlerat letrare shqipe.

Ky dokument, i gjatë i hartuar nga Gjovalin Luka do ti sillet lexuesve në disa numra të gazetës tonë, duke nisur nga sot, ku prezantohen  etapat që ai parashtron për këtë histori të letërsisë shqipe dhe mandej trajtimi i seicilës prej tyre.

Pjesë nga dokumentet e Konferences së tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve, mars 1949.
II. Vështrim mbi historinë e letërsisë shqiptare,
     nga origjinat gjer më sot
     Sipas dokumenteve që kemi, shqipja është shkruar që në pjesën e dytë të shekullit XV (1462), d.m.th. në kohën e Skënderbeut. Por ka të ngjarë të jetë shkruar edhe më parë. I pari libër i botuar në shqip është i vitit 1555 – Buzuku.

     Në vija të përgjithshme, letërsia shqipe ka ndjekur katër etapa gjatë historisë së saj:
     a) Etapa e letërsisë së vjetër shqipe, që nga dokumenti i parë (1462) gjer te Lidhja e Prizrenit dhe Shoqëria e Stambollit (1878, 1879).
     b) Etapa e Rilindjes, që nga Shoqëria e Stambollit (1879) gjer te formimi i të parit shtet shqiptar (1912).
     c) Etapa e vetëqeverimit të Shqipërisë, që nga viti 1912 gjer më 1944, me triumfin e Luftës NÇL.
     d) Me Luftën NÇL çelet një etapë e re.
     Këto katër etapa të letërsisë sonë mund t’i përmblidhnim në dy epoka të mëdha:
     a) Epoka e sundimit turk dhe e vetëqeverimit (1462-1944).
     b) Epoka e Luftës NÇL dhe e socializmit.

     Ndarjet e mësipërme u përgjigjen ndarjeve të mëdha të historisë së popullit tonë. Ato nuk janë të ngurta dhe pa lidhje me njëra-tjetrën, por përgatisin njëra-tjetrën.
     Në kolonitë arbëreshe të vendosura në shtete të huaja, shqipja u shkrua dhe pati edhe atje një letërsi – mjaft të zhvilluar në arbëreshët e Italisë (1592 – Matranga) dhe fare pak të zhvilluar ndër ata të Greqisë (pjesa e dytë e shekullit XIX). Zhvillimi i këtyre letërsive, sado në mënyrë independente, nuk është pa lidhje me zhvillimin e letërsisë shqipe dhe me historinë e Shqipërisë.

Letërsia e vjetër arbëreshe e Italisë (që mbyllet me shekullin XVIII) ka pak lidhje me atë tonën; po letërsia e re arbëreshe është e lidhur ngushtë me të dhe ka influencuar mbi zhvillimin e letërsisë sonë të Rilindjes, së cilës i prin në kohë, sikundër ajo vetë inspirohet nga ngjarjet vetë në Shqipëri (përpjekjet kundër Turqisë në shekullin XIX). Po kështu edhe letërsia e arbëreshëve të Greqisë zhvillohet nën të njëjtën influencë në pjesën e dytë të shekullit XIX dhe influencon edhe ajo, deri diku, mbi letërsinë tonë, si dhe mbi atë arbëreshe të Italisë. Në shekullin XIX, megjithëse këto të tria letërsi zhvillohen pra në mënyrë mjaft independente, janë në marrëdhënie të ngushtë, duke influencuar mbi njëra-tjetrën, duke përbërë një manifestim të gjerë letrar të popullit tonë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

     I) Letërsia e vjetër shqipe. Reflekton, në mënyrën e saj përpjekjet e popullit tonë kundër Turqisë brenda shekujve XV-XIX (gjer më 1878-1879). Veç veprash të pakta – ndonjë fjalor – është një letërsi kishtare: përkthime ungjijsh, katekizma etj. Vetë fakti i të shkruarit shqip brenda këtyre shekujve, është një manifestim i ekzistencës së popullit tonë, i cili i reziston okupatorit, është një akt rezistence.

Por autorët tanë të vjetër, që nga Buzuku gjer te Veqil Harxhi, duke kaluar nga Budi, Bardhi, Bogdani, Nezimi, Dhaskal Todri, me shkrimet e tyre ose me aktet e tyre, dëshmojnë për dashurinë në popullin tonë, për urrejtjen ndaj armikut okupator. Për ta, është një ideal i madh të shkruash në shqip. Ata janë koshientë se po e shpëtojnë shqipen nga prishja dhe po e ndriçojnë popullin në gjuhën e vet.

     Historia e letërsisë së vjetër shqipe ngre ndonjë problem me rëndësi.
     a) Si problem i parë, është ndarja e saj. Albanologu gjerman Lambertz ka bërë një ndarje komode, por jo shumë të drejtë, ndarje që ka qenë adoptuar edhe në Shqipëri (tek antologjia Shkrimtarët Shqiptarë – 1941). Ai e ndan aktivitetin tonë letrar të asaj kohe në tresh: shkrimtarë katolikë, ortodoksë dhe muhamedanë, sipas tri besimeve të popullit tonë, besime që kanë pasur një influencë të madhe mbi shkrimet e asaj kohe, qoftë mbi përmbajtjen e tyre, qoftë mbi paraqitjen (gjuhën dhe alfabetin), qoftë dhe mbi aktivitetin e shkrimtarëve. (Këta influencoheshin kështu: katolikët nga Roma dhe nga Fuqitë e Perëndimit – kryesisht Austria në shekullin XVII e këtej; ortodoksët nga vendet sllave dhe greko-bizantine; myslimanët nga Turqia).

     Një ndarje më e drejtë, pa e lënë mënjanë faktorin besim dhe ç’sjell ai me vete si influencë, duhet të bazohet te gjendja shoqërore e popullit tonë në ata shekuj. Kjo gjendje shoqërore karakterizohet nga feudalizmi që mbizotëron në fusha, posaçërisht në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut dhe nga bujaria e fiseve të maleve. Shkrimtarët katolikë janë të Shqipërisë së Veriut; ata ortodoksë i gjejmë në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut; ata myslimanë i gjejmë kudo nëpër Shqipëri ku gjejmë edhe feudalë, bile ata lulëzojnë kryesisht ndër oborret feudale (Shkodër, Elbasan, Berat, Janinë etj.). Me gjithë tentativën e Skënderbeut për bashkimin e shqiptarëve nën një udhëheqje të vetme, ky bashkim më vonë nuk ekzistoi, por ekzistoi ndarja krahinore karakteristike e bujarisë së fisit dhe e feudalizmit.

Në këtë mënyrë shkrimtarë të veriut (ku mbizotëron fisi) dhe të jugut ku mbizotëron feudalizmi (veç Shkodrës që është një si ishull feudal në mes të sistemit të fisit). Ndërsa shkrimtarët katolikë e shfaqin rezistencën e tyre kundër Turqisë me shkrimet e tyre fetare, duke gjetur te feja një mbështetje kundër sunduesit, që kërkon të mbajë edhe më lehtë nën vete popullin duke e islamizuar; shkrimtarët ortodoksë të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut reflektojnë në shkrimet e tyre një gjendje shpirtërore shumë më të zhvilluar: ata e ushtrojnë aktivitetin e tyre ndër qytetet tregtare (Voskopoja, Berati, Elbasani); jo vetëm që përkthejnë ungjillin shqip, por duke përkthyer edhe liturgjinë, ata mundohen ta kthejnë kështu kishin shqip; alfabeti i tyre u shërben tregtarëve për hesapet e tyre (për më se njëqind e ca vjet në Elbasan) dhe vokabularët e tyre poliglotë (Kavalioti, Dhanili) u shërbejnë marrëdhënieve – kryesisht tregtare – në mes popujve të Ballkanit të paktën; duke udhëtuar nëpër Evropë, ata sjellin në Shqipëri idetë e reja të shekullit XVIII dhe të Revolucionit Francez.

Shkrimtarët myslimanë reflektojnë në shkrimet e tyre luftën e feudalëve tanë kundër Turqisë (Bushatllinjtë, Ali Pashën), janë, në pjesën më të madhe bektashinj, d.m.th. në luftë me politikën centralizuese të qeverive turke të shekullit XIX, mbështetësit e feudalizmit në Turqi, në marrëveshje me lëvizjet separatiste, autonomiste, dhe për independencë brenda Perandorisë – dhe së këtejmi të lidhur me përpjekjen e popullit tonë për liri (Naimi lind dhe zhvillohet në rrethin e tyre).

     Pra tri rryma letrare, sipas përbërjes shoqërore dhe zhvillimit ekonomik të popullit tonë: letërsia e veriut (ku sundon sistemi i fisit – katolikët), letërsia e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut në qytetet tregtare (ortodoksët), letërsia e feudalëve të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut (që lulëzon edhe brenda në Shkodër).
     a) Një problem tjetër me rëndësi është çështja e influencës nga jashtë mbi këto rryma letrare, të cilat, që të tria, në forma jo kaq të dalluara (sepse kemi të bëjmë kryesisht me një letërsi kishtare) manifestojnë rezistencën e popullit tonë kundër Turqisë.
 
Letrarët e veriut, katolikët, janë mbështetur në Romë
 (Propaganda Fide) dhe, mbas shekullit XVII, tek Austria. Kjo mbështetje do parë drejt: ishte një gjë që i shërbente çështjes së tyre atëherë. Nuk duhen flakur pra shkrimtarët katolikë të veriut, sepse pasardhësit e tyre u bënë vegla të qëllimeve dhe realizimeve imperialiste austriake dhe italiane në Shqipëri në shekujt XIX dhe XX.

     Letrarët ortodoksë të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut paraqitin një influencë sllave në shekullin XVIII (anonimi i Elbasanit që u gjet tani, Dhaskal Todri) dhe greke (Kavalioti, Dhanili, Grigor Gjirokastriti). Shkrimi shqip në Shqipërinë e Mesme, posaçërisht në Elbasan, duket se ka lindur në përpjekje jo vetëm kundër Turqisë, por edhe kundër shërbëtores së saj, Patriarkanës së Stambollit, Fanarit: gjer më 1767, ka ekzistuar në Ohër një Patriarkat ekzarkik bullgar, për t’u çliruar nga Turqia e popujve sllavë të jugut, posaçërisht bullgarëve dhe maqedonasve; nga ky patriarkat vareshin, gjer më 1767, peshkopatat e Elbasanit, Durrësit, Beratit dhe Himarës.

Zhvillimi i madh që mori arsimi popullor grek që nga fundi i shekullit XVII, u bë kryesisht në kufijtë e Shqipërisë, dhe në toka të banuara më shumë prej shqiptarësh – pati si kryeqendër, përpara se të çlirohej Greqia, Janinën. Voskopoja arriti të bëhet një qendër e madhe e kulturës greke për gjithë Ballkanin në shekullin XVIII. Idetë e reja të Perëndimit – kryesisht filozofia racionaliste – nuk qenë të huaja në këtë lulëzim të arsimit grek, që zhvillohej me ndihmën e tregtarëve të Venedikut, Rusisë, Vllahisë etj.

Megjithëse jo në luftë me Fanarin që kishte si vijë kryesore të politikës së tij mbajtjen e popujve ortodoksë të Ballkanit nën sundimin turk – kisha fanariote, dhespotët e saj, rronin me privilegjet dhe pasuritë e panumërta tokësore që u garantonte fuqia ushtarake turke dhe sistemi feudal i Turqisë; çdo shkëputje toke nga Turqiam çdo shtet independent ose autonom që të formohej nga popujt e robëruar, rrezikonte pasuritë e Fanarit, siç ishte dhe në dëm të Turqisë. Influencat sllave dhe greke që paraqitën pra letrarët tanë të vjetër, sidomos në shekullin XVIII dhe fillim të shekullit XIX, janë të lidhura me përpjekjet çlirimtare të popujve të Ballkanit kundër Turqisë (bullgarë dhe maqedonas, grekë).

Letrarët myslimanë janë, kryesisht, nën influencën turke, por dhe shizmatizmit muhamedan, të bektashizmit.
     Këto influencime të ndryshme nuk i kanë penguar shkrimtarët tanë të vjetër për të ushtruar përpjekjen e tyre kombëtare, brenda mundësive që kishin dhe brenda rrethanave që u paraqiteshin – përkundrazi kanë qenë për ta një mbështetje që u ka vlejtur.

     Rëndësia artistike e letërsisë sonë të vjetër është e paktë, por rëndësia e saj gjuhësore është e madhe, për të njohur zhvillimin e gjuhës shqipe gjatë shekujve. Megjithatë ka një përpjekje artistike, e cila s’ka munguar që në fillim: Buzuku ka një përpjekje stili, Budi shkroi vjershat e para, Bogdani ka një prozë të mirë. Ka dhe një përpjekje për ta spastruar gjuhën nga fjalët e huaja, posaçërisht turke, megjithëqë këto fjalë, që te Buzuku janë akoma të rralla – influenca e turqishtes është akoma e re në shqipe – vijnë dhe shpeshtohen, sidomos te shkrimtarët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, me gjithë përpjekjen e këtyre evidente për t’i evituar turqizmat (anonimi i Elbasanit, Todri, sidomos Veqilharxhi).

     2) Rilindja. Etapa e dytë e letërsisë shqipe, Rilindja, nis me Lidhjen e Prizrenit (1878) dhe Shoqërinë e Stambollit. Për të parë herë pas Skënderbeut, në Lidhjen e Prizrenit populli ynë bën bashkimin e tij më të plotë, më të gjerë, kundër armikut. Lidhja u formua nën rrezikun e copëtimit të Shqipërisë, pas vendimit të Kongresit të Berlinit, për t’i dhënë Malit të Zi dhe Serbisë disa toka shqiptare dhe qëllimeve të Greqisë që të marrë disa toka të tjera.

Por ajo, menjëherë, shtroi çështjen e bashkimit të gjithë tokave shqiptare nën një vilajet të vetëm dhe autonom, me qeverinë e tij, buxhetin dhe ushtrinë e tij, ku të përhapej arsimi shqiptar etj., dhe krijoi një si embrion shteti, që për dy vjet drejtoi punët administrative në Shqipëri, me gjithë prezencën e autoriteteve dhe të ushtrisë turke. Turqia, e cila në krye e ndihmoi Lidhjen dhe e deshi krijimin e saj, sepse nuk ishte në interes të saj që t’i shkëputeshin toka Shqipërisë – d.m.th. Perandorisë – mori menjëherë masat për ta penguar punën e saj nacionale dhe së fundi për ta shpartalluar ushtarakisht, me luftë, duke persekutuar dhe anëtarët dhe themeluesit e saj (Abdyl Frashëri etj.).

Por që këto mori hov puna dhe u organizua përpjekja jonë kombëtare që do të përfundonte me çlirimin e Shqipërisë më 1912. Më 1879 formohej Shoqëria e Stambollit, e cila më 1881 dhe 1882 do të krijonte degët e saj në Bukuresht dhe në Aleksandri të Misirit, duke u bërë koka e veprimtarisë nacionale dhe rivendikimet autonomiste të popullit tonë dhe, më vonë, për një shkëputje të plotë nga Turqia – për independencë.

Kjo shoqëri hodhi parullën e bashkimit të popullit tonë pa dallime feje dhe krahinash, dhe aktivitetin e saj politik e maskoi kryesisht nën aktivitetin kulturor, siç kishin bërë gjatë përpjekjeve të tyre çlirimtare edhe popujt e tjerë të Ballkanit kundër Turqisë në të kaluarën e afërme. Ajo adopton menjëherë një alfabet të përbashkët për gjithë shqiptarët gjer atëherë shkruanin me alfabetin latin, grek dhe turk, sipas fesë që kishin (katolikë, ortodoksë, muhamedanë) dhe nisi botimin e librave shqipe për të gjithë me këtë alfabet.

     Gjithë këto ngjarje nuk erdhën ashtu vetvetiu, por u përgatitën nga një përpjekje gjithmonë më e madhe shekullore e popullit tonë kundër Turqisë. Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX. Bushatllinjtë në Shkodër dhe Ali pashë Tepelena në Janinë, u munduan të ngrenë shtete shqiptare autonome dhe, de facto, këta feudalë të mëdhenj e ndjenë veten thuajse fare independentë nga Turqia, formuan shtete embrionale me buxhetin dhe ushtrinë e tyre, dhe ranë në luftë të hapët me Turqinë e cila, me vështirësi të madhe, mezi i mundi. Më vonë luftërat Tanzimate, që morën karakterin e luftërave të vërteta popullore, e ashpërsuan edhe më shumë përpjekjen kundër Turqisë dhe krijuan një bashkim më të gjerë të popullit tonë. Shkrimet shqipe të kohës e reflektojnë këtë ashpërsim dhe këtë bashkim; po këtë dëshmon mirë edhe folklori i pasur shqiptar mbi këto përpjekje të vazhdueshme.

Pas vitit 1879, letërsia, që gjer atëherë reflektonte vetëm të thuash përpjekjet e popullit tonë kundër Turqisë, tani fillon e bëhet udhëheqëse e këtyre përpjekjeve. Letrarët që drejtojnë Shoqërinë e Stambollit dhe degët e saj në Rumani dhe Misir, janë organizatorët vetë të lëvizjes nacionale. Një prej tyre, Jani Vreto, qe ai që organizoi degët e Shoqërisë në Rumani dhe Misir, dhe ndenji për pesëmbëdhjetë vjet në krye të lëvizjes nacionale të Bukureshtit. Më 1884, këta botuan të parën fletore shqipe brenda në Stamboll – Drita, që më vonë mori emrin Dituria. Më 1886, ata hapën të parën shkollë shqipe në Korçë; po atë vit ata hapën të parën shtypshkronjë shqipe në Bukuresht dhe me librat e kësaj nisi nga puna shkolla e Korçës.

Më 1892-1893, u hapën edhe pesë shkolla të tjera shqipe në qarkun e Korçës. Më 1896, një shtypshkronjë e dytë shqipe  nisi nga puna në Sofje të Bullgarisë, ku qe formuar dhe një shoqëri shqiptare, që pranoi dhe ajo të punojë në udhën e të tjerëve, më 1893. Pas vitit 1890 sidomos, lëvizja u zgjerua mjaft nëpër kolonitë shqiptare dhe në Shqipëri brenda. Disa mijëra veta filluan të shkruajnë dhe të lexojnë me alfabetin e Stambollit, të përhapin brenda dhe jashtë Shqipërisë librat shqipe dhe të bëjnë propagandën nacionale.

Shpejt filluan të duken sheshit aspiratat për t’u shkëputur plotësisht nga Turqia, për liri të plotë dhe jo më për autonomi – sidomos në vitet 1896-1897, në kohën e luftës greko-turke. Këto aspirata i gjejmë dhe ndër shkrime të ndryshme para Lidhjes së Prizrenit dhe gjatë Lidhjes, por tani për to ka një sasi patriotësh, propagandistësh që punojnë. Turqia, që e kish penguar vazhdimisht përhapjen e shkrimit shqip, të librave shqipe, themelimin e shkollave shqipe, me gjithë mjetet, tani fillon të marrë masa të rrepta kundër lëvizjes, duke persekutuar patriotët, duke mbyllur shkollat, duke mos lejuar qarkullimin e librave dhe të gazetave shqipe etj.

Por lëvizja sa vete shtohet. Më 1905, dalin çetat e para të armatosura. Më 1908, me gjithë disa liri që fiton populli ynë nga Hyrieti – për të shkruar lirisht gjuhën, për të hapur shkolla, klube shqipe, por jo liri politike – plasin kryengritje të mëdha, të cilat Turqia nuk është në gjendje t’i mposhtë (Kosovë) të cilat tregojnë kalbësirën e perandorisë sheshit dhe inkurajojnë shtetet ballkanase për t’u ngritur kundër Turqisë dhe për ta likuiduar këtë si fuqi që mbizotëron Ballkanin akoma. Më 1912, me luftën ballkanike, Shqipëria çlirohet dhe formohet i pari shtet i lirë shqiptar.
Vijon


Redaksia Online

(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Rusia pretendon se ndaloi sulmin e papritur të Ukrainës në rajonin e Kurskut

Rusia pretendon se ndaloi sulmin e papritur të Ukrainës në rajonin e Kurskut