Gjovalin Paci: Ejëll Çoba
histori burgu në 100 tablo

Gjovalin Paci: Ejëll Çoba<br />histori burgu në 100 tablo
Piktori i njohur Gjovalin Paci pasi ka lexuar librin "Jetë e humbun" të Ejëll Çobës, ku rrëfehen kujtime dhe histori të diktaturës komuniste i ka "përkthyer" ato në gjuhën e pikturës. Historitë dhe personazhet kanë përshkruar fantazinë e tij dhe pas dy viteve punë janë shndërruar në 100 vepra arti, të cilat do të prezantohen në Muzeun Historik Kombëtar më datën 10 maj. "Ekspozita do të qëndroj e hapur për pesë ditë", pohon piktori, ndërsa vërejmë se mënyra e pikturimit të kësaj radhe është një risi tjetër në karrierën e tij artistike. Bëhet fjalë për 100 punë të bëra në teknika të ndryshme, me koncepte moderne të të shprehurit, dhe me një frymë origjinale në prezantimin e detajeve, figurave dhe simboleve. Edhe libri që ka zgjedhur për ta interpretuar në vepër arti, Pacit i duket origjinal. I frymëzuar nga fakti se ndër librat që ka lexuar me letërsi ose kujtime burgu, Ejëll Çoba nuk vendos veten si hero, por rrëfen për heronjtë, fillon të kuptojë sesa ngjashmëri kanë këto kujtime me rrëfimet që ka dëgjuar në Shkodçr. Ai thotë se ka lexuar edhe Librin e At Zef Pllumbit "Rrno me tregue", e shumë autorë të tjerë, por Ejëll Çoba iu duk më i vërtetë. Për këtë fakt ai punon që ky libër të transmetohet për publikun me gjuhën simbolike të pikturës së tij. "Pas viteve '90 në përgjithësi janë bërë libra familjarë ose libra që shkruajnë për vetveten, ose heronjtë. Ndryshimi I madh I këtij libri është se u shkrua në të njëjtën kohë, në mesin e diktaturës, rreth viteve 75-79.", thotë piktori duke komentuar se "janë të vërteta dhe përshkruhen në mënyrën më juridike, nëse flasim me shprehjen ligjore". Por porsa i përket këtij libri mendimi i tij nuk është i vetëm. Poeti dhe shkrimtari Agron Tufa është shprehur kohë mç parç se "libri memuaristik "Jetë e humbun" i Ejëll Çobës bën një përjashtim të veçantë e fatlumë: ai u shkrua atëherë kur dorëshkrimet paguheshin me kokë. U shkrua si dëshmi, si testament, pa e pasë të sigurt dritën e botimit, apo më saktë, pa e shpresuar atë. Autori nuk kishte aspak lakminë se si do të bëhej i lavdishëm, tërheqës apo interesant në sytë aksh shtrese apo të aksh politikani. Si i tilli, libri është pastrue nga "mëkatet e të gjallëve", fantazitë apo ekzagjerimet.". Gjovalin Paci jeton në Tiranë. Ka nisur të pikturë që para 30 vjetësh në qytetin e tij të lindjes Shkodçr. Njihet si njç zç origjinal në pikturë. Prej tri dekadash ka punuar pandërprerë duke sjelle krijime në të gjitha gjinitë e artit, të kompozimit, të portretit, por edhe ne disa lloj teknikash si akrilik, vaj, tempera, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Në këto tri dekada Paci numëron rreth 5 mijë punime. Ai është prezantuar me rreth 50 ekspozita të hapura si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Ju jeni duke u përgatitur për një ekspozitë me 100 vepra, të cilat ia kushtoni vetëm një libri "Jetë e humbun" e Ejëll Çobës. Pse?
-U jam inspiruar prej këtij libri dhe ia di për nder atij njeriu që nëpërmjet rrëfimit më krijoi një përfytyrim të vërtetë për ngjarjet e viteve të kaluara të diktaturës ose fill pas diktaturës në Shqipëri. Në fakt ekspozita është ndërtuar në mënyrë simbolike. Nuk është se ekspozita merret me personazhe fikse të historisë, por nga ky libër merret filozofia. Pra, është marrë ajo simbolikë që vjen nga komunizmi. Përfytyrimi mund të rrjedhë herë simbolikisht si një kafshë e stërmadhe që vjen nga stepat e Rusisë, herë në formën e një simbolike tjetër, e një tipi të shëndoshë në formë tatuazhesh, ku instalimi dhe figura të ndryshme tërheqin nga prapa diku derrin, diku lopën. Simbolika arrin deri atje sa në kollaren e një udhëheqësi kinez është i varur në një intelektual shqiptar. Pra simbolika është përdorur në kuptimin filozofik, ose artistik dhe jo në kuptimin e një fotografie reale.

Pse pikërisht nga ky libër e jo një tjetër?
-E veçanta e këtij libri është se: në qoftë se librat pas viteve '90 në përgjithësi janë bërë si libra familjarë ose libra që shkruajnë për vetveten, ose heronjtë, te libri i Ejëll Çobës shohim se ngjarjet janë shkruar në mesin e diktaturës, rreth viteve '75-'79 dhe ndryshimi tjetër është se të vërtetat dhe ngjarjet përshkruhen në mënyrën më juridike, nëse flasim me shprehjen ligjore, ose me një lloj vërtetësie e thjeshtësie, ku ai nuk vë në qendër të veprës vetveten si hero, por rrëfen për heronj të tjerë të asaj periudhe, ku ata vendosen në momente të ndryshme dhe të jashtëzakonshme, por edhe të papritura.

Pra, janë heronj kompleks në situate komplekse, përfshi dhe autorin?
-Po dhe ata prezantohen me veçantinë e të rrëfyemit, si vetë ngjarja që ka jetuar Ejëll Çoba, duke rrëfyer për njerëz që detyrohen të vetëvriten, për njerëz që detyrohen të hidhen nga lart dhe për njerëz që detyrohen të zhduken komplet si familje. Është një situatë kaq e trazuar dhe tragjike sa nuk di ç'të thuash.

Çfarë të veçanta të kanë bërë përshtypje në shprehjen e këtyre situatave?
-Ka të veçanta të shumta, ku në një dhomë janë 100 burra. Janë 100 burra që i burgosën për kryengritjen e Postribës, dhe mendo në katër metra katrore dhomë, atyre 100 burrave s'u bie që të qëndrojnë dot as në këmbë. Ka situata kur një djalosh i ri vdes në dritare. Kjo është një simbolikë e jashtëzakonshme dhe po t'i shikosh që janë të gjithë një lloj Prometeu që nuk dinë se për çfarë janë Prometej, sepse ai në vetvete bëri një faj, e dinte për çfarë ishte dënuar. Këta ishin thjesht intelektualë, ishin njerëz thjesht të ditur, ishin njerëz që nuk mund t'u pëlqente ky lloj sistemi dhe u përballën me këto lloj konsekuencash dhe kështu sakrifikimi i tyre hera-herës duket kaq banal dhe kaq qesharak, saqë herë duket groteske dhe herë duket dramë. Në të gjitha situate që ai krijon, ose në situatat që ai rrëfen ua adreson të tjerëve dhe rrëfimi kalon thjeshtë në memorien e tij. Unë nuk është se kam bërë ilustrimin e thjeshtë të atij librit, unë jam ngacmuar nga ai libër. Kështu nisi dëshira që të punojë një cikël me këtë temë. Ai ishte një libër që më vuri para fakteve interesante. Figurat letrare që krijoheshin në koshiencën e mençme ishin vetinstiktive dhe nuk ishin synim për trillime letrare. M'u shfaq dëshira ta ritregoja në mënyrë vizive. Kjo dhe për mua ishte një ngarkesë e jashtëzakonshme emocionale dhe mendore. Është një punë që është mbajtur në dorë përreth dy vjet, absolutisht që nga koha që ka dalë libri edhe sot kam punuar me dhjetëra punë. Ndjeva detyrim ndaj atij njeriu prej vetvetes që t'ia përmbush me këtë vepër. E shkruar ishte, m'u bç e nevojshme përmbushja simbolike vizuale.

Në bisedën e mëparshme ju thatë se tek ky njeri ndikoi trysnia psikologjike e disa kthesave historike të njëpasnjëshme në vendin tonë. Si ndikoi?
-Tek ai ishte interesante edhe si ndikoi historia. Ishte një person i kulturuar, i shkolluar në shkolla si La Sapienca që kishte një emër të jashtëzakonshëm edhe në atë kohë. Ishin me kokrra njerëzit që mbaronin ato lloj shkollash. Ejlli ishte intelektual i kompletuar. Ai ishte bërë pjesë e drejtimit të shtetit. Nuk e harrojë burrninë e tij që me ndërgjegje të plotë vetëdorëzohet për të pasur konsekuencën që të mos dëmtohej familja e tij?

Si, kur u vetëdorëzua?
-U dorëzua në atë kohë që kërkohej, sepse ishte në listën e të dënuarve nga regjimi komunist. Ai u dorëzua vetë.

Çfarë dini për qëndrimet e Ejëll Çobës mes dy luftërave botërore?
-Ai nuk ishte një intelektual që merrej me luftë. Ai ishte një intelektual në poste drejtuese në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Brendshme në vende shumë të rëndësishme në periudhat e paraçlirimit dhe pas çlirimit ky paguante reston e kësaj periudhe. Ishte arrestuar, ishte vënë përpara. Pasi unë realizova një pjesë të ekspozitës, mësova se ky ishte njëri prej personazheve që u kishte shpërndarë qindra mijëra pasaporta çifutëve në periudhën kur përndiqej prej nazistëve. Më bëri përshtypje se përshkrimet në libër i kishte mbi baza të vërteta, jo mbi baza të sajuara siç mund të jenë dëshmitë e tjera të disa autorëve që kana konsumuar pjesën artistike duke hiperbolizuar ose duke e mbivlerësuar veten ose duke e heroizuar ose dehorizuar personin. Ky i shkruan ashtu siç janë me të vërtetat e tyre, me ngjarjet e tyre, ku ai përballet gjithmonë me një polic që, ose një kapter që ai ishte me krahun e Ballit dhe për përfitime kishte kaluar në krahun e fituesit. I gjithë problemi i tij nuk është problemi i marrëdhënieve me shtetin, është me makinën shtetit që vë në lëvizje njerëzit e paditur, të pashkolluar, njerëzit me mungesë inteligjence, njerëzit që nuk dinë çfarë bëjnë dhe që përpiqen të mbrojnë pushtetin për të qenë ata që janë. Janë njerëz që grabisin, janë njerëz që ushqehen nga inteligjenca e njerëzve e tregtareve që vunë pasurinë me djersë. Ai tregon për priftërinjtë, hoxhallarët, intelektualët, tregon për figura historike, për figura politike të kohës, për figura artistike. Ai është kaq gjithëpërfshirës në atë periudhë që e ka jetuar, saqë vetvetiu ti ke mundësi ke mundësi të krijosh në mënyrë figurative dhe të përjetosh, kompozime, portrete, figura.

Në cilin kompozim është përfshirë vetë ai?
-Unë kam përdorur figura reale ku është personazhi vetë autori, por pjesa tjetër ndahet në cikle të familjes të heronjve në thonjëza që ai nuk i quan kurrë heronj, por njerëz të zakonshëm që s'dinë për çfarë përballen. Janë heronj, por nuk është se kanë ndonjë titull heroi. Janë një pjesë me kujtime të humbura në arkiva, që janë me fotografi por nuk dihet se kush janë.

Sa të rëndësishme janë polemikat që ngrihen me media për personalitetin e tij?
-Nuk di sa e kam tagrin të flas për të. Kur arrin në pikat më të larta të një njeriu human ai, arrin në pikat më të larta të inteligjencës. Ai rrjedh nga një familje tregtare shkodrane, ku gjyshi i tij Ndoç Çoba ishte firmëtar i pavarësisë dhe deputet i parë i shtetit shqiptar. Vetë Çobaj edhe si familje njihen si njerëz të inteligjencës ose të kulturës shkodrane.
Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza