Gjukanoviç: Pas protestave qëndrojnë partitë opozitare pro-ruse dhe 'faktorët e huaj'

Gjukanoviç: Pas protestave qëndrojnë partitë opozitare pro-ruse dhe 'faktorët e huaj'

Gjithçka filloi me një video të postuar në mediat sociale: një regjistrim sekret i vitit 2016, që duket se tregonte një oligark të njohur vendës duke i dhënë një zarf me para një bashkëpunëtori të Milo Gjukanoviçit, udhëheqësit të Malit të Zi.

Biznesmeni i njohur, ish-mik i ngushtë i presidentit Gjukanoviç, e publikoi videon në fund të vitit të kaluar si hakmarrje ndaj akuzave të ngritura kundër tij për mashtrim dhe pastrim parash, të cilat u bënë shkak që ai të ikte në Londër për t’iu shmangur ndjekjes penale.

Biznesmeni Dushko Knezeviç publikoi gjithashtu një seri dokumentesh që akuzonin presidentin dhe partinë e tij në pushtet për korrupsion, nepotizëm dhe shpërdorim të detyrës, duke pretenduar se i ka dhënë miliona dollarë Gjukanoviçit dhe partisë së tij në pushtet.

Çështja "Zarfi" ka shkaktuar protesta të shumta kundër zotit Gjukanoviç, për të kërkuar dorëheqjen e tij, pas pothuajse 30 viteve në pushtet.

Demonstratat anti-qeveritare në Mal të Zi vijnë ndërkohë që protesta të ngjashme po zhvillohen edhe në Serbinë dhe Shqipërinë fqinje, ku demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësve që ata i akuzojnë për sundim autokratik dhe korrupsion, megjithë premtimet e këtyre udhëheqësve se do t’i fusin vendet përkatëse në Bashkimin Evropian.

Shpërthimi pothuajse i njëkohshëm i lëvizjeve të forta anti-qeveritare në rajon ka bërë që të flitet për një "Pranverë Ballkanike", si vala e protestave dhe revolucioneve që përfshinë botën arabe në vitin 2010.

Edhe pse asnjëra nga protestat e deritanishme nuk ka arritur të rrëzojë udhëheqësit e Ballkanit, ato kanë inkurajuar një rezistencë qytetare dhe kanë tronditur kontrollin e tyre të fuqishëm mbi pushtetin apo mbështetjen që u vjen nga Perëndimi.

Në Malin e Zi, zoti Gjukanoviç është përballur prej kohësh me akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Videoja e fundit shihet si goditja më serioze ndaj qeverisjes së tij të deritanishme.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Gjukanoviç i mohoi akuzat, duke thënë se pas protestave qëndrojnë partitë opozitare pro-ruse dhe "faktorët e huaj", edhe pse protestat zyrtarisht drejtohen nga grupe qytetare.

Zoti Gjukanoviç la të kuptohet se protestat kanë për qëllim çarmatosjen e udhëheqësve pro Bashkimit Evropian dhe largimin e Ballkanit nga Perëndimi në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

"Unë mendoj se kjo në thelb nuk është një lëvizje "pranverore", por një lëvizje e zymtë vjeshte," tha ai. “Bëhet fjalë për të mos lejuar që Ballkani të bashkohet me BE-në.”

Organizatorët e protestës në Mal të Zi këmbëngulin se demonstrimet përfaqësojnë një lëvizje të sinqertë qytetare pa ndonjë ndikim të huaj. Tubimet e tyre të përjavshme kanë tërhequr mijëra njerëz dhe janë më të mëdha në vite.

"Shkaku ishte ai zarf që u dha nga një biznesmen… me qëllimin për të blerë votuesit në zgjedhjet parlamentare të 2016-s, thotë Dzemal Peroviç, organizator i protestave në kryeqytetin malazez.

"Qëllimi ynë është ndryshimi i regjimit", tha ai. “Një tranzicion paqësor nga një regjim i korruptuar që ka qenë në pushtet prej 30 vitesh dhe që i ka fituar zgjedhjet përmes ryshfetit dhe manipulimit.”

Që kur erdhi në pushtet në fund të viteve 1980, "Car Milo-ja", siç quhet zakonisht në Malin e Zi, ka qenë president, kryeministër apo udhëheqës i partisë falë kalimit nga njëri post në tjetrin. Por ai ka qenë gjithashtu një aleat i rëndësishëm i Perëndimit në kundërshtimin e ndikimit rus në rajon dhe, para kësaj, në shkëputjen nga njeriu i fortë i Serbisë, Slobodan Milosevic gjatë luftrave të viteve 1990.

Edhe në Serbi, presidenti populist Aleksandar Vuçiç e portretizon veten si udhëheqës pro-evropian, ndërkohë që përballet me akuza për frenimin e lirive demokratike dhe të mediave në vend. Tensionet politike u rritën muajin e kaluar kur protestuesit hynë në ndërtesën e televizionit shtetëror të zemëruar ndaj raportimeve të këtij stacioni, që ata thonë se është i njëanshëm.

Demonstruesit po kërkojnë dorëheqjen e zotit Vuçiç, zgjedhje të lira dhe më shumë demokraci. Ata kanë planifikuar një tubim të madh javën e ardhshme në Beograd.

Edhe Presidenti Vuçiç është përpjekur të minimizojë rëndësinë e protestave si një përpjekje e opozitës për të marrë pushtetin me forcë, ndërsa mediat pro-qeveritare i kanë quajtur udhëheqësit e opozitës si vegla të të huajve.

Në Shqipëri, partitë e opozitës vazhdojnë të protestojnë në rrugë që nga mesi i shkurtit, duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për zgjedhje të parakohëshme. Opozita e qendrës së djathtë akuzon qeverinë e majtë socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që qeveria i ka hedhur poshtë.

Protestat kanë qenë të dhunshme. Përkrahësit e opozitës disa herë janë përpjekur të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të qeverisë në Tiranë ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe pompat e ujit për t’i shpërndarë.

“Tipar i përbashkët i të gjitha këtyre protestave është se njerëzit janë të pakënaqur me regjimet shumëvjeçare dhe të korruptuara, është zemërimi i grumbulluar për vite, në mos për dekada me radhë,'' thotë analisti politik malazez Stevo Muk. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • kosovari: 07/04/2019 12:33

    KJo eshte nje e vertet e sigurte!Kjo nuk po ndodh vetem ne Mal te Zi,por edhe ne Shqiperi,po pergatitet edhe ne Kosove,ndoshta edhe ne serbi,Disa nga protestat joq e kane parullen e njejte,sic jane Protetata ne Sqhiperi,dhe keto qe po pergatitetn ne Kosove,por kane edhe terminet ditet e njeta te manifestimit protestues,me parulate shkapjen e shtetit,kunder hajnise,krimit dhe sundimit te paligjshem.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë