Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë ‘arrest me burg’ për Mirarbër Teneqexhiun, ish Kryetari i Doganës së Tiranës.
 
Po ashtu, kjo gjykatë ka lënë në fuqi vendimin edhe për Syrja Misirajn, doganier pasi ata akuzohen se kanë zhdukur 4.4 milion litra naftë “virxhin”.
 
Pas 6 muaj hetime prokuroria e Fierit arriti të zbulojë zhdukjen e 4.4 milion litra naftë “Virxhin” me vlerë 2 mln euro, naftë e cila mësohet të jetë kontrabanduar nga kompania “Tea Construction & Petrol” në pronësi të biznesmenit tashmë të shpallur në kërkim Adrian Xhillari.

Para se kjo kompani të administrohej dhe drejtohej nga Xhillari, ajo drejtohej nga gruaja e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, Tea Prifti.
 
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 4.4 milion litra naftë “Virxhin”, jo e përpunuar plotësisht, rezulton të jetë shpërndarë në pikat e karburantit në shumë qytete të vendit, duke sjellë përfitime për drejtuesit e kompanisë dhe dëme në buxhetin e shtetit dhe tek konsumatorët e naftës.

Nisur nga kjo situatë kryeprokurori i Fierit Ardian Ylli, pati firmosur 7 urdhër-arresti për Lula Njebza, ish-zv/Drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave aktualisht Drejtore e Degës Doganore Fier, Mirarbër Teneqexhiu, ish- Kryetar i Doganës Tiranë aktualisht Drejtor i Degës Doganore Vlorë, Alfred Bushi, ish- shefi i akcizës, Adrian Alikaj, doganier akcize, Syrja Misiraj, doganier akcize, Ortenca Zorba, doganiere akcize, Elona Jareci, doganiere akcize dhe Adrian Xhillari, administrator i kompanisë “Tea Construction & Petrol”.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)