Pas dy viteve studim të dosjes, gjykata e lartë ka vendosur të rrëzojë rekursin e biznesmenit Arben Frroku duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë që rëndon ndaj tij për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në 2013.
 
Vendimi për rrëzimin e rekursit të Frrokut është marrë më 8 qershor 2017 siç dhe shihni në këtë faksimile.
 
(Vendimi i Gjykatës së Lartë, Frroku kërkoi pafajësi)
gjykata shprehet per frrokun

Por si mbërriti në gjykatën e lartë dosja Frroku?
 
Më 3 Prill 2015 Gjykata e Shkallës së Parë pranë Krimeve të Rënda vendosi të shpallë të pafajshëm Arben Frroku dhe pse Prokuroria kërkoi dënimin me burg përjetë.
 
Pas këtij vendimi prokuroria depozitoi apel dhe kërkoi sërish dënimin e tij. Dy muaj më pas më 29 qershor 2015 Apeli i Krimeve vendosi të prishë pafajësinë duke vendosur dënim me burg përjetë.

Pas këtij dënimi Arben Frroku ishte larguar nga Shqipëria për t'u arrestuar shumë muaj më pas në Hollandë.
 
Me arrestimin e tij ministria e drejtësisë dërgoi letërporosi në Hollandë për ekstradimin e Frrokut për të cilin tashmë është shprehur dhe gjykata e cila ka lejuar ekstradimin drejt Shqipërisë.
 
Teksa ndodhej në arrati Arben Frroku më 28 Korrik 2015 ju drejtuar gjykatës së lartë me kërkesë për rekurs ndaj vendimit të apelit.
 
Dy vite më pas kjo kërkesë e tij u rrëzua dhe relatori Shkëlzen Selimi vendosi mospranimin e rekursit duke lënë në fuqi dënimin me burg përjetë.
 
Më 24 shkurt 2013 Arben Frroku u vu në akuzë për vrasjen e Dritan Lamajt ish shefit të komisariat të policisë numër 6 në kombinat me të cilin dhe më parë kishte patur konflikte.
 
Vetë Frroku e mohoi akuzën si publikisht dhe ashtu gjatë gjykimit, por Apeli i Krimeve të Rënda vendosi ta dënojë me burg përjetë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com