Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka dorëzuar rekurs për masën e sigurisë, që e pengon të dalë jashtë vendit.
Kërkesa për heqjen e bllokimit të pasaportës, pritet të gjykohet nga Gjykata e Lartë.
Më 20 nëntor 2025, SPAK e mori të pandehur ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku për shkelje të barazisë në tenderë për Tunelin e Llogarasë.
Por pas padisë së Kryeministrit Edi Rama, Gjykata Kushtetuese e riktheu zëvendëskryeministren në karrigen qeveritare.
Më 16 dhjetor, SPAK, kërkoi leje nga Kuvendi për ta arrestuar Ballukun, me elementë të rinj hetimor ndaj saj, duke vënë në dijeni deputetët se është në hetim për 7 lote të Unazës së Tiranës dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë, përfshirë koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.
Kërkesa e SPAK për arrestimin e numrit 2 të qeverisë ka mbetur ende pezull në sirtarët e Kuvendit. Ditën e mërkurë, 28 janar, në orën 12:00 ishte parashikuar që të mblidhej Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK, por Kuvendi njoftoi shtyrjen e mbledhjes pa afat.
Kjo lëvizje vjen ndërsa Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim për rastin 'Balluku', pas shqyrtimit të ankimit të qeverisë. Kushtetuesja është shprehur se i duhet më shumë kohë për të marrë një vendim.
Komente









