Po hetonte vrasjen e Aleks Nikës, Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencë! E gjithë dosja e 21 Janarit tashmë në SPAK

TIRANË- Dosja për vrasjet e pazbardhura në 21 janar të vitit 2011 do të hetohet e plotë në Prokurorinë e Posaçme. Pas një kërkese të ardhur nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, për tërheqjen e akteve, Prokuroria e Tiranës shpalli këtë të premte moskompetencën, duke ia dërguar të gjithë fashikujt hetimor SPAK-ut, i cili ka regjistruar procedimin pas vendimit të Gjykatës së Lartë.

Mësohet se Prokuroria e Tiranës ishte në pritje të ekspertizës së re mbi plumbin që ka vrarë të riun nga Lezha Aleks Nika. Pak muaj më parë ajo e ka dërguar predhën në një laborator të specializuar në Itali, ku pritet të përcaktohet arma që ka kryer goditjen. Përgjigja ekspertizës nuk ka mbërritur ende, ndërkohë që nga ekzaminimi i parë në SHBA nuk u arrit asnjë rezultat pasi predha ishte e dëmtuar në pjesën e vjaskave të lëna nga tyta e armës.

Asokohe predha u dërgua në një laborator kriminalistik në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nga analiza nuk janë përftuar të dhëna për identifikimin e armës që ka kryer qitjen. Për këtë arsye, vrasja e Aleks Nikës mbeti pa autor dhe nuk u përfshi në gjykimin e gardistëve të akuzuar për çështjen e 21 janarit. Pa autor mbeti dhe vrasja e Hekuran Dedës sipas vendimit të gjykatës së apelit.

Në SPAK janë thirrur Rajmonda Nika dhe Mark Nika, bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës. Rajmonda dëshmoi për 3 orë e pasi doli fjalëpak për mediat, tha se ka folur edhe për fakte të reja para oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një ditë më vonë më 23 korrik, u thirr në SPAK, Ndrea Prendi ish-kreu i Gardës në janarin e vitit 2011. Prendi u mor në pyetje për rreth 3 orë e 30 minuta. Ndrea Prendi, për të cilin është vërtetuar me vendim gjykate se me armën e shtetit i ka marrë jetën të paktën njërit prej të vrarëve Faik Myrtajt, nuk pranoi të jepte detaje për mediat para SPAK.

Vrasja e Nikës është pa autor pasi drejtësia shqiptare s’ka mundur të faktojë se nga cila armë u qëllua. Nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se nga pistoleta ‘Beretta model 92-FS me numer P52796Z’, në përdorim nga Komandanti i Gardës asokohe Ndrea Prendi, është qëlluar 11 herë. Ndërkaq, vetëm një herë është qëlluar me pistoletën me armën në përdorim nga shoferi i Prendit. Sipas hetimeve, tyta e pistoletës së Ndrea Prendit është ndryshuar me tytën e pistoletës së shoferit të tij.

Pas Ndrea Prendit në shkallët e SPAK për të dhënë llogari për rolin e tyre me 21 janar pritet të paraqiten edhe ish Kryeministri Berisha dhe ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha.

Prokuroria e Posaçme po heton 21 janarin si vrasje shtetërore ndërsa akuzat regjistruara janë shumë të rënda: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.

Drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për 2 jetë të ndërprera, Faik Myrtajn dhe Ziver Veizin, në mes të bulevardit në demonstratën e 21 janarit, duke i konsideruar ato vrasje nga pakujdesia.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Fier/ Të shpallur në kërkim për trafikimin e 11 emigrantëve, arrestohet njëri prej 3 personave

Fier/ Të shpallur në kërkim për trafikimin e 11 emigrantëve, arrestohet njëri prej 3 personave