TIRANE- Gjykata Administrative pezullon urdhrin e Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, për kthimin në atdhe dhe dorëzimin e mandatit të përfaqësuesit ushtarak të Shqipërisë në NATO për kundëradmiralin Kristaq Gërveni. Vendimi është marrë në 21 mars nga gjyqtarja Afërdita Maho që vendosi pezullimin e zbatimin e urdhërit të Kodhelit deri në përfundimin e procesit, u zbardh dje. Urdhëri aministrativ i nxjerrë më 7 mars nga Kodheli motivohej me përfundimin e mandatit 3-vjeçar të Gërvenit, ndërsa në 17 mars ishte bërë ankimi i Gërvenit në gjykatën administrative. Trupi gjykues nën drejtimin e gjykatëses Afërdita Maho, bashkëshorte e ish-kreut të AKKP Besnik Maho, e emëruar në korrik 2013, ka konstatuar se dhënia e vendimit pas largimit të Gërvenit nga detyra më 31 mars është i pamundur për t’u ekzekutuar, përbënte një shkelje të të drejtës Kushtetuese.

I mbrojtur nga Ndue Marku, avokati dhe me prokurë nga Gërveni, u shpjegua pse pezullimi i zbatimit të urdhërit të ministres deri në vendimin përfundimtar është i domosdoshëm. Në argumentin e gjykatës për vendimin e pezullimit thuhet se zbatimi i këtij akti administrativ do t'i sillte një dëm të rëndë, të pakthyeshëm dhe të atëçastëm, pasi shkarkimi i tij dhe zëvendësimi me një ushtarak tjetër në këtë detyrë do zhvleftësonte çdo lloj përpjekje për rivendosje të së drejtës me anë të procesit gjyqësor. Ndërsa pala e paditur Ministri Mbrojtjes, personi i tretë Presidenti e Avokatura e Shtetit s’janë paraqitur. Gjykata arsyetoi se në rastin konkret ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në shkresa për mundesinë e shkaktimit të një demi të rëndë e të pakthyeshem në moment për Gërvenin.

Në këtë mënyrë, duke qënë se gjykata nuk mund të japë një vendim përfundimtar deri më 31 mars kur përfundon mandati i Gërvenit, ku mund të zëvendësohet me një ushtarak tjetër dhe çdo vendim përfundimtar që do zgjidhte në themel këtë konflikt do ishte i pamundur për t'u ekzekutuar në rast se Gërveni do dorëzonte detyrën më 31 mars e do zëvendësohej nga një tjetër ushtarak, që do përbënte një shkelje të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor. Gjykata konstaton se s’cënohet as interesi publik, përderisa nuk krijohet asnjë vakancë në ushtrimin e detyrës së paditësit si Përfaqësues Ushtarak në NATO dhe përfaqësimit të interesave të Shqipërisë në të. Ndërkohë as Ministria për gjykatën s’pretendoi e as provoi ndonjë dem të mundshëm që i shkaktohej asaj. Ndaj gjykata vendosi pezullimin e zbatimit të udhërit të Kodhelit.
 
Letra avokatit
Ndërkohë që avokati tjetër i kundëradmiralit, Arjan Isufi me cilësinë e përfaqësuesit ligjor i ka dërguar letër ministrisë së Mbrojtjes ku e vë në dijeni për vendimin e pezullimit nga gjykata të zbatimit të vendimit administrativ të Kodhelit për kthimin në Shqipëri të Gërvenit deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës. Sipas avokatit vendimi për pezullim hyn në fuqi menjëherë, ndërsa i ka dërguar ministrisë elektronikisht edhe vendimin e plotë.

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)