Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë, ja si Shqiptarja.com paralajmëroi 'PO' e Bundestagut për Shqipërinë

Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë, ja si Shqiptarja.com paralajmëroi 'PO' e Bundestagut për Shqipërinë

TIRANE - Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se është sukses i Shqipërisë që pastroi sistemin e drejtësisë dhe nuk është dështim i Shqipërisë që Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë mbetën pa gjyqtarë për shkak të largimit të të korruptuarve! Por linjën e ndjekur nga Bundestagu gjerman që dha PO-në për çeljen e negociatave për anëtarësim, e ka paralajmëruar edhe Shqiptarja.com në shumë shkrime dhe kronika, edhe pse opozita dhe Presidenti Ilir Meta e kanë cilësuar bllokimin e gjykatave si kapje të drejtësisë së re nga kryeministri Edi Rama.  Aktualisht Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, dy institucionet më të rëndësishme gjyqësore të vendit. Në veçanti, mungesa e një Gjykate Kushtetuese është veçanërisht e rëndë në këtë moment krize institucionale. Por zgjedhja ishte e qartë ose të funksiononin me anëtarë pa integritet dhe që nuk justifikonin pasurinë ose të pastrohej në këtë mënyrë për të pasur një drejtësi të denjë.

Përpara se të niste procesi i Vettingu-t, të dy gjykatat kryesore në vend ishin funksionale. Gjykata Kushtetuese kishte 9 anëtarët e saj, prej të cilëve dyve ju mbaroi mandati e u tërhoqën, ndërsa një tjetër gjykatës, Besnik Imeraj dha dorëheqjen. Me 6 anëtarë të saj Gjykata mund të merrte çështje në shqyrtim si dhe të jepte vendim, duke qenë se kuorumi minimal për vendimmarrje është të paktën 5 anëtarë. Gjykata Kushtetuese funksionoi deri më 3 maj 2018, kur komisioni i Vettingut rrëzoi Altina Xhoxhajn. Me largimin e saj, Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me katër anëtarë dhe kështu pa kuorumin e domosdoshëm për të marrë vendime. Procesi i verifikimit, e nxori Gjykatën jashtë loje, duke qenë se 3 anëtarë të tjerë të saj u rrëzuan që nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ish kryetari Bashkim Dedja nga Kolegji i Apelit. Aktualisht, në Gjykatën Kushtetuese mbetet në detyrë vetëm Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandati pasi është emëruar që në mars të 2008, por qëndron në detyrë deri në ardhjen e zëvendësuesit.

Sipas Kushtetutës së ndryshuar në korrik të 2016, 9 anëtarë e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen 3 nga Kuvendi i Shqipërisë, 3 nga Presidenti dhe 3 nga Gjykata e Lartë, në bashkëpunim me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Ndërsa Gjykata e Lartë nuk funksionon më që nga 6 korriku 2018, pasi në vetëm 24 orë u rrëzuan tre nga anëtarët e saj nga procesi i Vettingut. Gjykata e Lartë, sipas një ndryshimi ligjor të vitit 2013 duhet të ketë 19 anëtarë. Ligji e rriti me 5 numrin e gjykatësve të saj, por përplasjet politike mes shumicës dhe ish presidentit Nishani, bënë që anëtarët shtesë të mos zgjidheshin. Përpara nisjes së Vettingu-t, 5 nga gjykatësit e Lartë dhanë dorëheqjen, pasi kishin mbushur vitet e mandatit në detyrë, ndonëse ligji parashikon se ata mund të qëndrojnë deri në momentin e zëvendësimit. Mes 9 anëtarëve të mbetur, vetëm 4 prej tyre i rezistuan Vettingut, ndërkohë që në fund dy e kaluan vettingun, Mehdi Bici, u largua pasi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ardian Dvorani që në krye të KED-së.

Gjermania i ka vendosur dy kushte Shqipërisë për negociatat. Praktikisht për të filluar formalisht negociatat, Shqipëria duhet të plotësojë dy kushtet: Aprovimin e Reformës në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe plotësimin e kuorumit për të bërë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Kjo duhet te arrihet brenda shkurt-marsit 2020 kur është parashikuar Konferenca ndërqeveritare në të cilën do të marrë pjesë edhe Maqedoni dhe Shqipëria dhe qe starton formalisht negociatat. Shtatë kushtet e tjera do të duhet të respektohen gjatë fazës së negociatave sipas kapitujve të ndryshëm që do te duhet te diskutohen. Vetëm pas kompletimit të të gjithë kapitujve Shqipëria mund të shpresojë në anëtarësim.

Si u shpërbë grupi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë

1-Medi Bici, u konfirmua në detyrë nga Vetingu, por u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.  

2-Ardian Dvorani u konfirmua në detyrë nga Vetingu, por i ka mbaruar mandati 9-vjeçar, pasi është zgjedhur që në 2005.

3-Xhezair Zaganjori (kryetar i Gjykatës së Lartë), u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik, me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Pasurisë, për shkak të problemeve me pasurinë.

4-Edmond Islamaj, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Pasurisë, për shkak të problemeve me pasurinë.

5-Admir Thanza, i shkarkuar nga komisionet e Vetingut për shkak të lidhjeve me krimin, vjedhjes dhe dënimit në Itali, fshehjes, deklarimit të rremë dhe mosjustifikimit të pasurisë.

6-Tom Ndreca, i shkarkuar nga komisionet e Vetingut, për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe kontakteve me një person të inkriminuar.

7-Artan Broci, anëtar i Gjykatës së Lartë, i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për shkak të disa problemeve me pasurinë.

8-Majlinda Andrea, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, e dënuar nga vetë Gjykata e Lartë për korrupsion.

9-Mirela Fana, ish-anëtare e Gjykatës së Lartë, e dorëhequr nga frika e Vetingut.

10-Andi Çeliku, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij.

11-Aleksandër Muskaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij.

12-Evelina Qirjako, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj.

13-Guxim Zenelaj, i larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e tij.

14-Arjana Fullani, e larguar nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, për shkak të mbarimit të mandatit, edhe pse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri në zëvendësimin e saj.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj