Kushtetuesja 'ngel' rregulloren e Kuvendit! Shfuqizohen disa pika, jo 30 ditë përjashtim deputetëve dhunues! mbetet në fuqi 60 ditë për mjetet piroteknike në seancë

Rregullorja e re e Kuvendit, miratuar mes tymit e kaosit të opozitës dhe vetëm me votat e maxhorancës, nuk e kaloi plotësisht filtrin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i quajti “antikushtetuese” një sërë ndëshkimesh për deputetët rebelë.

Pasi shqyrtoi padinë e demokratëve, Gjykata shfuqizoi përjashtimin me 30 ditë të deputetëve dhunues, duke lënë në fuqi përjashtimin 10 ditor të tyre.

‘Gjykata shfuqizoi njëzëri, nenin 65/1, pika 6, shkronja “a”, me përmbajtje: “kur deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve”, për shkak të paqartësisë së kësaj norme, e cila mund të çojë në arbitraritet në zbatimin e saj, pasi për të njëjtat shkaqe (dhuna ndaj deputetëve) është parashikuar nga i njëjti nen edhe masa displinore me 10 ditë përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose seancë plenare.’- thuhet në vendimin e GJK.

Nëse episodi mes deputetit Bledion Nallbati dhe Vullnet Sinajt do të përsëritej, për deputetin dhunues përjashtimi maksimal do të jetë 10 ditë, njëjtë siç rregullat e vjetra të Kuvendit parashikonin.

Por nëse deputetët i drejtohen sërish Kuvendit me mjete piroteknike dhe përsërisin këto skena të tymueseve në seancat plenare, përjashtimi me 60 ditë do të jetë në fuqi për ta.

Gjykata Kushtetuese e vlerësoi si të drejtë këtë pikë të shumëdebatuar të rregullores së re dhe nuk e shfuqizoi.

Por 60 ditë përjashtim nuk do të aplikon në rastet e tjera, që rregullorja e re parashikonte:

‘Shfuqizohen Njëzëri, nenin 65/1, pika 7, shkronjat “b” dhe “c”.  Në lidhje me shkronjën “b” me përmbajtje: “kur deputeti kryen veprime/sjellje që dyshohet se përmbajnë elemente të veprës penale, të parashikuara në Kodin Penal”, Gjykata vlerësoi se ai mbart paqartësi në formulim në lidhje me dyshimin për elemente të veprës penale.  Në lidhje me shkronjën “c” me përmbajtje “kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6”, Gjykata vlerësoi se masa është joproporcionale në drejtim të përshtatshmërisë dhe ashpërsisë së saj.”- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjithashtu Gjykata, ka parë antikushtetuese edhe pikën 9, të po këtij neni që parashikon që nëse deputeti përjashtohet, ai jo vetëm që nuk merr pjesë në seancat plenare e komisione, por edhe në veprimtari të tjera parlamentare.

‘Gjykata shfuqizoi Me shumicë votash, nenin 65/1, pika 9, me përmbajtje: “Gjatë periudhës së zbatimit të masës disiplinore të parashikuar në pikat 6 the 7 të këtij neni deputeti ndalohet të kryejë dhe çdo veprimtari tjetër si anëtar i Kuvendit.”, pasi ai përbën një masë të re disiplinore në kontradiktë me vetë titullin e këtij neni “Masa e përjashtimit nga komisionet dhe seanca plenare”, duke parashikuar shtrirjen e masës edhe në veprimtari të tjera parlamentare, të cilat parashikohen të listuara në nenin 40 të Rregullores së Kuvendit.’- njofton Gjykata Kushtetuese.

Pra, edhe nëse janë të përjashtuar, deputetët nuk mund t’i ndalohet pjesëmarrja në aktivitete të tjera parlamentare, ndryshe nga sa ndodhte në këto episode të 6 Nëntor 2023, kur deputetët e përjashtuar të opozitës nuk u lejuan të futeshin brenda ambienteve të kryesisë për të zhvilluar mbledhjen e grupit.

Rregullorja e kuvendit u rishikua dhe u votua vetëm me votat e socialistëve në dhjetor të 2023, në një klimë kaosi të opozitës që nuk lejonte normalitet në Kuvend pa u plotësuar kërkesat e saj, kaos që zgjati rreth 6 muaj. Më 19 dhjetor, Gazment Bardhi me 45 deputetë firmëtarë e çoi në Kushtetuese këtë rregullore duke korrur, pas thuajse 7 muajsh një gjysmë-fitoreje.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni urdhrin për heqjen e pushimeve verore për policët?



×

Lajmi i fundit

Baton Haxhiu gënjeu, në SPAK ishte pyetur për Ilir Metën, në maj deklaroi se kishte shkuar për intervistë

Baton Haxhiu gënjeu, në SPAK ishte pyetur për Ilir Metën, në maj deklaroi se kishte shkuar për intervistë