PS miraton mes tymueseve rregulloren që përjashton 2 muaj deputetët e kaosit! Bardhi: E çojmë në Kushtetuese! Rithemelimi përplaset me Gardën

TIRANË-  Mes tymueseve PS miratoi sot me 74 vota pro rregulloren e re e cila përjashton me 2 muaj deputetët që shkaktojnë kaos në Kuvend duke penguar zhvillimin normal të seancës.

Deputetët e grupit Berisha dhe të Bardhit përsëritën sot skenarin e kaosit në Kuvend. Fillimisht deputetët e përjashtuar të Rithemelimit u përplasën me gardën e cila kishte bllokuar derën dhe nuk i lejonte ata të hyjnë. Protagonisti kryesor i kaosit, edhe këtë herë ishte Flamur Noka, krahu i djathtë i Sali Berishës, për të cilin SPAK i kërkon kuvendit autorizim për arrestim/heqje lirie pasi refuzoi zbatimin e vendimit të GJKKO-së në kuadër të hetimit për akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Këtë herë deputetët e Gazment Bardhit dhe të Sali Berishës e kthyen oborrin e parlamentit në fushën e betejës së tyre. Me 13 të përjashtuarit në krye, opozitarët mbërritën në Kuvend rreth një orë para nisjes së seancës së sotme (14 dhjetor 2023). Nisën menjëherë përplasjen me Gardën, e cila ishte vënë gardh për të mos lejuar deputetët e përjashtuar të futen në sallë. Flamur Noka nisi i pari përplasjen fizike, duke shtyrë e goditur punonjësit e Gardës. Theu xhamin e derës kryesore të goditës së Kuvendit.Përplasjes me Gardën iu bashkuan edhe të tjerët, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, që i quajti ish-sigurimsa punonjësit e saj.

Për gati 60 minuta vijoi kjo situatë, ku deputetët e përjashtuar pavarësisht tentativave të njëpasnjëshme nuk arritën të futeshin në sallë.

Fillimisht nuk lejuan as socialistët të futeshin.

Përplasja e parë mes deputetëve ishte ajo e Gazment Bardhit i cili bashkë me një grup të vogël kolegësh u shkëput nga të tjerët dhe tentoi të futej nga dera e pasme e Kuvendit. Aty u përplas verbalisht me deputeten socialiste Olta Xhaçka.

Edhe Flamur Noka nga ana tjetër, u përplas me deputetin socialist të qarkut Vlorë, Ilir Metaj. I mbetur jashtë, Flamur Noka e bëri një tentativë të fundit për hyrë në parlament përmes një dritareje, që tha se u përdor edhe nga deputetët socialistë për t’u futur në sallën e seancave plenare.

Kur ora shënoi 10:00, e seanca duhej të niste zyrtarisht, deputetët e PS dhe opozitarët e papërjashtuar u futën në seancë.

Edhe pasi arritën të hynin, deputetët e opozitës vijuan përplasjen me Gardën për shkak të kontrollit të shtuar.

Sa nisi seanca Edmond Spaho ndezi flakadanë ndërsa kryetarja e Kuvendit Nikolla kaloi në votim pa diskutim pr/ligjet në rendin e dites duke miratuar me 74 vota rregulloren e re te Kuvendit, e cila parashikon deri në 60 ditë përjashtim të deputetëve. Po me 74 vota u miratua futja e 'Oksidit të azotit' te lëndët psikotrope.

Ndërkohë u hoq nga rendi i ditës miratimi i marrëveshjes me Italinë për emigrantët pasi dje Gjykata Kushtetuese e pezulloi deri me daljen e një vendimi më 18 janar 2023.

Seanca zgjati vetëm 8 minuta, teksa aksioni paralel vijonte jashtë nga të përjashtuarit.

Menjëherë pas përfundimit të votimit, Gazment Bardhi paralajmëroi se rregullorja e re do të çohet po në kushtetuese.  Por Bledi Çuçi nuk shfaqi asnjë pendesë të socialistëve, duke thënë gjithçka bëhet vetëm për Sali Berishën.

Ky i fundit (Berisha) e ndoqi nga afër aksionin e të tijve, duke dhënë herë pas here edhe direktiva. Në përfundim në Parlament mbërriti edhe policia, për të mbledhur provat e asaj që kishin ngelur nga protesta e Rithemelimit.

Ndiqni të gjitha zhvillimet më poshtë 

Deputetët e përjashtuar
Gazment Bardhi
Sali Berisha
Flamur Noka
Edi Paloka
Albana Vokshi
Elda Hoti
Ervin Salianji
Bledion Nallbati
Asllan Dogjani
Lefter Gështenja
Isuf Çelaj
Luan Baçi
Xhelal Mziu

(Kliko këtu për të parë rendin e ditës)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:00
'Fushë-beteja' në oborrin e Kuvend, momenti kur Gazment Bardhi përplaset me gardistin: Të prek që ç'ke me të, legen (Video)

 

Deputetët e Gazment Bardhit dhe të Sali Berishës e kthyen oborrin e parlamentit në fushën e betejës së tyre. Përplasje pati me deputetët e mazhorancës dhe me gardën e cila ishte vënë gardh për të mos lejuar deputetët e përjashtuar të futen në sallë. Një përplasje me një punonjës të gardës ka pasur edhe vetë Bardhi i cili dëgjohet që dhe e quan legen.

 

 

Ora 15:23
FOTOLAJM/ Deputetët e përjashtuar të Rithemelimit përplasen me gardën, Agron Gjekmarkaj me laptop gjen frymëzimin në shkallët e Kuvendit

1702563384_agrongjekmarkaj.jpg

Foto: Kuvendi 14 dhjetor 2023

Deputetët e përjashtuar të Rithemelimit për më shumë se një orë e gjysmë, në përpjekje për tu futur në sallë, u përplasën fizikisht me gardën, ndërsa thyen xhamin e derës kryesore të Kuvendit.

E në këtë situatë nuk u la të hynte dhe nënkryetari I kuvendit, deputeti Agron Gjekmarkaj, I cili duket që këtë kohë e shfrytëzoi mirë.

U ul në shkallët e kuvendit dhe me laptop u frymëzua të shkruajë opionin e radhës. “Verbëria’

Ora 15:12
Përplasjet në Kuvend/ Zhupa e Hoti bllokojnë derën me trup, nuk lejojnë Spiropalin dhe Xhafajn të futen në seancë (FOTO)

 

Thyerje xhamash dhe përplasje fizike me gardën ishte ky skenari i radhës i Rithemelimit për të penguar zhvillimin normal te seancës plenare. Deputetët e përjashtuar për më shumë se një orë e gjysmë, në përpjekje për tu futur në sallë, u përplasën fizikisht me gardën, ndërsa thyen xhamin e derës kryesore të Kuvendit.

Përplasje ka pasur dhe mes deputetëve. Siç shihet në foto dy deputetet demokrate, Ina Zhupa dhe Elda Hoti që nuk i kanë lejuar të futen në ambientet e brendshme të Kuvendit deputetët e PS, mes tyre dhe ministrja Elisa Spiropali dhe deputetin Etjen Xhafaj.

Ora 13:46
Ndalohet me ligj përdorimi i tullumbaceve me azot! Mes tymueseve futet në listën e lëndë psikotrope

 

Protoksidi i azotit tashmë konsiderohet me ligj lëndë psikotrope dhe përdorimi saj, kryesisht përmes tullumbaceve me azot nga të rinjtë në lokalet e natës është i paligjshëm. Mes kaosit të krijuar nga deputetët e opozitës në Kuvend, ndryshimet ligjore të propozuara fillimisht nga ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe të mbështetura nga ministria e Shëndetësisë, pas miratimit në komisionet p[parlamentare morën votën pro të deputetëve të maxhorancës edhe në seancën parlamentare.

Në seancë u rrëzuan amendamentet e propozuara për këtë çështje nga deputetët e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Monika Kryemadhi dhe nga Petrit Vasili. 

“Kryetare është e papranueshme situata e parlamentit jashtë kësaj salle, është e papranueshme që deputetët nuk lejohen të hyjnë brenda...”

Përdorimi i drogës me tullumbace, u kthye në shqetësim serioz disa muaj më parë, kur përmes një investigimi të Report Tv u zbulua se tregtohej lirshëm në lokalet e natës, si të ishte  një produkt i shëndetshëm.

Ora 12:18
VIDEO/ Ikin deputetët e kaosit, në oborrin e Kuvendin vjen furgoni i policisë

Kaosi I ka lënë vendin efektivëve të policisë të cilët kanë hyrë në Kuvend për të mbledhur prova. Pas çdo séance të kaosit ekspertët e BKH-së dhe të policisë shkojnë në kuvend për të mbledhur prova.

Report Tv ishte aty kur mbërriti furgoni.

Ora 12:15
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Çuçi: Nuk tërhiqemi, shumë e rëndësishme për të treguar që jemi vend evropian

1702551600_cuci.jpg

Bledi Çuçi u shpreh mazhoranca nuk tërhiqet nga marrëveshja për emigrantët me Italinë. Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, kreu i grupit parlamentar në PS, tha se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për të treguar se Shqipëria është vend evropian.

‘Është e drejta e tyre dhe ne do të zbatojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ju e patë sot që ne nuk e diskutuam fare dhe e hoqëm nga rendi i ditës.’- tha Çuçi.

Pyetje: A do të tërhiqeni?

Bledi Çuçi: Absolutisht jo! Ne do të vazhdojmë t’i qëndrojmë. Unë besoj se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të treguar që jemi vend evropian.

Ora 12:03
VIDEO/Deputeti i Vlorës përplaset me Flamur Nokën: Mos më fol si i fortë mua, me 20 veta në mes

Deputetët e përjashtuar të Rithemelimit tentuan të hyjnë me forcë në Kuvend duke u përplasur fizikisht edhe me gardën e cila ishte vendosur para hyrjes kryesore.

Në një moment është shkaktuar dhe përplasje verbale mes deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe ai të PS, Ilir Metaj

Ilir Metaj: Hajde hajde, Muli!

Flamur Noka: Do të vij unë.

Ilir Metaj: Je i fortë ti, je gangester?

Flamur Noka: Nuk të shoh si njeri, të shoh si karton.

Ilir Metaj: Unë nuk të shoh as si karton.

Flamur Noka: Bëni punën tuaj, mos t’ju ndërsejë Edi Rama si qen.

Ilir Metaj: Fol mirë, mos përdor atë gjuhë me 20 veta në mes Muli.

Flamur Noka: Rri si deputet, kaq po të them.

Ora 11:36
Rregullorja e re e Kuvendit, Meta: Asgjësim i opozitës, antikushtetuese

1700225261_meta.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës deputetët që ndezin tymuese apo flakë në Kuvend do përjashtohen me dy muaj. Në një reagim në rrjetet sociale, Meta shkruan se përmes rregullores së re synohet asgjësimi i opozitës dhe thotë se pezullimi i mandateve të deputetëve është antikushtetuese.

Meta thotë se vetëm plotësimi i kërkesave të opozitës rikthen normalitetin në Kuvend.

“Ndryshimet e njëanshme të Rregullores së Kuvendit të bëra në mënyrë arbitrare dhe përjashtuese synojnë asgjësimin e opozitës dhe parlamentarizmit. Ndaj pezullimi i mandateve të deputetëve në këtë mënyrë antikushtetuese është i papranueshëm. Vetëm plotësimi i kërkesave të opozitës rikthen normalitetin në Kuvend dhe garanton rolin e tij kontrollues ndaj qeverisë.

Ora 11:35
FOTO/ Stafetën e ndezjes së flakadanëve në kuvend e merr Edmond Spaho! Rithemelimi vijon kaosin

Ka zgjatur vetëm 8 minuta seanca e sotme mes tymit të shkaktuar nga tymueset të cilat edhe këtë herë deputetët e Rithemelimit ndezën në Kuvend. Sot stafetën e mori Edmond Spaho. Në foto duket qartë kur ai ndez tymuesen dhe më pas e vendos në tavolinë.

Duhet thënë se kaosi që vijon të shkaktojnë deputetët e Rithemelimit nuk ndalon maxhorancën të votojë pr/ligjet në rendin e ditës.

Sot me 74 vota u miratua dhe rregullorja e re e Kuvendit që parashikon përjashtimin deri në 60 ditë të deputetëve që shkaktojnë kaos. Deri tani janë 13 deputetë të Rithemelimit që janë përjashtuar për ndezjen e flakadanëve. Foto LSA.

Ora 11:15
VIDEOLAJM/ Xhamat përtokë, si e theu Flamur Noka derën e Kuvendit

 

Deputeti Flamur Noka sot është përplasur fizikisht me gardistët, pasi nuk e lejuan të futet në sallë duke qenë se ishte i përjashtuar.

Përveçse dhunoi punonjësit e Gardës, Noka ka thyer edhe xhamat e derës së Kuvendit.

Kjo është video që tregon xhamat përtokë.

Ora 11:08
Rithemelimi kaos në Kuvend, Çuçi: Përjashtimi me 2 muaj krejt normal, në Itali deputetët ndëshkohen me 15 seanca

1702548600_cuci.jpg

Kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi në një dalje për mediat pas përfundimit të seancës ka komentuar kaosin e Rithemelimit. Çuçi tha se ndryshimet në rregulloren e Kuvendit për të përjashtuar me dy muaj deputetët e kaosit janë krejt normale, pasi të ndezësh zjarr e tymuese në Kuvend është vepër penale. Çuçi mori shembullin e Italisë, kur tha se atje deputetët përjashtohen me 15 seanca plenare.

“60 ditë është vetëm kur vendosin zjarr dhe përdorin mjete piroteknike dhe kur ushtrojnë dhunë, apo kur veprimet e tyre përbëjnë vepër penale. Krejt normale, sepse nuk është jo normale, por është vepër penale të ndezësh zjarr në sallën e parlamentit që është një moment shumë solemn. Nëse 23 deputetë të opozitës ndezin zjarr në parlament do përjashtohen padiskutim. Duhej të shihte diskutuar ndryshimi, por kush vjen për ta diskutuar. Nuk u paraqitën as në këshillin e rregullores.

E dini sa është në parlamentin italian, 15 seanca. Pengohen në Itali të ngrenë komisione hetimore? As te ne nuk pengohen, i bëjnë në formën e duhur. S’kemi penguar dhe s’do i pengojmë asnjëherë. Kemi paraqitur një set ndryshimesh në ligjin për komisionet hetimore”, tha Çuçi.

Ora 11:00
Dash Sula i revoltuar në Kuvend, përplaset fizikisht me Gardën

Deputeti dash Sula ia doli që të futet në sallën e Kuvendit pas disa tentativave. Në ambientet e jashtme të Kuvendit, Sula hipi mbi kokat e gardistëve duke tentuar që të ‘fluturojë’ për t’u futur brenda.

Por kjo tentativë dështoi, ndërsa më pas është futur në sallë pasi nuk ishte një prej të përjashtuarve.

Teksa u fut brenda, Sula ishte i revoltuar dhe u përplas fizikisht me një prej punonjësve të Gardës pais nuk pranoi kontrollin.

Ora 10:49
Bardhi ironizon rregulloren e re: PS ta bënte përjashtimin 4 vite dhe të shpallte diktaturën

 

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka ironizuar rregulloren e re të Kuvendit të miratuar vetëm me votat e mazhorancës, sipas së cilës deputetët që krijojnë kaos rrezikojnë të përjashtohen me 2 muaj. Bardhi ironizoi duke thënë se nuk e kupton përse PS nuk e bëri përjashtimin 4 vite dhe të shpallte diktaturën

Ndërkohë, ai theksoi se do ta vijojnë aksionin parlamentar.

“Do ta vijojëm aksionin. S’ka forca sigurie apo akte të njëanshme që pengojnë opozitën të kërkojë respektimin e të drejtave të veta kushtetuese. Mund ta kishin bërë dhe 4 vjet, derisa të mbaronte kjo legjislaturë mos të na lejonin, se kuptoj arsyen pse e kanë bërë 60 ditë. E kishin bërë 4 vjet dhe kishin rënë rehat dhe të kishin shpall zyrtarisht diktaturën në vend. Do vazhdojmë të ushtrojmë misionin tonë dhe mandatin tonë. Me regjimin përplasesh se nuk do përqafohesh. Një njeri që qëndron në pushte me paratë e korrupsionit, e vetmja rrugë është përballja. Sa herë që mazhoranca përshkallëzon veprime ndaj opozitës është detyra jonë të përshkallëzojmë veprimet e tona.

Ora 10:41
Miratimi i rregullores së re të Kuvendit, Bardhi: Do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese! Nuk i bindemi

 

Gazment Bardhi ka paralajmëruar se do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese miratimin e rregullores së re të Kuvendit. Sipas Bardhit ata nuk do ti binden ndryshimeve të reja të Kuvendit.

‘Miratuan ndryshime që bien ndesh me kushtetutën e Shqipërisë. Vendimi i sotëm i pezullimit të mandatit të deputetëve të opozitës do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Ne përveçse do ta çojmë në gjykatën Kushtetuese nuk dot ti bindemi rregullave të tyre.

Sa kohë dje në orë të vona të pasdites është pezulluar marrëveshja me Italinë, gjej rastin ta përshëndes këtë vendim të vonuar të GJK dhe gjej rastin të shqyrtojë këtë vendim të paanshëm që bie ndesh me këtë marrëveshje të GJK-së.’- tha Bardhi.

Ora 10:34
Mes kaosit dhe tymuesve, PS miraton me 74 vota rregulloren e re për përjashtimin me 2 muaj të deputetëve

1702545815_tymuse.jpg

Ka zgjatur vetëm 8 minuta seanca e sotme plenare, e cila u mbyll pa diskutime për shkak të kaosit të krijuar nga deputetët e opozitës. PS ka miratuar me 74 vota pro rregulloren e re për Kuvendin e cila parashikon masa më të forta ndëshkuese për deputetë të cilët krijojnë kaos të Kuvend.

Ora 10:26
VIDEO/ Saimir Korreshi shtrihet në skaner: Do futem aty, nuk e heq xhupin se kam ftohtë

Deputeti Saimir Korreshi ka debatuar me Gardën pasi nuk lejon që ata të ushtrojnë kontroll. Korreshi nuk e hoqi xhupin për kontroll, ndërsa u ‘shtri’ në skaner për të kaluar bashkë me xhupin.

Korreshi: Nuk e heq kam ftohtë. Po do të fute unë në skaner bëj radiografi. O dashi mbaje pak të hy në skaner.

Dash Sula: Hiq dorën ore. Të dhimbset deputeti ty. Mos e prek.

Korreshi: Dua të kaloj këtu, nuk e heq xhupin. Të futem unë këtu meqë paske dyshime.

Dash Sula: Menere thuaj, jo deputet. Jemi menere.

Korreshi: Unë po të them hajde të futem unë këtu nëse kam gjë të paligjshme. Nuk e heq unë xhupin.

Ora 10:22
Nis seanca mes tymueseve! Deputetët e përjashtuar nuk futen dot

 

Ka nisur seanca plenare në Kuvend. Deputetët e përjashtuar pavarësisht kaosit nuk u futën dot në sallë.

Në nisje të seancës deputetët e Berishës kanë ndezur tymuese. 

Ora 10:16
Flamur Noka i bie rrotull Kuvendit: Ja ku është dritarja që u futën deputetët e mazhorancës

 

Flamur Noka, protagonist i kaosit të Rithemelimit, i përjashtuar nga seanca plenare pretendon se gjeti vendin se nga u futën deputetët e mazhorancës brenda ambienteve të Kuvendit.

Noka i cili i ra rrotull Kuvendit tha se ata janë futur nga një dritare dhe tregoi për gazetarët hyrjen.

‘I pashë duke u futur u futën nga kjo dritare!’- tha Noka.

Ora 10:14
'Nuk është hajdutët brenda të ndershmit jashtë!... O legen o burracak!' Gazment Bardhi përplaset me Olta Xhaçkën e pengon të hyjë në Kuvend

Në një moment deputetja Olta Xhaçka tenton të hyjë në Kuvend nga një derë tjetër.  Por aty ishin tre gardistë që kishin mbyllur derën si dhe deputetët e Rithemelimit Gazment Bardhi dhe Edi Paloka.

Gazment Bardhi nuk ka lejuar Olta Xhaçkën të hyjë në Kuvend.

Gazment Bardhi: Nuk është hyrja hajdutët brenda të ndershmit jashtë, nuk është kështu. As me investimet strategjike as me fonde AZHBR

Olta Xhaçka: Nuk dua të prish gojën por e di si e do përgjigjen

Gazment Bardhi: Hë një herë!

Jepe jepe, përgjigjen do ta japësh në SPAK shumë shpejt

Olta Xhaçka duke u larguar: Kokrra e legenit. O legen o burracak! Nuk je burrë!

Gazment Bardhi: Shumë shpejt do ta japësh përgjigjen në SPAK. Bëj gati kyçet e dorës shumë shpejt

Ora 09:56
Dash Sula: Do bëjmë kallëzim në SPAK për Gardën! Fytyra të urryera, do të përfundoni si minj, si ish-sigurimsat

Deputeti i PD, Dash Sula hedh akuza ndaj Gardës se nuk po lejon deputetët e opozitës që s’janë të përjashtuar të futen në sallën e Kuvendit. Sula i bëri thirrje deputetëve të PD që të bëjnë kallëzim në SPAK për shefin e Gardës dhe punonjësit, që sipas tij nuk po i lejojnë të përmbushin detyrat në parlament.

"Nuk na lejohet që të futemi në parlament për të përmbushur detyrat. Unë i bëj thirrje kolegëve të PD, nga i pari te i fundit që nuk janë të përjashtuar, që sot të përpilojnë një akt denoncimi në SPAK ndaj shefit të gardës dhe gardistëve që pengojnë përmbushjen e detyrës në parlament të përfaqësuesve të popullit. Shkelin ligjin, dhunojnë të drejtat e deputetit. Filmojini këto fytyra, të urryera, ti shikojnë pas 15 vitesh ku do jenë. Nuk do rrijë Shqipëria këtu, u përmbys diktatura dhe ikën si mi sigurimasat. Edhe ju ashtu do përfundoni, këta janë pjellat e gjyshërve dhe prindërve sigurimsa", tha Dash Sula.

Ora 09:47
Deputetët e opozitës përplasen me Gardën jashtë, ja çfarë ndodh në ambientet e brendshme të Parlamentit

 

Në një kohë që në  ambientet e jashtme të Parlamentit, deputetët e Rithemelimit po përplasen me Gardën, nga brenda, në sallën e parlamentit ka punonjës të gardës.

Siç shihet punonjës të Gardës, po qëndrojnë thuajse në të gjithë hapësirën ku nuk ka karrige.

Ora 09:39
VIDEO/ Flamur Noka dhunon punonjësin e Gardës

Flamur Noka ka dhunuar një prej punonjësve të Gardës. Teksa bashkë me deputetët e tjerë të përjashtuar tentojnë të futen në sallë, janë përplasur dhunshëm me punonjësit e Gardës.

Në një moment, Noka tërheq me forcë një prej punonjësve. Në këtë video shihet se si e tërheq për qafe dhe xhakete me qëllim që të hapë kordonin e krijuar nga Garda që i pengon të futen brenda.

Në ndihmë i ka shkuar edhe deputeti Lefter Gështenja, Xhelal Mziu dhe Edi Paloka. 

Ora 09:36
Nuk futen dot nga dera kryesore, deputetët e përjashtuar tentojnë të futen nga dera e pasme

 

Deputetët e përjashtuar të Rithemelimit, në pamundësi për tu futur nga dera kryesore në parlament kanë tentuar që të futen nga dera e pasme e Kuvendit. Por edhe në derën e pasme, deputetët u hasën me punonjësit e Gardës.

‘Nuk respektoj asnjë vendim të Lindës’- tha Noka.

‘Janë më shumë forca sigurie se punonjës të administratës së Kuvendit’- tha Bardhi.

Ora 09:31
VIDEO/ Dash Sula hidhet mbi punonjësit e gardës dhe tenton të futet në Kuvend

Deputetët e Rithemelimit vijojnë që të krijojnë kaos në parlament dhe këtë herë skena e dhunës është zhvendosur jashtë ambienteve të Kuvendit.

Dash Sula, deputet i grupimit të Bardhit, ka tentuar që të kapërcejë rrethimin e gardës në mënyrë që të futet në Kuvend.

Ai është hedhur mbi punonjësit i ndihmuar edhe nga kolegët, dhe ka tentuar të futet. Dash Sula nuk është pjesë e deputetëve të përjashtuar.

Ora 09:29
Flamur Noka thyen xhamin e derës së Kuvendit, qëllon gardistët

 

Deputeti i Rithemelimit Flamur Noka në tentativë për tu future brenda në parlament ka thyer xhamin e derës së Kuvendit. AI është përplasur me punonjësit e gardës, të cilët më pas e kanë larguar.

Ora 09:20
Flamur Noka përplaset fizkisht me punonjësit e gardës! Në ndihmë i shkon dhe Xhelal Mziu

 

Deputetët e Rithemelimit janë përplasur me punonjësit e gardës para ambienteve të Kuvendit dhe kanë tentuar që të futen brenda.

Flamur Noka, i përjashtuar nga seanca plenare pas kaosit të shkaktuar në Kuvend, ka tentuar që të largojë me dhunë punonjësin e gardës.

‘A jenu republikë private apo jemi në burg! Lini këto që nuk janë përjashtuar’- tha Noka.

Në ndihmë i shkoi edhe deputeti Xhelal Mziu.

Ora 09:13
Kaosi në Kuvend, deputetët e Rithemelimit mblidhen para parlament! Do tentojnë të futen në seancë

 

13 deputetë të opozitës të grupimit Bardhi-Berisha, të përjashtuar pas kaosit të krijuar në Kuvend janë mbledhur rreth oborrit të parlamentit dhe po tentojnë të futën në Kuvend.

‘Çdo gjë do të shikoni vet me sy. Nuk është koha e fjalëve, por e veprave.’- tha Berisha, i cili është ndër deputetët e përjashtuar.

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 15/12/2023 03:51

    Ore Cuc,nuk ke nevoje per ate marreveshje te qelbur qe te tregosh qe jeni vend evropian,se bota e di kush jeni! Nese pretendoni te jeni vend demokratik evropian,atehere hidhe ne referendum popullor ne fillim,jo ne votim-Kuvendi ku jeni mbledhur te gjithe sejmenet e Rames qe votoni per cdo gje pro,asnjehere nuk diskutoni,asnjehere nuk votoni kunder,tregoini Evropes qe marreveshja shpreh vullnetin dhe miratimin e popullit dhe nuk eshte vullneti e miratimi si i nje autokrati,i nje njeriu te vetem si Rama.Kjo eshte menyra evropiane e te logjikuarit.Dhe se dyti,tere ata vende evropiane qe nuk po e ndihmojne Italine,ku bejne pjese? A nuk jane evropiane? A nuk eshte /jo/e tyre nje forme e te treguarit /evropian/?! Z.Cuci,logjika juaj per t'u treguar /evropian/,ngjan me ato te bandave te adoleshenteve ne kontinentin amerikan,ku pjesetareve u kerkohet te provojne me /akte/ qe jane pjese e gangove,pa llogarritur kodet e tyre dhe tatuazhet.Edhe ju me te njejten logjike mendoni.Ju vuani nga kriza e identitetit si shtet dhe nga frika e vetmise dhe doni /t'i perkisni/ dikujt,te jeni pjese e dickaje,tamam si gangot dhe shpikni marrezi te tilla si kjo marreveshje.Kjo eshte rruge e gabuar zoteri!

    Përgjigju
  • Linda: 14/12/2023 13:23

    Sot kur ne Bruksel diskutohej e ardhmja e Shqiperis rrugecerit e rrugeve Berishes +Nokes +Bardhit e te tjere ju mbyll dera e popullit perpara hundeve! Ben rremuj sot sic ben protest nje vit me pare kur u nblodh Samiti ne Tirane! Jane llumi i zi i shoqersis shqiptare jane plehra funderrina ashtu do ngelen endacak lypsar me kollare ! Bardhi miu haleve dhe Berisha dy pederast qe zihen me grat dy te semur psiqik!

    Përgjigju
  • smi ttropo: 14/12/2023 09:52

    kafshet kan zbrit nga pylli

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim