Tirane- Gjykata Kushtetuese shfuqizoi sot tatimin 15 % për profesionet e lira. Sipas këtij vendimi ata që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë nuk do paguajnë tatim. Ndërsa ata që marrin mbi 14 milionë lekë do të tatohen 23%.

Pas shqyrtimit gjyqësor gjykata me shumicë votash vendosi të shfuqizojë 2 pika: Neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, si dy pika që cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike.

Në vendimin e lexuar nga vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj thuhet se ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.

Lidhur me themelin e pretendimeve të kërkuesve, Gjykata pa vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit dhe diskrecionin e tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe neni 4 i VKM-së nr. 753/2023, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike (në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës) dhe parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti ne kete perfundim duke mbajtur ne konsiderate skemën tatimore dhe ne vecanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 % ndaj kesaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Sa me sipër, Gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në datën 18 Maj 2023 dhe i shtrinte efektet e tij nga data 1 Janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në datën 23 Dhjetor 2023 sipas nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023 pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit.

Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se  norma e tatimit prej 15 % e parë së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon  testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme, në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatimpaguesve mbi të ardhurat.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi me shumicë votash:

Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023. Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit"

 Me këtë vendim gjykata vendosi të pezullojë taksimin me 15 – 23 % për rreth 29 mijë biznese që furnizojnë shërbime profesionale të konsideruar si profesionistë të lirë.

"Kur themi pranimi i pjesshëm i kërkesës do të thotë që është pranuar kërkimi dhe është shfuqizuar neni që e bënte të aplikueshme normën e tatueshme prej 15% për profesionet e lira, të vetëpunësuarit që furnizojnë me shërbime profesionale”

Në thelb u shfuqëzua fakti që norma e tatimit zero % që i atribuohet individëve tregtar pra kategorisë tjetër brenda të njëjtës klasë nuk aplikohet mbi tatimpaguesit që furnizojnë  shërbimeve profesionale. Norma e tatimit zero %  nuk aplikohet në tatim paguesit e përcaktuar në ndarjen 2 i dhe 3 i të cilët furnizojnë shërbime profesionale.  Lista e shërbimeve profesionale përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi rregullues lidhur me këto shërbime profesionale. Pra u shfuqizua kjo dispozitë e cila nuk lejonte që masa 0% e tatimit të aplikohej për kategorinë e tatim paguesve të vetëpunësuar të cilët furnizojnë shërbime profesionale. 

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që prekeshin nga ky ligj. Kërkesa për të shfuqizuar tatimin u bë nga 38 deputetë të Partisë Demokratike, ekspertët e licencuar, kontabilistët audituesit dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kërkesat e të cilëve u bashkuan në një të vetme.

 


 

Neni 4 i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:41
Kushtetuesja rrëzoi tatimin 15% për profesionistët e lirë, reagon Tabaku: PD dhe qytetarët fituan një betejë

1719509738_joridatabaku.png

Pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi tatimin 15% për profesionistët e lirë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e ka cilësuar këtë vendim si një fitore për qytetarët dhe PD.

Teksa foli në një deklaratë për media nga Kuvendi ditën e sotme, Tabaku u shpreh tatimi mbi profesionet e lira ishte antikushtetues dhe se sipas saj nuk kishte bazë ligjore për tatimin e asaj kategorie.

“Në fituam sot një betejë sepse GJK sot doli me vendim që tatimi mbi profesionet e lira është antikushtetues, që i diskriminonte profesionet e lira. Për këtë arsye nuk ka asnjë bazë ligjore që ky tatim të trajtohet ndryshe nga profesionet e lira. Kjo është një betejë e fituar e grupit parlamentar të PD, e profesionistëve të lirë, por më tepër është një betejë e fituar për qytetarët shqiptarë”, tha Tabaku.

Ora 18:55
Gjykata Kushtetuese shfuqizon tatimin 15 % për profesionet e lira, Qendresa Qytetare: Doli kundër gjobëvënies

Gjykata Kushtetuese sot rrëzoi ligjin për tatimin mbi profesionet e lira, duke shfuqizuar kështu tatimin 15% që qeveria kërkoi tu ngarkonte profesioneve të lira.

Qëndresa Qytetare në një reagim tha se u votua kundër gjobëvënies, pasi me këtë taksë qindra sipërmarrje të lira do të kyçeshin dhe profesionistët do të ishin të ekspozuar përballë një tjetër vale eksodi.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese argumentohet se nuk u respektua parimi i sigurisë jurdike si dhe parimi i proporcionalitetit dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla. Që në fillimet e propozimeve të kësaj takse e ka cilësuar atë gjobëvënie, që do kishte pasoja fatale për profesionet e lira.

Ky vendim nuk ishte rastësi pasi vjen një ditë pas protestës qytetare kundër Bandës Onkologjikut, teksa në 13 Qershor qytetarët u tubuan pikërisht përballë kësaj gjykatë për të protestuar kundër taksës për profesionet e lira.

Me këtë taksë qindra sipërmarrje të lira do të kyçeshin dhe profesionistët do të ishin të ekspozuar përballë një tjetër vale eksodi" thuhet në reagimin e saj. 

Qëndresa Qytetare vlerëson se qeveria duhet të hartojë politika mbështetësë për profesionet e lira si një mekanizëm për nxitjen e sipërmarrjes dhe kthimin e Shqipërisë në një oaz të profesioneve të lira.