Gjykata rrëzon kërkesën e veteranëve
për rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit”

Gjykata rrëzon kërkesën e veteranëve<br />për rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit”
TIRANE - Gjykata e Tiranës nuk ka pranuar kërkesën e një grupi veteranësh, të cilët kërkojnë ndryshimin e emrit të rrugës “Ibrahim Rugova”, në “Dëshmorët e 4 Shkurtit. Përgjatë ditës së djeshme, gjyqtari I çështjes Agron Zhukri rrëzoi kërkesën, me argumentimin ligjor se organizatat e veteranëve nuk legjitimohen për të kërkuar hedhjen poshtë të vendimit të Këshillit Bashkiak për emërtimin rrugës, dhe se nuk ka ndonjë vendim në kohën kur kësaj rruge i është vënë emri në vitin 1945.

Por në një prononcim për Shqiptarja.com, njëri prej përfaqësuesve ligjorë të veteranëve, avokati Idajet Beqiri, deklaroi se gjykata dha vendim absurd ligjor. Në lidhje me argumentimin e parë të gjykatës, Beqiri theksoi se organizatës së veteranëve dhe dëshmorëve të atdheut, të drejtën për hedhjen poshtë të vendimit të Këshillit Bashkiak ua njeh ligji.

Së dyti, sipas Beqirit, gjatë seancës së djeshme gjyqësore ata paraqitën si provë dokumentet e arkivit të shtetit të vitit 1945, kur rrugës I ishte vendosur emri “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. Mbrojtësit e palës paditëse deklaruan menjëherë pas vendimit të gjykatës së do t’a çonin çështjen në Gjykatën e Apelit.

PRETENDIMET E VETERANËVE


Në një kundërshtim të argumentuar në 7 pika, avokatët mbrojtës të organizatës së veteranëve kërkuan nga Gjykata që të merrte në konsideratë padinë e tyre. Së pari, në padinë e tyre thuhej se në qytetin e Tiranës ekzistonte emri “Ibrahim Rugova” në një nga rrugët e Njësisë Administrative Nr.7 të Tiranës, emërtim i vendosur me vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës nr. 41, datë 29.08.2008.

 “Në këto kushte ishte e panevojshme që t’i hiqej emërtimi rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, i vendosur me një vendim të organit kompetent në vitin 1945, dhe që vazhdonte me këtë emërtim për plot 67 vjet, dhe të zëvëndësohej me emrin “Ibrahim Rugova”, emër i cili figuronte në një rrugë dhe ligji e ndalon kategorikisht ekzistencën e dy rrugëve me të njejtin emër në të njejtin qytet” - thuhet në padi.

Së dyti, nëse Këshilli Bashkiak i Tiranës do të niste një procedim administrativ për t’i hequr emrin Rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, dhe për të vendosur një emër tjetër, atë të “Ibrahim Rugovës”, ky Këshill kishte detyrimin ligjor të njoftonte palët paditëse, si palë nga më të interesuarat e kësaj fushe, t’u jepte atyre sqarimet e domosdoshme përse ndërmerrej ky akt.

Gjithashtu, akti administrativ i Këshillit Bashkiak të Tiranës i datës 28 dhjetor 2012 bie ndesh me ligjin mbi “Organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Sipas avokatëve mbrojtës, Këshilli Bashkiak nuk ka asnjë të drejtë ligjore të bëjë “riemërtime”, dhe aq më keq, nuk ka asnjë të drejtë ligjore të heq emra rrugësh apo institucionesh të cilat janë bërë me vendime të organeve përkatëse kompetente të kohës. Në këtë logjikë, paditësit pretendojnë se akti administrativ i Bashkisë nuk ka aspak karakter ligjor administrativ, por thjesht karakter politik.

HISTORIKU


Në padinë e tyre, veteranët pretendonin se në kryeqytet ekzistonte më herët një rrugë që mbante emrin “Ibrahim Rugova”, dhe për këtë arsye ishte tërësisht e kundraligjshme që në kryeqytet të kishte një rrugë të dytë me të njëjtin emër. Në fakt, rruga e parë që mban emrin “Ibrahim Rugova”, që nga viti 2008, ndodhet në Njësinë Bashkiake Nr.7.

Por pas ndërrimit me forcë të emrit të kësaj rruge nga Njësia 7, kryebashkiaku Basha vendosi të kalonte emërtimin e rrugës “Ibrahim Rugova”, në atë që deri vonë njihej si “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, rruga pranë ish-Parkut “Rinia”. Ndryshimi i emërtimit ngjalli reagimin e veteranëve, të cilët pretendonin se kjo rrugë duhej të mbante emrin e personave që luftuan e ranë dëshmorë në atë vend.

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë