Vendimi për lirimin e të akuzuarit për krijimin e një bande kriminale në Durrës pas vetëm dhjetë vitesh vuajtje dënimi, ndonëse ishte dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 2006 ka ngjallur në mënyrë të natyrshme reagimin publik të opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.
Megjithatë, ajo që shumë persona qëllimisht nuk thonë është që historia e lirimit të Lul Berishës ka nisur që në vitin 2014 dhe vendimi për lirimin e tij në 7 dhjetor 2016 ishte vetëm “kurorëzimi” i atij vendimi të dhënë dy vjet më parë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, kur ky Kolegj vendosi të kthente vendimin e Berishës nga “burgim i përjetshëm” në 25 vjet heqje lirie.
Pasi gjykata anulloi burgimin e përjetshëm, shkurtimi i dënimit të Berishës nga 25 në 10 vjet u bë në mënyrë të natyrshme nga përllogaritja e kohës së vuajtjes së dënimit në qelitë e paraburgimit dhe nga tre amnistri të njëpasnjëshme. Në këto kushte, moslirimi i Berishës do të kishte qenë i paligjshëm, por nëse dënimi me burgim të përjetshëm do të kishte qenë në fuqi, ai nuk do të kishte përfituar asnjë ulje dënimi dhe sot do të vazhdonte të ishte pas hekurave.
Duke analizuar 448 faqet që Kolegji Penal hartoi në vitin 2014, për të justifikuar vendimin e tij arbitrar për rrëzimin e verdiktit të përjetshëm për Lul Berishën, gjëja që të tërheq më shumë vëmendjen janë emrat e gjykatësve që morën këtë vendim.
Gjykatësi Shkëlzen Selimi ishte anëtar i atij Kolegji Penal dhe një prej përkrahësve kryesorë të ndryshimit të sentencës. Më përpara, Selimi ka qenë protagonist i tre vendimeve, mbase ndër më arbitraret që ka marrë ndonjëherë drejtësia shqiptare në historinë e saj. Ky gjyqtar, në vitin 2013, vendosi të arkivonte çështjen e Gërdecit si një “gabim teknologjik”, duke shmangur nga përgjegjësia penale Kryeministri dhe Ministrin e Mbrojtjes të kohës.
Gjithashtu, Selimi ka gjykuar në shpalljen të pafajshëm të ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanit dhe kryeinspektores së përgjithshme të Bankës, Elivar Golemit. I njëjti gjykatës ka mbyllur edhe dosjen e 21 janarit. Duke iu referuar trupit gjykues të asaj dosje, mes të cilëve përfshihet edhe gjykatësi Shkëlzen Selimi, në 21 janar 2016, Kryeministri Rama deklaroi: “Çdonjëri nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që sot mban peng dosjen e 21 janarit është sot i akuzuar fajtor, që mban peng zbardhjen e drejtësisë”. Thirrja e kryeministrit në detyrë nuk pati asnjë jehonë në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Por, kush e emëroi Shkëlzen Selimin në detyrë?
Në datën 17.06.2011. në Fletoren Zyrtare u publikua vendimi numër 82, vendimi “për dhënien e pëlqimit për emërimin e zotit Shkëlzen Selimi, anëtar i Gjykatës së Lartë”, vendim që mban firmën e ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe është ratifikuar në Kuvend nga ish-Kryetarja, Jozefina Topalli.
Admir Thanza, gjyqtari që gjithashtu ishte pjesë e trupit gjykues që vendosi ndryshimin e dënimit të Lul Berishës, ka qenë edhe ai pjesë e trupit gjykues që vendosi të arkivojë çështjen e Gërdecit.
Ardian Dvorani, gjithashtu pjesë e asaj trupe famëkeqe që në vitin 2014 vendosi lirimin nga burgu, në një të ardhme të afërt të Lul Berishës, ka qenë pjesë e një tjetër trupe që ka marrë një vendim të diskutueshëm, asaj që gjykoi ish-Kryeministrin Sali Berisha për shpërdorim detyre, pas kallzimit të ish-nëndrejtorit të ALUZIN-it ndaj tij disa vite më parë. Vendimi? Sali Berisha i pafajshëm.
Pavarësisht se ishte vetë ish-Kryeministri Berisha ai që emëroi gjyqtarin që liroi nga burgu Lul Berishën, ai sot, së bashku me Partinë Demokratike janë vendosur në tribunën e të asaj që për Sali Berishën, është afera korruptive e kësaj qeverie. Njëkohësisht, të njëjtët aktorë që kanë njollosur gjykatat shqiptare, sot linçojnë Bashkinë e Durrësit, duke argumentuar që lirimin e Berishës në fakt e ka orkestruar kryebashkuaku Vangjush Dako dhe jo gjykatat që ata kontrollojnë.
E vërteta është se ajo që ka bërë Bashkia është kthim përgjigje i një shkrese rutinë, ashtu siç përgjigjet çdo bashki në Shqipëri, ku ata që dënohen nga gjykatat me punë vullnetare në komunitet shërbejnë pranë ndërmarrjeve bashkiake.
Edhe një herë më shumë, mënyra se si është liruar Lul Berisha, është shembulli më kuptimplotë që ilustron nevojën e menjëhershme që ka drejtësia shqiptare për një spastrim të përgjithshëm, spastrim që mund ta realizojë vetëm zbatimi i ligjit të vetingut dhe zbatimi deri në fund i reformës në drejtësi.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për lirimin e të dënuarit Lulzim Berisha. Me dyshimet për shpërdorim detyre, akuza e Durrësit ka nisur hetimet për mënyrën se si janë dhënë vendimet gjyqësore përfshi dhe atë të dt.5 dhjetor 2016 ku treshja e gjyqtarëve Arben Vrioni, Petrit Ceno dhe Anita Mici i dhanë lirinë ish kreut të bandës së Durrësit.
Pasuria e Shkëlzen Selimit
Paga si anëtar i Gjykatës së Lartë 1 576 316 lekë.
Të ardhura si pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës 40 844 lekë.
Të ardhura nga qiradhënia e një pikë karburanti në Vlorë periudha janar-maj 21 250 euro, qershor-dhjetor 2015, 29 750 euro.
Qira apartamenti e garazhi në vlerën 5 280 euro, pjesë e regjimit martesor.
Shitje e një automjeti tip Mercedes Benz, 8 mijë euro.
Kredi 20 mijë euro për shtëpi në vitin 2012, me afat 5 vjet.
Shlyerja e detyrimeve nga një person i tretë, 5 140 euro.
Bashkëshortja zonja Rilinda Selimi, paga si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Administrativ 1 218 864 lekë.
Depozitë 39 097 euro vënë nga qiradhënia.
Kursime të vëna nga pagat e bashkëshortëve 815 608 lekë.
Depozitë po nga të ardhurat e qira pika e karburantit 8 510 euro.
Depozituar për të marrë kartë krediti 3 900 euro.
l.q/Shqiptarja.com