VIDEO/ Pas Thaçit dhe Krasniqit, Veseli në Hagë: Them me bindje të plotë se jam i pafajshëm! Qytetarët të mos mërziten me Hagën, po bëjnë detyrën që u kemi kërkuar ne (Mesazhi i plotë)

HAGË- "Megjithëse është në Hagë kjo gjykatë është pjesë e ligjit tonë, nuk duhet të kemi asnjëlloj mërie për ata që punojnë në Tribunal. Ata po bëjnë atë që populli ynë i Kosovës kemi kërkuar të bëjmë, ky Tribunal është pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt krijimit, forcimit të shtetit dhe ne duhet ta çojmë këtë proces deri në fund"...me këto fjalë ish- kryeparlamentari Kadri Veseli iu drejtua nga Haga qytetarëve të Kosovës. Veseli zgjodhi që këtë mesazh të mos ta artikulonte vetë, por e lexoi avokati i tij, Ben Emmerson.

Fjalëpak në seancën që zgjati rreth 48 minuta, Veseli u shpreh i bindur në pafajësinë e tij për të 10-të akuzat që Prokuroria e akuzon. Avokati i tij, Emmerson nuk ishte i pranishëm në sallë, por mbrojtjen e bëri nëpërmjet lidhjes online, ku u kujdes të theksonte disa pika, të rëndësishme siç ai i cilësoi. Së pari, do të kërkojë gjykimin në liri të Veselit, së dyti prezumimin e pafajësisë deri sa Gjykata të thotë fjalën e fundit dhe së fundmi, ai ka sqaruar se ndonëse përmendet që është arrestuar, Veseli ka ardhur në Hagë në mënyrë vullnetare.

Ndaj tij rëndojnë 10 akuza, për përndjekje, burgosje, ndalim arbitrar, aktet të tjera ç'njerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje si krim kundër njerëzimit, vrasje e paligjshme si krim lufte, zhdukje me forcë e personave, në periudhën mes prill 1998- gushtit 1991. Më herët përpara Gjykatës Speciale të Hagës kanë dalë ish- kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish- presidenti i Hashim Thaçi, të cilët të dy i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Theksojmë që ndryshe nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës (që ka gjykuar ish- presidentin serb Slobodan Milošević) e cila trajtonte të gjitha krimet e kryera në Ish-jugosllavi, kjo Gjykatë Speciale është ngritur nga vetë Kosova në bashkëpunim me BE dhe trajton vetëm ato krime të supozuara të kryera në periudhën mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, të cilat kanë ndodhur ose kanë filluar në Kosovë. Edhe pse të përbëra nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe me seli në Hagë, kjo gjykatë funksionon me Kodin Penal dhe ligjet e aplikueshme të Kosovës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:04
Veseli mesazh qytetarëve të Kosovës nga Haga: Mos i mbani mëri Tribunalit, po bëjnë atë që ne kemi kërkuar! Ta çojmë deri në fund këtë proces

Ish- kryeparlamentari, Kadri Veseli ka zgjedhur që t'u drejtohet qytetarëve të Kosovës me një mesazh, por këtë mesazh e tha nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës.

"E drejtë ta theksoj që në ditën që u dorëzua ai ka dorëzuar një deklaratë që dua ta lexojë. Nuk paqe pa drejtësi dhe drejtësi pa paqe. Megjithëse është në Hagë kjo gjykatë është pjesë e ligjit tonë, nuk duhet të kemi asnjëlloj mërie që punojnë në Tribunal. Ata po bëjnë atë që populli jonë i Kosovës kemi kërkuar të bëjmë, ky Tribunal është pjesë e rrugëtimit të Kosovës drejt krijimit, forcimit të shtetit dhe ne duhet ta çojmë këtë proces deri në fund", tha avokati.

Ora 16:02
Avokati: Veseli erdhi në Hagë vullnetarisht! Do kërkoj gjykimin e tij në liri

Avokati i ish- kryeparlamentarit, Ben Emmerson është kujdesur të theksoj disa çështje në mbrojtjen e tij para gjykatës së Gjykatës Speciale në Hagë.

"Veseli duhet të prezumohet i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe për të gjitha qëllimet. Gjykata do të marrë një kërkim që zoti Veseli do të lirohet. Doja që të shënohet që ndonëse është përmendin fakti që Veseli është arrestuar, ju si gjykatës duhet të dini që Veseli erdhi këtu në Gjykatë në bazë të një marrëveshje për të ardhur vullnetarisht dhe dorëzimi i tij u bë përmes avokatit", tha Emmerson

Ora 15:38
Akuzat për krime lufte/ Veseli në Hagë: Deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm (VIDEO)

Ish- kryeparlamentari, Kadri Veseli tha se është i pafajshëm për të 10 akuzat që rëndojnë ndaj tij.

"I dëgjova akuzat, më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës", tha Veseli.

Ora 15:33
Kush është avokati Ben Emmerson që po e mbron Kadri Veselin në Gjykatën Speciale

Ben Emmerson, avokati i njohur britanik, do të jetë përfaqësuesi ligjor në Gjykatën Speciale, i ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Ben Emmerson i specializuar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, të drejtës ndërkombëtare dhe penale kushtetuese e publike, e njeh shumë mirë Kosovën, UÇK-në dhe luftën e saj për liri.

Emmerson e ka mbrojtur edhe ish Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në fund u lirua nga çdo akuzë për krime gjatë luftës.

Në karrierën e tij profesionale, Emmerson ka punuar në shumë raste dhe për shumë qeveri.

Emmerson ka qenë avokat kryesor në më shumë se 25 çështje që kanë kaluar në Gjykatën e Strasburgut dhe prej të cilave nuk e ka humbur asnjë.

Biografia e tij flet edhe për fitoren në rastin e Ramush Haradinajt në prill të vitit 2008-s, ku pas një gjykimi disavjeçar Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ish Kryeministrja britanike, Theresa May, duke folur për figurën e Ben Emmerson, e ka cilësuar si një ndër avokatët më të mirë që ka Britania.

“Një nga avokatët më të dalluar të Britanisë në fushën e ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar për të drejtat e njeriut”, ka thënë May.

Në qershor 2011, Emmerson u zgjodh si Raportues Special i Kombeve të Bashkuara në Task Forcën Kundër Terrorizmit dhe të Drejtat e Njeriut. Ai e mbajti këtë mandat deri në korrik 2017. Në këtë cilësi ai raportoi çdo vit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe entitetet përkatëse të krijuara nga Këshilli i Sigurimit.

Aktualisht, Ben Emmerson është edhe avokat i Mbretëreshës në Angli.

Për punën e suksesshme ndërkombëtare, për të është realizuar edhe një film i quajtur “Official Secrets”, bazuar në ngjarje të vërtetë, i cili ka fituar çmime ndërkombëtare./KosovaPress

Ora 15:11
Akuzat për krime lufte/ Nis seanca në Gjykatën Speciale të Hagës për Kadri Veselin (VIDEO-Seanca e plotë)

Nis seanca në Gjykatën Speciale të Hagës të Kadri Veselit, ish-kryeparlamentarit. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb