Gjykata Kushtetuese nuk arriti të dalë me një vendim për ankimin e gjyqtarëve për rritjen e pagave. Kushtetuesja ishte mbledhur sot pasi shqyrtoi ankimin, por nuk doli me një vendim me argumentin se i duhet më shumë kohë.

Po çfarë kërkojnë në të vërtetë gjyqtarët dhe prokurorët në Kushtetuese? 3 marsin e vitit të kaluar Unioni i Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve ligjore që u bënë për pagën e tyre në vitin 2023 nga mazhoranca, e cila zbatoi përcaktoi se rroga bazë e magjistratëve do të ishte sa 36% e pagës së Presidentit, pra 153.000 lekë. Më herët referenca mbi të cilën llogaritej rroga ishte 132,100, aq sa ishte paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri. Pra me ndryshimin e ligjit nga qeveria rritja ishte me mbi 20 mijë lekë të reja.

Por kjo rritje u konsiderua si ulje nga ana e gjyqtarëve. Kjo për shkak se në të njëjtën kohë, qeveria rriti pagat për administratën publike. Dhe paga e drejtorit të departamentit në Kryeministri u rrit në 231 mijë lekë të reja. Pra gjyqtarët thonë se ndryshimi i referencës së pagës së tyre nga ajo e drejtorit të departamentit në Kryeministri te ajo sa 36% e pagës së Presidentit, ua ka ulur pagën se nëse s’do bëhej ky ndryshim ajo do të ishte 78 mijë më e lartë.

Për këtë arsye gjyqtarët kërkojnë nga Kushtetuesja ose rikthim në referencën e parë ose një përcaktim sa 54.3% e pagës së Presidentit plus pasqyrim të  çdo rritje rrogash në tërësi.

Por rritje 78 mijë lekë të reja në fakt do të ishte vetëm në pagën e referencës sepse në realitet rritja do të ishte shumë më e madhe. Duke pasur parasysh formulën e llogaritjesh së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjit, rritja shkon nga 1800 euro për magjistratët e shkallës së parë, deri në 3000 euro plus për Apelin e GKKO dhe SPAK.