Gjyqtarja Brikena Ukperaj (Lubonja) konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Vettingut. Ukperaja u përball në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit, i përfaqësuar nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja.

“Sipas raportit të ILDKPI, Brikena Ukperaj justifikon pasurinë. Ukperaj ka apartament me vlerë 44 mijë euro në Selitë. Edhe sipas DSIK, Brikena Ukperaj e përshtatshme për detyrën”, tha relatorja e çështjes.

Sipas Komisionit ajo e justifikon pasurinë, ndaj gjyqtares kishte disa ankesa nga qytetarët për vendimet e dhëna prej saj, por në fund ajo u konfirmua në detyrë. Gjyqtarja Ukperaj është bërë e njohur për shkak të dosjes së pronave, "Karaburuni" e gjykuar prej saj.

Në seancën e kaluar të pranishëm ishin edhe përfaqësues të familjeve të cilët pretendojnë pronat në Karaburun. Ata kanë kërkuar shkarkimin e gjyqtares me pretendimin se u ka grabitur pronat.

Vjosa Bodo, avokate dhe përfaqësuese e një prej familjeve hodhi akuza në adresë të gjyqtares së Apelit të Vlorës, por ajo sot u konfirmua në detyrë nga Vettingu.