Gjysma e së mirës

Gjysma e së mirës
Edhe pse mund të jetë hedhur për të qenë brenda në momentin e fundit, varianti me kandidatin Zaganjori i konsensusit fillestar PD-LSI ka shkuar përpara me sigurinë e pasigurisë dhe rreziqeve që paraqesin variantet alternative. Me këtë emër shumica ka gjetur pikën e parë të takimit brenda vetes, duke kënaqur pjesërisht edhe një pretendim të rëndësishëm të opozitës për t’i vënë kryqin kupolës politike të PD-së si  çerdhe kandidaturash. Me fjalë të tjera, shumica ka terezitur një ngrehinë delikate, që po përpiqet ta mbajë me kujdes pasi po të shembej nuk ka garanci se do të pasohej në kohë me një më të sigurt. Brishtësia e një zgjidhjeje qëndron për momentin mbi fjalëkryqin e eksperimenteve. Paradoksalisht, edhe opozita ka gjasa të ndihet më komode të kundërshtojë, siç po kundërshton, një kandidat jo politik për të cilin nuk është pyetur paraprakisht, se sa të përballet me të panjohurat e një kthimi në pikën e nisjes me daljen në skenë të kandidatëve politikë. Në këtë kontekst kandidatura e Zaganjorit qëndron në mes të skenës së trazuar të presidencialeve, duke marrë tiparet e një zgjidhjeje që mund të cilësohet si gjysma e së mirës, siç thotë populli.

Opozita ka njohur te ky zhvillim një gjysëm hapi të hedhur nga shumica. Opozita po i kërkon shumicës të kompletojë hapin, të hedhë dhe gjysmën tjetër. Nga ana e saj, shumica po i kërkon opozitës të kënaqet me gjysmën e hapit dhe të votojë Zaganjorin. Ka diçka objektivisht ndërbllokuese në këto kërkesa. Opozita, edhe po të mos ketë asnjë objeksion për kandidatin konkret, nuk ka si thotë “po” për një kandidat për të cilin nuk është pyetur. Kali i betejës për të ka qenë dhe mbetet përfshirja, bashkautorësia, konsensusi që prodhon kandidat dhe jo e kundërta. Opozita nuk mund të braktisë kalin e saj të betejës. Përdryshe do të krijonte përshtypjen e marrjes zvarrë. Konsensusi i shumëkërkuar do të arrihej lehtë nëse Berisha dhe Meta do të pranonin një kandidat nga një listë e Ramës, apo Rama do të pranonte një kandidat nga një listë e dy të parëve, lista të cilat nuk do të postoheshin në gazeta, por do të bisedoheshin kokë me kokë dhe shtruar prej tyre me përgjegjësi të lartë shtetarësh. Topin e konsensusit e ka në dorë gjithnjë Berisha dhe Meta. Këta kanë barrën e dyfishtë të përgjegjesisë për t’i dhënë vendit Presidentin e Republikës dhe për të zgjedhur një President që nuk do t’i krijojë vendit pengesa për integrimin. Jemi para rastit kur zgjedhja me dobi u shkon si meritë të gjithëve, ndërsa zgjedhja me dëm mbetet përgjegjesi ekskluzive e binomit Berisha-Meta.

Në këtë zhvillim, opozita është në lojën e saj të përpiqet deri në fund për një zgjidhje konsesuale. Në politikë ka beteja që duhen bwrë dhe beteja që duhen fituar. Për opozitën kjo e Presidentit konsensual është një betejë për t’u bërë. E përligj natyra e postit të Presidentit, e përligj kushtetuta, e përligj konteksti politik në të cilin po zgjidhet Presidenti i ri i repubikës, problematika e zgjedhjeve të vitit 2009, përplasjet që kanë prodhuar ato zgjedhje, pritshmëritë e reja nga fronti i integrimit europian në 100 vjetorin e shtetit, e tjerë. Por askush nuk duhet të presë që opozita ta fitojë e vetme këtë betejë dhe askush nuk mund ta qortojë nëse nuk e fiton. Sepse nuk varet prej saj. Në rastin e Presidentit opozita gjykohet për mënyrën si e e bën betejën dhe jo për rrezultatin. Në këto lloj betejash fitore janë dhe barazimet, madje dhe humbjet e ngushta kanë vlerën e fitores morale të opozitës. Gjysma e hapit të hedhur vlen gjithsesi më shumë se asnjë. Nga ana e saj opozita ka detyrimin të kuptojë veçoritë e procesit në kontekstin konkret politik dhe ligjor. Opozita është thirrur në kauzë të shtyjë me masë, të lozë me inteligjencë, për të mos u dhënë alibi lojtarëve dinakë të prishin atë që është arritur, pra për të mos rrezikuar me zgjidhje me të këqija se sa të pakënaqshmet. Opozita po e bën këtë. Duke mos e venë në surdinë, opozita i ka krijuar vështrirësi shumcës të kthehet në pozicionet e vjetra të kandidatëve politikë. Opozita mund të këtë një plan tjetër në raundin e katërt, një plan gare, që duhet të regjistrohet si precedent për të ardhmen, ku të afishojë vizonin e vet për Presidentin në figurën e një kandidati, që nuk mund të jetë i një fushe të ndryshme apo të largët me atë të kandidatit të shumicës Zaganjori, që nuk garon për të fituar, por mund edhe të fitojë në votim të fshehtë. Në sytë e publikut, nëse vërtetë është shumë i mirë, kandidati humbës i opozitës do të konsidetohet Presidenti moral i Republikës. Duke thënë këtë, duhet tw pohojmw se opozita, falë betejës që ka bërë e po bën për konsensusin, nuk se merr ndonjë kosto po të rrijë jashtë garës. Ndryshe nga reforma zgjedhore që është një betejë për t’u fituar, kjo e Presidentit është një betëjë për t’u bërë, që nuk do thotë aspak për të larë gojën.
Ngrehina delikate e presidencialeve është gjithnjë nën goditjen e erërave që fryjnë nga lobingje brenda e jashtë parlamentit, që janë të motivuar nga interesat e tyre të ligjshme, por pa kontekst të përgjithshëm shoqëror. Edi Rama dhe PS nuk do të gjykohen negativisht për një president të papërshtatshëm që ka dalë pa mbështjen e tyre, por do të merrnin kosto nëse me konsensusin e tyre do të shkonte në Pallatin e Brigadave një President i papërshtatshëm.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Komisioni i Ligjeve miraton nismën për Forcën Rezerviste, ministri Vëngu: Synojmë rreth 2100 deri në vitin 2030! Rezervistë edhe në diasporë, misione jashtë vendit

Komisioni i Ligjeve miraton nismën për Forcën Rezerviste, ministri Vëngu: Synojmë rreth 2100 deri në vitin 2030! Rezervistë edhe në diasporë, misione jashtë vendit