Nata e dytë e gjysmëfinales së Eurovision Song Contest 2026 ka ulur siparin me një lajm të jashtëzakonshëm për publikun shqiptar: Alis ka prekur me sukses Finalen e Madhe! Me një interpretim vokal të fuqishëm dhe thellësisht emocional, artisti ynë elektrizoi arenën e Wiener Stadthalle, duke i siguruar Shqipërisë biletën për në natën e shumëpritur të së shtunës.

“Nân” elektrizon skenën

Alis dhuroi një performancë të shkëlqyer që tërhoqi menjëherë vëmendjen e sallës dhe miliona shikuesve në mbarë Evropën. Me një interpretim plot siguri dhe energji, ai arriti të krijojë një nga momentet më të bukura të mbrëmjes.

Kënga u shoqërua me një performancë skenike moderne dhe efekte vizuale mbresëlënëse. Duartrokitjet e gjata dhe brohoritjet në fund të interpretimit treguan qartë entuziazmin e publikut. Ky triumf vjen pas një jave ku kënga “Nân” dhe vokali i Alis u vlerësuan gjerësisht nga mediat ndërkombëtare si një nga interpretimet më të forta dhe vokalisht më të përsosura të këtij edicioni.

Krenaria e Flamurit

Mes dritave verbuese dhe atmosferës elektrizuese të Vjenës, një simbol mori vëmendje të veçantë: Flamuri Kuqezi. Gjatë gjysmëfinales së dytë, ngjyrat e Shqipërisë u valëvitën me krenari të ligjshme.

Në zemër të “Dhomës së Gjelbër” (Green Room), aty ku rrahjet e zemrës shtoheshin për çdo delegacion në pritje të rezultateve, si dhe në arenën e spektatorëve, prania e flamurit shqiptar krijoi një emocion të papërshkrueshëm. Valëvitja e tij shërbeu si një mesazh i qartë i pranisë së fortë të kulturës dhe pasionit shqiptar në këtë jubile të 70-të të festivalit evropian, duke dëshmuar sërish se mbetet një element i pandashëm i identitetit tonë në skenat ndërkombëtare.

10 shtetet e kualifikuara

Në përfundim të televotimit dhe vlerësimit të jurive, Shqipëria u shpall mes 10 shteteve që kalojnë në Finalen e Madhe. Ata do t’u bashkohen 10 shteteve të kualifikuara nga nata e parë dhe vendeve të “Big 5” (+ shteti mikpritës).

Më poshtë është lista e plotë e 10 shteteve që u kualifikuan nga gjysmëfinalja e dytë:

Shqipëria – Alis – Nân

Australia – Delta Goodrem – Eclipse

Bullgaria – Dara – Bangaranga

Çekia – Daniel Zizka – CROSSROADS

Danimarka – Søren Torpegaard Lund – Før vi går hjem

Malta – AIDAN – Bella

Norvegjia – JONAS LOVV – YA YA YA

Qipro – Antigoni – Jalla

Rumania – Alexandra Căpitănescu – Choke me

Ukraina – LELÉKA – Ridnym

Tashmë sytë dhe zemrat janë drejtuar te e shtuna, ku Alis do të ngjitet sërish në skenë me shpresën, pse jo, për të sjellë trofeun e madh në Tiranë./ RTSH

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:53
Përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, Rama kërkon mbështetjen për këngëtarin Alis: Le ta bëjmë zërin shqiptar të dëgjohet në gjithë Europën

1777188726_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mbështetjen për artistin dhe përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovision, Alis Kallaçi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka shkruar se mbështetja për artistin Alis Kallaçi do ta bënte zërin shqiptar që të dëgjohej në të gjithë Europën dhe më gjerë.

Duke kërkuar votën për numrin 13 (me të cilin përfaqësohet këngëtari shqiptar), Rama ka ndarë edhe një fotografi me të gjitha kodet sipas shteteve.

Reagimi i Ramës:

VOTO 13 për ALIS në Eurovizion

Le të mbështesim artistin dhe përfaqësuesin tonë në Eurvision, Alis dhe ta bëjmë zërin shqiptar të dëgjohet në gjithë Europën e më gjerë

Votoni 13 për Shqipërinë sonte, të gjitha kodet sipas shteteve dhe numrat e votimit i gjeni këtu

VOTO 13