TIRANE- E ndërtuar në buzë të lumit, me një sipërfaqe rreth 10 mijë metra katrorë, qendra Kombëtare e Rehabilitimit të të Verbërve duhet të kishte vite që ofronte shërbime për personat me problem në shikim, por gjendja aty tregon se punimet ende nuk kanë përfunduar.
 
Por ndonëse nuk është vënë asnjëherë në funksion muret e jashtme, kanë filluar të japin shenjat e para të amortizimit. Tubacionet e kullimit nuk janë lidhur ende, ndërsa tek ambienti i jashtëm nuk është vënë fare dorë, si dhe bie në sy infrastruktura e papërshtatur për personat me aftësi të kufizuar. E megjithatë duket se kjo godinë një funksion e kryen, është kthyer në strehën e dallëndysheve.
 
Të vetmet shenja jete në këtë investim prej 1.14 milionë dollarë, të dhëna nga buxheti i shtetit për Shoqatën e të Verbërve, janë dy rojet e godinës, të cilët përpiqen të na largojnë kur shikojnë praninë e kamerave.
 
Banorët e zonës, tregojnë jashtë kamerës së “A1 Report”, se punimet e brendshme janë bërë disa herë, pasi punohet pa cilësi. “Pllakat janë hequr dhe shtruar nja tre-katër herë. I bëjnë pa cilësi dhe ato fillojnë e ngrihen. Pastaj vjen një firmë tjetër, i heq dhe shtron të tjera. Kjo histooi është çdo vit”, na tregon një banor i zonës.
 
Duket se e vetmja gjë që Shoqata e të Verbërve është kujdesur që ta përfundojë, është ky mur i lartë rrethues që nuk të lë të shikosh se çfarë ndodh brenda.
 
Historia për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Rehabilitimit të të Verbërve, nisi në vitin 2002, kur ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, miratoi një fond prej 2.2 milionë dollarësh për ndërtimin e saj. Projekti iu besua shoqatës së të verbërve të Shqipërisë që drejtohet nga Sinan Tafaj.
 
Sipas projektit godina duhet të ishte vënë në funksion në vitin 2010, dhe deri në vitin 2009, në llogarinë e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë janë kaluar plot 1.14 mln dollar, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar.
 
Duket se arsyeja e vërtetë që shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuar po protestojnë prej ditësh kundër ligjit të ri të PAK, lidhet pikërisht me kontrollet që po ushtron së fundmi qeveria mbi ta, duke nxjerrë në dritë abuzimet miliardere me fondet e shtetit dhe në kurriz të atyre që janë me të vërtetë invalidë e kanë nevojë për mbështetje sociale.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)