Një 21-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi dyshohet se mori pjesë në një grabitje të dhunshme ndaj një studenti universitar në Pavia.
Ngjarja ndodhi natën e 2 shkurtit në sheshin Guicciardi, në qendrën historike të qytetit, përpara Prefekturës. Një student 25-vjeçar po ecte vetëm kur dy persona iu afruan duke i kërkuar informacion për ndonjë lokal që mund të ishte ende hapur.
Pak çaste më pas, sipas hetimeve, njëri prej tyre, në moshën 16-vjeçare, mori një gur të madh dhe e goditi disa herë studentin në fytyrë. Si pasojë, i riu pësoi plagë të rënda dhe thyerje të hundës. Ndërkohë, 21-vjeçari shqiptar i mori telefonin dhe u largua me shpejtësi.
Një polic që ndodhej jashtë shërbimit ishte dëshmitar i sulmit, por nuk mundi t’i ndalonte autorët sepse u ndal për t’i dhënë ndihmë studentit të plagosur.
Pas ngjarjes, policia në Pavia nisi hetimet. Nëpërmjet kamerave të sigurisë u arrit identifikimi i dy të dyshuarve dhe materialet iu dërguan prokurorisë së Pavias dhe prokurorisë për të mitur në Milano.
Pas rreth një muaji hetimesh, të enjten në mëngjes u kryen arrestimet. 21-vjeçari shqiptar, banues në Voghera, u dërgua në burg, ndërsa bashkëpunëtori i tij 16-vjeçar me origjinë nga Afrika e Veriut u vendos në një komunitet për të mitur./CorrieredellaSera
Komente










