Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e arrestit në burg për Florjan Musajn, të vetmin të arrestuar në kuadër të operacionit ku u godit grupi i një prej eksponentëve më të rëndësishëm të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, i Salvadore alias Shpëtim Aliu.

Florjan Musaj ka dalë këtë të mërkurë para togave të zeza dhe përfaqësuesve të SPAK, ndërsa ishte pjesë e listës prej 10 personave ndaj të cilëve ka masë sigurie arresti në burg. Ai nuk preferoi të bënte asnjë deklaratë veç faktit se kërkonte avokat kryesisht pasi nuk kishte patur kohë të zgjidhte një mbrojtës të tij, teksa gjykata i caktoi avokatin e shtetit Arben Peçi.

Vetëm Musaj përfundoi në pranga, ndërsa 7 të tjerë përfshirë Eldi Dizdarin, Dritan Gjikën dhe Shpëtim Aliun ndodhen jashtë vendit. Për 2 të tjerë SPAK tha se ka informacione se ndodhen në Shqipëri dhe po punohet për kapjen e tyre.

Musaj, është një tjetër personazh i trafikut të drogës, pasi në 2018 iu zbuluan grupit të tij 91 kilogramë kokainë me vlerë 20 milion euro. Për 2 anëtarë të grupit të cilët mendohet se janë në Shqipëri vijon puna për kapjen e tyre, ndërsa 7 të tjerë sipas SPAK ndodhen jashtë vendit.

NË KËRKIM
-Nikoll Bibaj 
-Isa Aliu, 
-⁠Shpëtim Bibaj
-Armando Pacani
-Denis Matoshi 
-Naldi Yzeiraj
-Oklid Aliu
-Dritan Gjika
-Salvadore. ⁠Shpëtim Aliu

Gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka operuar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë, ndërsa SPAK iu sekuestroi 491 pasuri me vlerë 150 milion euro.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

lajmi në përditësim....