SPAK ka kryer goditjen më të madhe që nga krijimi i tij, duke u konfiskuar përfundimisht një pasuri me vlerë 55 milionë euro, për grupin i cili tjetërsoi pronat në bregdetin e Shëngjinit, një ndër shumat më të mëdha që u ka kaluar shtetit.

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se bëhet fjalë gjithsej rreth 300 mijë metra katror, në 75 pasuri të ndryshme.Vendimi i marrë nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është konfirmuar sot nga apeli ndërkohë që janë rritur dënimet me burg për të gjithë fajtorët. Apeli ka shtuar me 18 vite burg dënimet në tërësi, nga 30 vite në 48 vite. Mes te dënuarve me burg është edhe Xhevi Ndoka dhe Mimoza Ndoka, të cilët janë përkatësisht vëllai dhe motra e ish deputetit të Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka.

Çështja është ndjekur nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prenci, të cilët kërkuan në apel konfiskimin dhe rritjen e dënimeve.

Lista e të dënuarve:

Xhevi Ndoka ishte dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, dënimi i shkon në 10 (dhjetë) vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Mimoza Ndoka ishte dënuar me 1 vit 4 muaj, me kusht, teksa me vendimin e apelit i shkon 5 vjet e 4 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Emanuel Gjura ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, ndërsa i ndryshon me një dënim prej 6 vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Zef Lazri ishte 8 muaj burg, dënohet me 4 vjet e 8  muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Blendi Ndoka ishte me 3 vite e 6 muaj burg, dënohet me 6 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Luigj Paloka 4 vite e 8 muaj burg, me kusht, dënimi shkon në 5 vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Paulin Simoni ishte 3 vite e 4 muaj burg, dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Vlash Gaxulli ishte 2 vite burg, me kusht, 2 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Genc Zeneli ishte  2 vite burg, me kusht, dënohet me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Kol Lleshi ishte 2 vite burg, me kusht, dënohet me 2 vjet e 4  muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Marjeta Përskura dënohet me 1  vit e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Kujtojmë se më herët për çështjen e tjetërsimit të pronave në Shëngjin është dënuar edhe ish kryetari i bashkisë së Lezhës, me Partinë Demokratike Fran Frrokaj. Ish- kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit nisën në 2017 kur një qytetar denoncoi se toka e tij rezultonte në Hipoteke në emër të disa familjeve të tjera. Prokuroria zbuloi një sipërfaqe të madhe toke prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.

Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”. Sipas vendimit për sekuestrim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)