Godo mes pronës dhe Kushtetutës

Godo mes pronës dhe Kushtetutës
Politikani Sabri Godo është ndarë nga kjo jetë me dy pengje të mëdha, për të cilat luftoi në këto 20 vite demokraci, por nuk ia arriti t’i shihte të forta, solide dhe të zgjidhura: Prona dhe Kushtetuta. Dhe iku nga kjo jetë po ashtu me një tjetër koicidencë, pikërisht pak ditë pas përvjetorit të 13-të të Kushtetutës. Më kujtohet fare mirë ajo periudhë e vitit 1998, ndërsa ndiqnim ato seancat maratonë të komisionit ad-hoc që u ngrit për hartimin e Kushtetutës ku Godo pranoi propozimin e maxhorancës në atë kohë për të qenë bashkëkryetar i saj. Ecejaket në sallat e Pallatit të Kongreseve (aty ku sot është vendosur KQZ) mbledhjet e  lodhshme dhe të tejzgjatura me detaje teknike që edhe ne gazetarët nuk i kuptonim, plaku i urtë Godo na i sqaronte pa hezitim, intervistë pas interviste, pa u lodhur me asnjërin prej nesh. Ishte koha, kur opozita (PD) e anatemonte pa fre, në media, me anë të shkrimeve dhe artikujve me emër dhe pa emër, si njeriun që po i jepte Nanos “pasaportën e kuqe”. Kolegu Krasniqi në një analizë të dy ditëve më parë, përmendte faktin që personazhe të rëndësishëm të jetës politike e publike, anatemohen sa janë gjallë, e gëzojnë respekt pas vdekjes. Sot, të gjithë, të majtë e të djathtë, në mesazhet e ngushëllimit që japin për politikanin
Sabri Godo, kujtojnë kontributin e tij shumë të vyer, në dokumentin themeltar të shtetit, atë dokument, që e ndërrojnë sa herë kanë qejf e dëshirë, dhe e shkelin me të dyja këmbët si të ishte vërtet një “pasaportë
e kuqe e Nanos”. Çështja tjetër që republikani Godo nuk e pa të përfunduar edhe pas 20 vitesh, është çështja e pronave: 20 vjet përpjekje, rropatje, kërkesa, 20 vjet mes sherresh të panumërta edhe me Sali Berishën, por edhe me kushtin që i vuri Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit se do të merrte pjesë si bashkëthemelues i hartimit të Kushtetutës vetëm nëse aty do të kishte një nen specifik për çështjen e pronës,
i urti Sabri Godo u nda nga kjo jetë pa e parë të zgjidhur këtë çështje në mënyrë përfundimtare, por edhe pa lënë pas një politikan aq këmbëngulës sa ai për të mbrojtur të drejtat e ish-pronarëve. Siç shkruan një koleg gazetar në rrjetin social facebook për ndarjen nga jeta të politikanit Godo, është e vërtetë se familja humbi njeriun e dashur, por shoqëria humbi politikanin e urtë, ne gazetarët humbëm sqaruesin e përhershëm të palodhur, ndërsa shqiptarët humbën njeriun që i bëri me Kushtetutë.
(Editoriali eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Spiropali takohet me Begajn

Spiropali takohet me Begajn