ANGLI - Premier League zhvilloi të martën dy ndeshjet e fundit për raundin e 37-të, ose të parafundit të sezonit. Barazimi 1-1 mes Bournemouth dhe Manchester Cityt bëri që zyrtarisht Arsenali të shpallej kampion për këtë sezon, një titull që u kishte munguar 'Topçinjve' prej 22 vitesh edhe pse disa herë i ishin afruar shumë. Nga ana tjetër Bournemouth merr një biletë për në Evropë, diçka që ndodh për herë të parë në historinë 127 vjeçare të këtij klubi.
Ndërkohë, në 'Stamford Bridge' Chelsea ia doli të fitonte 2-1 kundër Tottenhamit duke 'zhytur' Spursat në fundin e klasifikimit. Enzo Fernandez dhe Andrey Santos shënuan për Chelsean, ndërsa Richarlison shkurtoi për të besuarit e De Zerbit. Me 52 pikë Chelsea merr për momentin një biletë për në Conference League, ndërsa Tottenham mbetet në 'vallen e mbijetesës'.
Spurs kanë 38 pikë dhe ndodhen në vendin e 17-të, dy pikë më shumë se West Ham. Tottenham pret Evertonin në ndeshjen e fundit të sezonit dhe duhet të marrë pikë, nëse nuk dëshiron që të rrëzohet në Championship. Ndërkohë West Ham pret Leeds United, me këto dy ndeshje që pritet të vendosin se cili mes West Ham dhe Tottenham do të mbijetojnë.
Komente






