ARABIA SAUDITE - Shtatë vite pa trofe janë shumë për një klub si Al Nassr që ka investuar miliona euro duke marrë në ekip disa nga yjet më në zë të futbollit botëror, përfshi edhe Cristiano Ronaldon.

Të martën në mbrëmje Al Nassr barazoi 1-1 kundër rivalëve të Al Hilal, teksa ishin vetëm dhjetë sekonda larg nga zyrtarizimi i titullit numër 11-të në Arabinë Saudite. Portieri i Al Nassr, Bento, katranosi gjithçka në aksionin e fundit duke shënuar një autogol që mund të shmangej. Tanimë Al Nassr do duhet të fitojë më 21 maj kundër Damac që garon për mbijetesën, për të marrë trofeun e kampionit.

Në Riad ndeshja ishte me raste dhe ritëm, me Al Nassr që gjeti golin e epërsisë në minutën e 37-të me Mohamed Simakan. Fundi i përballjes ishte dramatik, teksa trajneri Jorge Jesus nxorri nga loja Cristiano Ronaldon për Al Hamdan. Në minutën e tetë shtesë, konkretisht në aksionin e fundit Al Hilal barazoi shifrat për 1-1 duke shtyrë festën e Al Nassr.

Një rivënie anësore e gjatë bëri që portieri Bento, i pashqetësuar, të bënte një dalje të pastudiuar mirë dhe në përplasje me shokun e tij të skuadrës, Martinez, nuk mundi ta kontrollonte topin që u ndal në rrjetë. Në fund nuk mungoi zhgënjimi i Ronaldos.

Me një ndeshje më shumë të luajtur dhe me pesë pikë më shumë se Al Hilal, skuadra e Cristiano Ronaldos e ka shtyrë festën për në ndeshjen e fundit. Një fitore më 21 maj kundër Damac i vendos 'kapakun' çështjes së titullit.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 9 Maj, 13:00

    PS propozon masa më të ashpra për shoferët e dehur e ata të rinj, si iu duket?