Real Madrid ia ka dalë të marrë tri pikë kundër Leganes në La Liga, duke fituar 0-3 në derbin e vogël të qytetit. Tanimë "Galaktikët" janë katër pikë më pak se Barcelona kryesuese, teksa kanë edhe një ndeshje për të zhvilluar dhe kanë shanset të ngushtojnë diferencën në vetëm një pikë.
Barazimi i djeshmë 2-2 i Barçës kundër Celta Vigos i detyronte djemtë e Ancelottit që të siguronin maksimumin kundër një rivali si Leganes. Loja doli sipas parashikimeve dhe në minutën e 43-të Vinicius asistoi për Mbappe, me francezin që kaloi Real Madridin në epërsi.
Edhe në pjesën e dytë melodia ishte e njëjtë, teksa duhej Arda Guler që të servirte një top për Valverde, me këtë të fundit që gjeti golin e dytë. Për të "vulosur" suksesin e ekipit të tij ishte Bellingham që shënoi pesë minuta nga fundi.
Pas javës së 14-të La Liga kryesohet nga Barcelona me 34 pikë, ndjekur nga Real Madrid me 30 pikë dhe një ndeshje më pak. Më pas vijnë Atl. Madrid dhe Villarreal.