Serie A e futbollit mbylli javën e gjashtë. Në stadiumin "Luigi Ferraris", Genoa fitoi 4-1 kundër Romës, duke zhytur në krizë djemtë e Mourinhos. Dueli u hap shpejt, me vendasit që shënuan pas vetëm pesë minutash lojë me Gudmundsson, kjo pas asistit të Strootman.
Pas 17 minutave lojë, Cristante barazoi ndeshjen, por ky rezultat nuk zgjati shumë. Në minutën e 45-të ishte Retegui që shënoi golin e dytë për Genoan, duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, Thorsby shënoi golin e tretë për genovezët, teksa Messias vulosi ndeshjen në minutën e 81-të. Pas javës së gjashtë Genoa ngjitet në kuotën e shtatë pikëve në vendin e 11-të. Nga ana tjetër, Roma me pesë pikë qëndron në vendin e 16-të. Një fitore, dy humbje dhe tre barazime për skuadrën e Mourinhos, që është në krizë rezultatesh.
Në ndeshjet e tjera Frosinone dhe Fiorentina barazuan 1-1, ndërsa Monza dhe Bologna ndanë nga një pikë pas barazimit 0-0.
Renditja:
Roma pësoi humbjen e dytë në Serie A, kjo pasi Genoa e mposhti 4-1 në "Luigi Ferraris" për javën e gjashtë. Me vetëm pesë pikë dhe vendin e 16-të, djemtë e Mourinhos i kanë bërë nisjen më të keqe sezoneve.
Pas ndeshjes trajneri Jose Mourinho tha se skuadra e tij në dy sezone ka qenë në dy finale radhazi.
"Fillimi më i keq për mua, por është hera e parë që Roma ka luajtur dy finale europiane radhazi… ", deklaroi Mourinho.
Më pas portugezi analizoi ndeshjen, duke thënë se ndihen mungesat në mbrojtje.
"Nuk kam shumë për të thënë. Edhe pas ndeshjes nuk bisedova fare me lojtarët. E filluam keq, por reaguam dhe barazuam. Por më pas struktura e skuadrës u përkeqësua me dëmtimin e Llorentes. Pasi rezultati shkoi 3-1 nuk kishte më histori, përfundoi gjithçka. 4-1 pastaj, ishte i tepërt, jashtë çdo lloj konteksti. Shumë gola të pësuar? Shumë, pa dyshim. Njerëzit kujtojnë vetëm gabimet e Ibanez, por ai na siguronte një soliditet të jashtëzakonshëm. Na mungon edhe Smalling", tha Mourinho.